Ajo që bën në motel s'mbetet në motel: Paragjykime të rënda seksiste për vajzën e dhunuar në Lipjan - NACIONALE

Ajo që bën në motel s'mbetet në motel: Paragjykime të rënda seksiste për vajzën e dhunuar në Lipjan

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Nëpër motelet në Kosovë po ndodhin shumë fatkeqësi të natyrave të ndryshme, por të cilat për shkak të prirjes së pabesueshme për paragjykim po shndërrohen në ngjarje me të cilat shoqëria jonë tallet e dëfrehet. Rasti i fundit në Lipjan përbën një shqetësim edhe më të madh.

Një vajzë po priste autobusin në rrugën “Avdi Kelmendi” kur një veturë e panjohur me një ngasës të panjohur iu qas dhe e mori për ta dërguar në një motel në afërsi të Lipjanit. Data ishte 1 korrik, dita ishte e premte.

Vajza në fjalë ishte 31 vjeçare, dhe identiteti i saj fatmirësisht nuk është zbuluar nga Policia e Kosovës.

Në motel, ajo do të përdhunohej seksualisht nga i panjohuri. Përveç faktit që njësitet policore janë “vënë në lëvizje që ta kapin” të dyshuarin për këtë vepër të tmerrshme penale, asgjë tjetër nuk dihet.

Sidoqoftë, një pjesë e mirë e shoqërisë tonë, duke u ushqyer me “paragjykime seksiste” u ngut të tregonte se çka kishte ndodhur.

Shumica dërrmuese e komentuesve potenconin vendin ku kishte ndodhur krimi. Kishim të bënim me një “motel”, që në fjalorin popullor duket se definohet si vendi ku thjesht dhe vetëm bëhet seks, dhe atë seks kundër “normave morale të shoqërisë”.

Sipas organizatës “Childhub”, dhuna seksuale përkufizohet si vijon:

“Çdo akt seksual, përpjekje për të kryer një akt seksual, komente ose seksuale të padëshiruara, ose çdo veprim tjetër kundrejt seksualitetit të një personi duke përdorur shtrëngim, nga cilido person pavarësisht nga marrëdhënia e tyre me viktimën, në çdo mjedis, duke përfshirë por pa u kufizuar në shtëpi dhe punë.”

Pra, dhuna seksuale mund të ndodh në çdo vend (mjedis), përfshirë edhe motelet. Por, përfshirë edhe shtëpitë private, dhe përfshirë edhe marrëdhënien mes një burri e një gruaje që mund të jenë edhe të kurorëzuar.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Neni 230 i quajtur “Dhunimi”, dhunimi seksual përkufizohet dhe dënohet si vijon:

“1. Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.”

Sidoqoftë, komentuesit nuk kanë pyetur fare për rrethanat e pasqaruara të rastit duke u shërbyer me moshën e rritur të vajzës (31 vjeçare) dhe me vendin ku ndodhi krimi (motelin).

Më poshtë ju ftojmë të lexoni disa prej komenteve (pak më të moderuara) të ardhura në lajmin e postuar në Nacionale, të cilat po i publikojmë për të rritur ndërgjegjësimin kundër komenteve të tilla dhe duke e ditur se ato veçse bëjnë pjesë në sferën publike të debatit.

Lajme të ngjashme