Vazhdimësia që s’ka mandat
Ka diçka gati teatrale në mënyrën si pushteti po mundohet ta zgjatë jetën e vet. Në Kosovë, një qeveri në detyrë ka vendosur të propozojë buxhetin për vitin 2026, një akt që, në pamje të parë, duket si kujdes institucional. Por nën sipërfaqe fshihet një gjë më e thellë: një përpjekje për ta bërë vazhdimësinë zëvendësim të mandatit, dhe rutinën administrative, justifikim për mungesën e legjitimitetit.
Shkruan: Dardan Sejdiu
Nëse lexojmë me kujdes Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ajo nuk është as manual financiar, as udhërrëfyes për mbijetesën e qeverive. Kushtetuta është një marrëveshje politike për kufijtë e pushtetit. Ajo nuk ekziston për juristët, por për qytetarët që duan të dinë se ku mbaron fuqia e një qeverie dhe ku fillon liria e tyre. Prandaj, Neni 4 i Kushetutës shpjegon qartë që pushteti në Republikën e Kosovës është i ndarë dhe i kontrolluar reciprokisht ndërmjet Kuvendit, Qeverisë dhe Gjyqësorit. Kjo ndarje nuk është zbukurim formal; është mënyra si shteti ruan frymëmarrjen e vet demokratike.
Në këtë frymë, qeveria që propozon buxhetin duhet të jetë një qeveri që përgjigjet para Kuvendit, e Kuvendi duhet të ketë komisione funksionale, shumicë legjitime dhe kontroll politik. Në momentin që Kuvendi nuk e ka asnjërën nga këto e as komision për Buxhet e Financa dhe as raport formal ndërinstitucional, çdo përpjekje për ta “propozuar buxhetin” është, në fakt, tejkalim i kufirit kushtetues.
Ata që e mbrojnë këtë veprim, citojnë Nenin 93 të Kushtetutës, ku thuhet: “Qeveria propozon projektligje dhe Buxhetin e Republikës së Kosovës.” Por e lexojnë këtë si frazë të shkëputur nga sistemi kushtetues. Në çdo republikë parlamentare, kjo e drejtë vlen vetëm për një qeveri me mandat aktiv, shumicë legjitime dhe kontroll parlamentar. Qeveria në detyrë nuk është më autoritet politik; ajo është administratë kujdestare, që ruan funksionimin teknik të shtetit, jo orientimin e tij për vitin që vjen.
Ndërkohë, Ligji nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, në Nenin 31, është i prerë:
“Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara… Përjashtimisht, ajo mund t’i propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës.”
Kjo është një leje e kufizuar që i jepet vetëm qeverisë në dorëheqje, jo asaj në detyrë. Dallimi është substancial: qeveria në dorëheqje ende i përgjigjet Kuvendit të njëjtë, ndërsa qeveria në detyrë është produkt i një legjislature të shkuar, pa lidhje organike me legjislaturën e re. Ligji nuk hesht, ai zgjedh kujt t’ia japë këtë kompetencë. Dhe heshtja për qeverinë në detyrë është qëllim i qartë, jo harresë.
Tutje, fjala “domosdoshmëri” nuk është liri e plotë veprimi. Përkundrazi, kjo fjalë nënkupton vetëm vazhdimësi teknike të shpenzimeve ekzistuese, jo politikë të re buxhetore. Nëse një qeveri pa mandat harton buxhet për vitin tjetër, ajo nuk po mban shtetin gjallë, por po e projekton veten përtej kufirit të vet politik. Kjo është arsyeja pse Rregullorja e Kuvendit lejon shmangie vetëm nga afatet, jo nga vetë shqyrtimi në komisione, i cili është thelbësor për legjitimitetin parlamentar të procesit.
Një argument tjetër që po qarkullon është ai i “vazhdimësisë së shtetit”. Por shteti nuk matet me faktin që çdo mëngjes zyra hapet e dritat ndizen. Vazhdimësia e shtetit nuk është e njëjtë me vazhdimësinë e pushtetit. Në një republikë parlamentare, shteti vazhdon përmes ligjit, jo përmes vullnetit të atyre që s’kanë më mandat ta udhëheqin.
Edhe nëse Kuvendi vonohet të konstituohet për muaj të tërë, kjo nuk i jep qeverisë të drejtë të bëjë rolin e kuvendit. Kushtetuta nuk e njeh “nevojën” si arsye për të kapërcyer ligjin. Rregullat janë të qarta: qeveria zbaton, Kuvendi kontrollon. Ligji për Menaxhimin e Financave Publike e ka parashikuar vetë këtë situatë. Dhe ky ligj lejon që buxheti i vjetër të vazhdojë nw formë dhe mënyrë qartw të definuar derisa Kuvendi të formohet. Dhe nëse vonesa zgjatet, vetëm Kuvendi mund të vendosë për zgjatje të mëtejshme, jo qeveria.
Me fjalë të tjera, shteti nuk bie në boshllëk. Ka një mekanizëm ligjor që e mban në këmbë, pa pasur nevojë për “shpikje politike”. Qeveria nuk ka pse të luajë rolin e shpëtimtarit, sepse ligji ekziston për ta mbajtur funksionalitetin bazë të shtetit, pa e prishur ekuilibrin mes pushteteve. Kështu që kur dikush e përdor “bllokadën” si justifikim për të marrë më shumë pushtet, nuk po e mbron as Republikën e as qytetarin, por po i dobëson dyjat.
Këto ditë po përmendet shembulli i Belgjikës apo Holandës, ku qeveritë kujdestare kanë funksionuar për vite. Por në ato vende, komisionet parlamentare kanë qenë aktive, legjislatura ka qenë funksionale dhe kontrolli demokratik i plotë. Asnjëra prej tyre nuk ka hartuar buxhet për një vit të ri pa mandat. Në Kosovë, përpjekja për ta bërë këtë, pa Kuvend që ka votuar qeveri me legjitimitet politik dhe pa komisione aktive, nuk është as precedent evropian, as nevojë, është iluzion i kontrollit, i përzier me frikën e lënies së pushtetit.
Vendimi i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës na kujton një gjë themelore: “Asnjë institucion nuk mund të veprojë përtej kompetencës që i jep ligji.” Në kushte normale, kjo do të ishte një fjali e mërzitshme. Por te ne, kjo tingëllon si mësim i ri çdo vjet. Këtu, pushteti rrallë e sheh ligjin si kufi, më shpesh po e sheh si sfidë për ta kapërcyer.
Në fund të ditës, kjo nuk është çështje buxheti. Është provë për Republikën. Nëse një qeveri në detyrë mund të propozojë buxhetin për një Kuvend që ende s’ka formuar as komisione, atëherë çfarë mbetet nga parimi i ndarjes së pushteteve (Neni 4, Kushtetuta)? Nëse një administratë pa mandat mund të projektojë prioritetet politike të vitit të ardhshëm, atëherë çfarë mbetet nga përgjegjësia demokratike përpara sovranit?
Një republikë nuk bie nga mungesa e buxhetit, bie nga mungesa e turpit kur tejkalohen kufijtë që vetë ajo i ka vendosur. Dhe kur qeveria harron se është përkohshme, atëherë i takon qytetarëve dhe çdo zëri publik t’ia kujtojë: Pushteti matet me kufizimin e vet, jo me aftësinë për të mbijetuar.