LDK-ja në ëmbëltore, PDK-ja në kafiq, VV-ja në furrë buke - Pse partitë në Kosovë identifikohen me gastronomi? - NACIONALE

LDK-ja në ëmbëltore, PDK-ja në kafiq, VV-ja në furrë buke - Pse partitë në Kosovë identifikohen me gastronomi?

3 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Se shumicën e punëve më të rëndësishme në jetën e përditshme i kryejmë nëpër kafiqa, bare ose restorante kjo nuk do diskutim. Gjithashtu, fakti që shumicën e ngjarjeve në përditshmëri i cakton politika, as kjo nuk do diskutim. Prandaj, është e natyrshme që edhe partitë poltike në Kosovë, i kanë kafehanet si vende të tyre, nga ku vendosen shumë gjëra. Kësisoj, secila parti e ka kafiqin e vet.

Redaktori në Nacionale, Mirlind Behluli, që i njeh mirë partitë politike në Kosovë, vjen në këtë podcast për të folur mbi këtë fenomen të politikës dhe gastronomisë.

Mirlindi na tregon një detaj të rëndëishsëm historik që lidhet me Perandorinë Osmane, ku kafehanet kanë qenë vende të preferuara për t’u takuar pashajt, dhe vazhdon duke rrëfyer kafehanet e partive kosovare.

Jep një shpjegim fenomenal sesi një ëmbëltore në Prishtinë ishte bërë zyra e dytë e partisë së Ibrahim Rugovës. Më vonë, i jep kuptim se përse partia e dytë pas asaj të Rugovës, PDK-ja e Hashim Thaçit e gjeti veten tek një bar nate, i vendosur në podrumin e ndërtesës së partisë. Mirlindi kujton kohën kur zyrtarë të PDK-së kishin shkaktuar termete politike pikëirsht duke dalë nga “Zanzi Bar”. Më vonë ndalet për të shpjeguar sesi PDK-ja nga Zanzi Bar del tek një kafiq, ai “Bon Vivant”, me pronar edhe nënkryetarin e partisë.

Shpjegimi i relacionit kafiq-parti politike merr edhe më shumë kuptim kur flitet për kafiqin e partisë më të re në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Ata e kanë një furrë buke apo pastiqeri “Bukë e Zemër” me pronar një aktivist të partisë. Pse këto parti politike identifikohen edhe përmes kafehaneve ku rrinë e zhvillojnë takimet, dëgjojeni podkastin që është më shumë se kaq. Sesi brenda partive egzistojnë kafehane të ndryshme.

Lajme të ngjashme