A je pernime artist nëse qëndron neutral ndaj temave sikurse dhuna seksuale? Podcast me Lola Sylaj nga kolektivi "Haveit"
Ishte marsi i vitit 2013 dhe në Kuvendin e Kosovës atë kohë, teksa po diskutonin për përfshirjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në ligjin për të mbijetuarit e luftës së fundit, ishte përdorur gjuhë e tmerrshme fyese ndaj këtyre viktimave. Disa deputetë kishin kërkuar ekzaminim të viktimave. Të nesërmen para Kuvendit të Kosovës ishte paralajmëruar një protestë, me të njëjtin emër. Motrat, Hana dhe Vesa Qena bashkë me Lola e Alketa Sylaj kishin vendosur që të marrin disa çekiqë dhe disa molla, që i vendosën mbi një tavolinë me një pëlhurë të bardhë, ku shkruhej: EKZAMINIM.
Edhe pse kisha dëgjuar për to, nuk i njihja personalisht. Atë mëngjes, dola nga zyra dhe i takova në shesh. I ndihmova dhe më pas shkrova diçka. Ka qenë jo e zakonshme për një gazetar të bëhet pjesë e një performance, por jo për mua atë ditë. Njëfarë vije që e ndan një gazetar ose një artist nga ngjarjet aktuale ose aktivizmi, ishte deri vonë një rregull. Neutraliteti karshi ngjarjeve tronditëse sikurse dhuna në familje, dhuna seksuale ndaj grave, e deri tek mungesa e reagimit institucional, është temë që diskutohet ende. Por teksa diskutimi vazhdonte, Haveit vendosën të dalin në rrugë dhe të performojnë. Dhe kjo ka dhënë rezultat.
“Gjeneratat e reja dhe hapësinat e reja bashkë me feminimizmin janë rritur. Kjo është një arritje. Ka ekzistuar një perceptim që performanca ose reagimi ndaj këtyre temave se 'kjo sështë art', por tash po ndryshon”, thotë Lola Sylaj, e cila është edhe mysafire e këtij podcasti, që është realizuar në kuadër të serisë së bisedave për dhunën në familje.
Me Lola Sylajn, biseda është shtrirë gjerë e gjatë mbi diskutimin e rëndësisë së reagimit të artistëve ndaj temave sikurse dhuna në familje, ose vrasja e grave.
“Ka shumë organizata që mundohen, ama kur e sheh numrin e madh të OJQ-ve e vëren se s'kanë punu shumë. Rëndësia me vazhdu me reagu si artistë ndaj këtyre temave është e madhe sepse ne mund të mos ndikojmë në ndërrimin e gjendjes, por mund të hapim debat. Kur askush nuk i përmend këto tema, atëherë shoqnia është keq”, thotë Lola.
Ajo rrëfen edhe historinë e vendosjes së billbordave te Newborn-i në Prishtinë në mënyrë ilegale, ku Haveit okupuan këto hapësira për marketing për të shtruar një pyetje të rëndësishme: Edhe sa thirrje të humbura.
“Ka qenë ilegale full. Na ka ndihmu një shoqe me i dizajnu, e një punëtor me i vendosë billboardat. Kur e ka pa emrin e Diana Kastratit, menjëherë e ka hetu punëtori që nuk jemi duke vendosur billborda. Ai na pyeti a kemi të drejtë e leje, por na e rrejtëm se kemi leje. Por atij nuk i interesoi shumë, bile u gëzu kur e pa emrin e Diana Kastratit, pasi kishte punu me babën e saj”, rrëfen Lola.
“Çdo vit po shtohen emra të rinj të grave që po vriten”, shton ajo. Dhe ka të drejtë: dhuna në familje, e sidomos ndaj grave, vazhdon edhe kësaj dite të jetë kryetema e raportit 24-orësh të Policisë.