VV-istët pasanikë: Pse të kamurit kukasin si të varfër në Kosovë? - NACIONALE

VV-istët pasanikë: Pse të kamurit kukasin si të varfër në Kosovë?

4 vjet më parë

nga Jetlir Buja

“Çdokush që është përballur me varfërinë e di se të jesh i varfër kushton tepër shtrenjtë.” – thotë shkrimtari amerikan James Baldwin. Në Kosovë, përveç që varfanjakut i kushton tepër shtrenjtë varfëria, atij edhe po i vidhet zëri dhe krejt përkatësia klasore për përfitime politike e sociale.

Kur pashë deklarimet e pasurisë të disa njerëzve në pushtet mu kujtuan kukamat e tyre të vazhdueshme gjatë këtyre viteve, e që na linin të kuptonim se po hiqnin keq personalisht. Të gjithë këta njerëz nuk u pasuruan për një vit. Ishin të pasur edhe më herët. Dhe si të pasur kukasnin fort. E gjithë kjo duhet ta ketë një domethënie!

Nuk pretendoj t’i kem rënë në fije kukamës skamnore të të kamurve të VV-së apo partive tjera. Sidoqoftë, dua të ndaj disa përshtypje nga përvoja, e që s’lidhen aq me partinë e Albinit sa me një dukuri shoqërore të shëmtuar.

Më ka rastisur shumë e shumë herë që të vëreja një fiksim të çuditshëm te njerëzit e pasur me të cilët rrija: shpreheshin me shumë shqetësim për financat e tyre. Ndodhte shpesh të më paguanin kafenë a birrën, për çka i falenderoj, por jo edhe të më jepnin rehatinë që unë të shprehesha lirshëm për telashet e mia financiare. Mua më ndodhte të mbesja pa punë e të mos i kisha më shumë se 80 euro në muaj. Ose, të isha në punë me një rrogë tepër të vogël krahasuar me standardin e tyre. Ose, të mos shihja pikë perspektive për veten. Por, si mund të flasësh kur parasheh sa banale tingëllojnë telashet tua në të njëjtin muhabet me telashet e tyre? Dhe kur dilja prej zonës së rehatllëkut dhe shprehja diçka, ajo pasohej me kollitje, heshtje e siklet e më vonë edhe me një ndërhyrje të patakt (kontestim, propozim, pyetje tepër personale) në zgjedhjet e mia jetësore. Nëse ata vuanin aq shumë financiarisht, atëherë unë s’e meritoja as të ekzistoja.

Njerëzit e pasur – prej klasës së mesme-të-mesme e telartë – ka kohë që ndihen të varfër. Po flas për njerëz që kanë të paktën një banesë dhe mbi një mijë euro të ardhura familjare në muaj. Por, varfërinë këta njerëz e kanë vetëm në mendje sepse jetojnë në një shtet që mbahet nga punët esenciale që kryejnë punëtorë me rroga tepër të vogla dhe ku produktet esenciale kushtojnë lirë për shkak të po këtyre punëtorëve. Është një varfëri e rreme, që hyn në listën e gjatë të gjërave të rreme që kemi prodhuar si shoqëri: veteranë të rremë, politikanë të rremë, lajme të rreme, kauza të rreme, profile sociale të rreme, qëndrime politike të rreme, punëtorë të rremë etj.

Por, kjo rrenë e radhës nuk duhet të kalojë. Kemi të bëjmë me vjedhje të identitetit politik e social për të vjelë të mira morale e materiale. Kemi të bëjmë me një viktimizim të rremë. Me një perversitet të pështirë.

Në vitin 2013, Vetëvendosje kishte një komunikatë të quajtur “Përfaqësimi në sanduiq” e në të cilën kërkonte – me shumë të drejtë – përfaqësues politikë që vinin nga shtresa e varfër e shoqërisë.

“...thelbësore është se nga çfarë shtresash shoqërore vijnë deputetët – p.sh. të varfrit s’janë fare të përfaqësuar kurse klasa e mesme është pak e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.” – thoshte partia e kryeministrit Kurti.

Pse Kurti nuk flet tash, kur s’e ka asnjë të tillë?

Në Kuvendin e Kosovës dhe institucionet tjera kemi përfaqësim vetëm të klasës së mesme dhe klasës së pasur. Kemi njerëz të klasës së mesme që bëhen sikur janë të varfër, dhe njerëz të pasur që bëhen sikur “të gjithë i kanë kah 2-3 milionë”, pra sikur i përkasin klasë e mesme.

Siç e thashë, nuk pretendoj se njoh këtë falsifikim identitar por keqpërdorimi politik e social i tij është evident. Njerëzit e pasur duhet të flasin prej perspektivës së tyre financiare duke marrë parasysh se në vendin ku jetojnë ka edhe njerëz që heqin më keq se ta, e që dinë dhe meritojnë të flasin për veten e tyre. Pra, njerëzit që e kanë të zgjidhur problemin e strehimit dhe perspektivës ekonomike duhet të artikulojnë nga pozicioni i tyre e jo të vjedhin zërin dhe përfaqësimin e njerëzve tjerë. E thjeshtë, apo jo?

Lajme të ngjashme