“Ka ndodh me më përcjellë dhunuesit me veturë” - rrëfimi i gruas që drejton Shtëpinë e Sigurt në Gjakovë
Ka gati një dekadë që drejton Shtëpinë e Sigurtë në Gjakovë, aty ku në fund të marsit e vizituam Erblina Dinaraman, së bashku me gazetaren tjetër të Nacionales, Anita Nikajn. Qëllimi ynë ishte të realizonim disa intervista podcast me gratë të cilat qëndronin në këtë shtëpi. Ka 10 të tilla në krejt Kosovën, por në shumicën e atyre që i kontaktuam nuk kishte shumë gra.
“Vetëm një grua e kam”, më thotë Zana, drejtoresha e shtëpisë në Prishtinë.
“S'e kam asnjë për momentin”, më thotë një tjetër grua, që më lajmërohet në telefonin e shtëpisë në Mitrovicë.
“Nuk e di nëse është për t'u shqetësuar apo gëzuar”, i thash Anitës, duke hedhë dyshime tek arsyet se përse këto “shtëpi të sigurta” nëpër Kosovë janë të zbrazura. Më shumë ka gjasa, sigurisht duke hamendësuar se “shumë gra hezitojnë të ikin nga shtëpia e tyre”.
“Shumica e tyre nuk e dinë hiq që ekzistojnë shtëpitë e tilla”, më thotë Erblina Dinarama, duke ma hedhur poshtë dyshimin. Krahasuar me shtëpitë e tjera nëpër Kosovë, shtëpia e sigurtë në Gjakovë ishte plot me gra, viktima të dhunës në familje.
Ne e vizituam shtëpinë në fund të marsit. Gjatë ditëvë të Prillit, në Nacionale do të publikojmë rrëfimet e viktimave të dhunës në familje, që në mënyrë vullnetare, pranuan të rrëfejnë për ne historinë e jetës së tyre. Nuk doja që në këto rrëfime t’i bëja sërish të flasin për dhunën që kanë kaluar. Me to kemi folur për jetën e tyre para se të martohen. Para se të shkojnë në “derë të huj”. Por për këto rrëfime në një tekst tjetër. Tash le të flasim për këtë bisedë.
“Për herë të parë më ka bo dikush qesi pyetje”, thotë Erblina Dinarama, në një moment, gjatë bisedës me mua dhe Anitën. Këtë po ua tregoj për të ju paralajmëruar për një intervistë në të cilën qëllimi kryesor është të tregojmë për pasojat e një pune sikurse të drejtosh një qendër në të cilën 24 orë në ditë ke të bësh më gra, viktima të dhunës, e rrjedhimisht përballesh me dhunues.
“Krejt jeta jeme më ka ndryshu, prej punës këtu. Ka ndiku në mënyrën se qysh e shoh botën, ose ma mirë me thanë më se di a muj me pa botën dikun tjetër pos në këtë shtëpi”, thotë Erblina teksa rrëfen punën e saj 10 vjeçare në krye të kësaj shtëpie.
Nuk i ka pasur as 20 vjeçe siç do të thoshin në Gjakovë, kur ka filluar punën me gra, viktima të dhunës në familje. Tash, nëse vazhdoj tutje të shkruaj, druaj që s'keni arsye ta dëgjoni bisedën, e cila ia vlen shumë. Për të njohur punën e tjetrit, për të dëgjuar hjekat ose thjesht për të kuptuar më shumë rreth kësaj shtëpie.