“9 vjet kam duru dhunë duke shpresu, tash nuk i besoj asnjë njeri” - Rrëfimi i 28 vjeçares për pasojat e dhunës në familje - NACIONALE

“9 vjet kam duru dhunë duke shpresu, tash nuk i besoj asnjë njeri” - Rrëfimi i 28 vjeçares për pasojat e dhunës në familje

4 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Sa herë kam dëgjuar rrëfime të grave, viktima të dhunës në familje, gjithmonë jam ndjerë rëndë e më rëndë. Kjo për disa arsye. Të gjitha rrëfimet e tyre janë një rivizitë e traumës së tyre, një ri-kujtim i dhunës ndaj tyre. Jam munduar ta lehtësoj rëndimin, duke e arsyetuar se ndoshta, rrëfimi i traumës është njëfarë lehtësimi nga trauma. Por sa më shumë shikoja rrëfime të tilla, ky arsyetim nuk qëndronte.

Përpos që nuk ka ndonjë fakt shkencor që tregon se të rrëfyerit në publik i traumës ose i dhunës së ushtruar ndaj teje është ndonjë lehtësim për atë që rrëfen, janë edhe disa faktorë të tjerë social, të shoqërisë sonë që ma faktojnë më shumë këtë gjë. Komentet e shumta të njerëzve nëpër këto “lajme me rrëfime”, e rëndojnë edhe më shumë situatën. Nuk ia vlen të flasim për ato që shkruhen, për mënyrën se si arsyetohet dhuna, sesi fajësohet viktima, sesi përdoret morali etj., etj.

Atëherë, pse të bëjmë një seri të intervistave podcast me gra, viktima të dhunës në familje? Nuk ka asnjë arsye, nëse ende rrëfimet e tyre janë një ri-vizitë e traumës, një shpërfaqje publike e saj. Por nuk mund të mos flasim për këtë problem. Kështu që vetëm duhet të ndërrojmë temat për të cilat flasim. Ose më mirë të themi, mënyrën sesi e për çka flasim me viktimat e dhunës. Si një tentim për të ndryshuar formën sesi bisedojmë me to, kemi vendosur që bisedat me 4 viktima të dhunës në familje, të mos i bëjmë duke folur për dhunën dhe traumën që kanë kaluar por për jetën e tyre para se dhuna dhe trauma të nisë.

Pse kjo seri titullohet “Para Martese”? Për arsyen e thjeshtë: në të gjitha rastet, dhuna e trauma, nisë kur ato martohen. Por, pse të flasim me ato gra, për jetën para martese? Për arsye të shumta. Po i numëroj disa: për të përmbysur mendimin se viktimat e dhunës në familje, e kanë një jetë ndryshe, dhe kësisoj ato disi e “ia bëjnë vetit” ; për të treguar se gjithkush mund të jetë viktimë e kësaj dhune pa marrë parasysh shkollimin, edukimin ose anën financiare ose mbështetjen e familjes; për të treguar se problemi kryesor nuk është dhuna e “burrit ndaj gruas” por dhuna e “të fortit ndaj të ligut”.

Për këtë arsye, edhe e nisim këtë seri me një 28 vjeçare, e cila kishte vetëm dy ditë, që kishte ardhur në Shtëpinë e Sigurt në Gjakovë. Ka ikur nga dhuna dhe tortura e bashkëshortit të saj, me të cilin ishin njohur në shkollë të mesme. Për shkak se nuk duam të publikojmë asnjë informatë vizuale që do ta identifikonte viktimën e kemi ndryshuar zërin e saj, si ilustrim kemi vendosur një vizatim/pikturë të realizuar nga Liona Krasniqi, 14 vjeçare, e cila shpresojë ta dëgjojë këtë rrëfim. Ashtu sikurse ju që duhet ta dëgjojeni historinë e saj, kur flet për fëmijërinë, jeta e saj në shkollë e ëndrrat e saja. Mbi të gjitha dëgjoni një rrëfim të një grua e cila përkundër gjithë dhunës, ia ka dalë të ikë nga ajo. Dhe ëndrrat e saj nuk janë mbytur. Përkundrazi.

Lajme të ngjashme