‘Jo veç për seks’ – arsyet tragjike dhe komike pse kosovarët shkojnë nëpër vila e motele
Lajmet për ngjarje tragjike nga dhomat e moteleve apo vilave nëpër qytete të Kosovës, shpërfaqin çdo herë një mentalitet të prapambetur të kosovarëve. Sidomos, kur nga këto dhoma dalin lajme për dhunime seksuale.
Por jashtë këtyre komenteve për të cilat Nacionale ka shkruar një qëndrim redaksional, e rëndësishme është që të shtrojmë një tjetër pyetje: çka i shtynë të rinj e të vjetër që të shkojnë nëpër vila e motele për të bërë seks?
Këtë me saktësisht askush nuk mund ta thotë, por disa prej njerëzve të cilët i kemi pyetur mbi arsyen pse vendosin të shkojnë nëpër motele a vila, arsyeja është e njejtë: nuk kanë vend tjetër.
“Jo veç unë por shumica e shoqnisë që e njoh, nuk kanë vende, banesa apo shtëpia private, kështu që duhet me shku në motele e vila”, thotë A.S një 24 vjeçar nga Peja student në Prishtinë.
Një tjetër çikë e re që jeton në Prishtinë, thotë se arsyeja përse shkon në motele është mungesa e një vendi privat, hapësirë personale.
“Nëse don me jetu vet në Prishtinë, 300 euro është banesa, e kërkush s’mundet në Kosovë i ri me pagu vet, kështu që duhet me shku nëpër motele”, thotë Sh.M një 25 vjeçare.
“Plus edhe me shku nëpër motele vila, veç mos të paftë najkush se menjëherë të thojnë k**vë”, shton ajo.
Fakti që për një temë kaq të thjeshtë – një pushim në dhomë moteli a vile - askush nuk dëshiron të flas me emër e mbiemër flet shumë për paragjykimet e shoqërisë.
Sa herë përmendet fjala motel, në mënyrë gati automatike mendja na shkon menjëherë te seksi.
Por janë disa arsye pse shumica e njerëzve shkojnë nëpër dhoma moteli apo vila.
Disa shkojnë për të pushuar nga ndonjë udhëtim i largët, të tjerë shkojnë për “after party” por ka edhe aso që shkojnë të shikojnë filma.
FILOZOFI NË MOTELE
Të jetuarit në një shoqëri izoluese vjen me llojlloj segmentesh paragjykuese, e që një goxha e famshme prej tyre del të jetë kultura e moteleve. E drejt të themi se, pasi dëgjojmë fjalën 'motel', qëndrimet apo mendimet se dikush mund të shkojë në një të tillë veç për të pushuar (pushim njëmend, jo 'pushim' si sinonim i të bërit seks), për të bërë një dush, apo edhe për të parë një film siç tregon Premtimi – filozof nga Prishtina - nuk janë fare pjesë e narracionit imagjinar.
"Mua më ka ndodhur, disa herë gjatë dimrit, që të shkoja në motel për të parë film. Nuk kisha ambient tjetër privat, dhe moteli më dukej ambient i mirë", thotë ai.
Premtimi studion filozofinë dhe thotë se e kishte të pamundur të gjente një vend me dy-tre miq të tjerë për të shikuar filma që ndërlidheshin me profesionin e tyre. Përveç filmit, ata kishin nevojë për hapësirë diskutuese e konkluduese rreth asaj që kishin parë, andaj zgjodhën një objekt 'të turpshëm' të përmendet në tryeza familjare kosovare, siç është moteli.
PRONARËT DUAN VETËM CASH-in
Nënvlerësimi që i bëhet multifunksionalitetit të një dhome që e paguan 10-15 euro, duket të jetë i përmasave monumentale në kulturën kosovare.
"Unë dhomat e motelit i kam në Malishevë qe nja 2-3 vjet. Këtu tek unë vijne më së shumti çifte me pushu edhe s'më intereson se çka bojnë", tha Arianiti, pronari i motelit në qytetin e thënë, kur e pyeta 'pse ka kaq shumë paragjykim për motelet?'
"Ama shumë njerëz kur e kuptojnë se kam motel gjithë më pyesin 'a po vijnë me bo seks a ça po bojnë... a po vijnë pleqtë për pensione' etj, ka tulifarë fjalësh. E kam vërejt edhe te do njerëz që vijnë psh me pagu ose diçka, gjithë veç një burrë osht, ato çikat mshefën ose s'dojnë me u pa. Veç nese jane çifte përnime", shtoi tutje ai.
Në rrethana më të errëta, kosovarët e trajtojnë madje motelin si institucion që legjitimon përdhunimin dhe abuzimin seksual.
Komente si "po çfarë dhunimi, mare (në kuptimin e 'more'), po me zor s'e ka çu aty" dhe "për qejf s'u shku ajo" gjeni përfaqësim në shumicë në artikullin e Nacionales në Facebook, ku flitet për përdhunimin e një gruaje në një motel në afërsi të Lipjanit.
Me pak fjalë, sa herë bëhet fjalë për 'motel' dhe 'përdhunim seksual', i gjithë narracioni kthehet në stigmatizim të viktimës, derisa moteli trajtohet si objekt që me plotfuqishmëri ekstreme legjitimon abuzimet seksuale.
“DY DJEM NUK I LËNË NË VILA”
Por, legjitimiteti që i jepet përdhunimit nëpër motele është larg të qenurit problemi i vetëm me të cilin ndërlidhet ky, ta quajmë, 'objekt pushimi'.
Pjestarëve të komunitetit LGBTIQ+ u minimizohet qasja, për të mos thënë se i ndalohet krejtësisht siç është rasti me Argjendin më poshtë.
"Të jesh gej në Kosovën ku shumica nuk kanë vend personal sepse jetojnë me familje ose me cimera, është e vështirë", thotë ai fillimisht për Redaksinë.
"Kështu qe e vetmja mundësi është me shku nëpër villa. Por edhe këtu, nuk na lajnë. Disa herë më ka ndodhur në dy tri-vende për villa pushuese që mos me na lanë. Përpos që nuk na lajnë me hi aty nëse e hetojnë që jeni dy djem zakonisht nuk lajnë. Kështu që na duhet njoni me u mshef në veturë, brenda veturës që mos me u pa. Kjo është edhe përshkak se shumë geja në Kosovë nuk duan të ideinfikohen ama më së shumti përshkak se nuk lejojnë", shton ai.
Motelereia me pak fjalë duket t'i ketë pak nga të gjitha, derisa multifunksionaliteti që ofron në fakt gjen përdorim njëfunksional te kosovarët në të shumtën e rasteve, por duke ngërthyer në vete elemente të errëta sociale si paragjykimi, glorifikimi i përdhunimit dhe njëanshmëra e ofrimit të shërbimeve kur bëhet fjalë për orientimin seksual.
