“Era hurme, pushtet dhe ko*e” - podcast me Shukin për profiterat e fesë
Ishte 7 maji i vitit 2014. Kryeimami i Xhamisë Qendrore atë kohë në Prishtinë, Shefqet Krasniqi që ishte shndërruar në një prej figurave më kontroverse në islamin modern të Kosovës përmes interpretimeve të tija fetare mbi kategori të ndryshme shoqërore në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ligjeve që garantojnë barazi për të gjithë, kishte vendosur që të promovonte librat “Qëndrime në Kohë” vëllimi i III dhe IV.
I ftuar special ishte një akademik, kimist me profesion. Ai ishte Nexhat Daci, që kishte filluar të ndjente dështimin në politikë me partinë e tij Lidhja Demokratike e Dardanisë, shkarkimit nga detyra e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe një afere gjyqësore që e kishte shpallur fajtor për përfitime personale me paratë e buxhetit të shtetit. Me 21 dhjetor 2017, Daci ishte zgjedhur kryetar i institucionit më të rëndësishëm të shkencës dhe artit në Kosovë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Edhe nga ky institucion është larguar, dhe kësisoj ai u bë i pa rëndësishëm në listen e njerëzve të fuqishëm që kishte prapa vetës.
Tetë vite pas, Shefqet Krasniqi nuk është kryeimam, është akuzuar për ekstremizëm dhe vazhdon të jetë një imam me pikëpamje ekstreme, madje për kohën e tanishme, llogaritet si person me mendësi provinciale, por mbështetja ndaj tij është rritur.
Mendësia shpellare e Shefqet Krasniqit, po ngreh çdo ditë e më shumë, deputetë të Kosovës laike. Në javën e parë të prillit 2022, imami që s’ka asnjë pozitë zyrtare, thirri një iftar për të promovuar librat e tij të rinj. Por aty në sy nuk ranë në sy librat por pjesmarrësit. Prej aktorëve sikurse Dardan Gashi, ose autori i emisionit televiziv, Resul Sinani e deri tek Gold AG reperi dhe Nexhmedin Spahiu si publicist, ishin pjemarrës. Por as këta nuk janë aq të rëndësishëm. Në këtë iftar, ishin deputetë si Mërgim Lushtaku (PDK); Visar Korenica, (VV); Eman Rrahmani, (VV); Gramos Agusholli, (VV) e Bekë Berisha, (AAK), e kryetar komunash, sikurse ai i Gjilanit, Alban Hyseni. Çka i bjen kjo? Pse kemi çdo vit e më shumë njerëz, figura publike, që po futen ose përdorin fenë për qëllime të tyre? Një nga vrojtuesit më të rafinuar të këtyre lëvizjeve është komediani dhe autori i emisioneve në radio e TV, Mentor Shuki. Ai në këtë podcast analizon se si edhe shoqëria urbane në Prishtinë po e përdorë fenë për t’i larë gjynahet.
Një ekzaminim i një iftari të parëndësishëm për nga hiearkia institucionale e jeta publike por pjesmarrja e deputetëve si përfaqësues të institucionit më të lartë në vend, Kuvendi, këngëtar e personalitete televizive, e bënë këtë iftar të rëndësishëm për ta trajtuar në tri aspekte: hurmet, pushtetin dhe ko*et.