Transformimi i sistemit të ngrohjes në Prishtinë, po merr formë me metodën e re të matjes së konsumit
Intervistë me Fisnik Osmanin, Kryeshefin Ekzekutiv të NP “Termokos” rreth faturimit të ngrohjes këtë sezon dhe zgjerimit të rrjetit.
Nacionale: Tash e disa vite po paralajmërohet se faturat e klientëve të “Termokos” do të ndryshojnë dhe do të bazohen në konsum e jo metra katrorë. Kur nisë ky lloj faturimi?
Osmani: “Termokos” është në fazën finale të përgatitjeve për nisjen e faturimit sipas konsumit. Me ndihmën e Qeverisë amerikane, përkatësisht agjencionit federal MCC, që ka investuar afër 10 milionë dollarë në tërë projektin, prej konsulencave fillestare e deri te instalimet si dhe mbikqyrja teknike dhe kontraktuale, tashmë 17500 banesa kanë përfituar pajisje gratis, që janë instaluar për 2 vjet. Krahasuar me vendet në rajon, ky ka qenë një sukses i madh, falë investimit amerikan dhe punës së ekspertëve të “Termokos”, që e kanë ndihmuar këtë proces në tërësi. Tani, nga ky sezon i ngrohjes 95% të këtyrë klientëve do të fillojnë të paguajnë sipas konsumit, e jo me metodën e vjetër sipas sipërfaqes ngrohëse. ZRRE është në fazë të konfirmimit të tarifave të ngrohjes dhe “Termokos” është gati për të nisur me metodën e re të faturimit nga ky sezon ngrohës. Është me rëndësi të ceket se do të kemi sfida, me siguri se aty këtu do të ketë edhe ndonjë problem teknik për shkak të volumit të madh të instalimeve, por pajisjet dhe i tërë sistemi është digjital, që do të na lejoj një kontroll dhe përmirësim të cfarëdo problemi teknik në periudhën fillestare.
Nacionale: Sa do të jetë kostoja e një fature me konsum krahasuar me më herët? A do të kenë konsumatorët më pak shpenzime për ngrohje?
Osmani: Tarifa nuk përcaktohet nga “Termokos”, por nga Zyra e Rregullatorit për Energji, dhe ata gjithsesi se kanë bërë monitorim të testimit, çmimeve dhe konsumit për të ardhur tek një mesatare, që fokusohet në të drejtën e qytetarit të shpenzojë aq sa dëshiron dhe të faturohet vetëm për aq sa shpenzon. Dua të heq një dilemë: faturimi i ri nuk garanton, që disa banorë do të paguajnë më pak, por garanton që ata që kursejnë do të paguajnë më pak se ata që nuk kursejnë. Sipas hulumtimeve të bëra nga konsulenca, diku rreth 40% të banesave në Prishtinë viteve të shkuara ka hapur dritaret si mënyrë e kontrollit të ngrohjes, sepse nuk kanë pasur koka termike apo edhe nuk kanë pasur ndonjë shtysë për të kursyer. Kjo ka qenë situatë absurde, sepse të gjithë banorët kanë pasur ngrohje non-stop, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, pavarësisht se a kanë qenë në shtëpi apo jo, pavarësisht a ka qenë moti i ngrohtë a jo, ndërsa disa nga diaspora kanë paguar edhe pa qenë fare në Kosovë.
Nacionale: A do të jenë të përfshirë të gjithë klientët e juaj në këtë sistem digjital të faturimit sipas konsumit?
Osmani: Ne do të fillojmë me afro 17500 klientë, por dy vitet e shkuara ne kemi pasur shumë sukses në zgjerim të rrjetit dhe këta klientë të rinj, me mijëra prej tyre do të faturohen sipas metodës së vjetër. Donacioni i MCC fillimisht ka paraparë 12,000 pastaj 14,000, dhe përfundimisht 17,500 familje janë përfituesit direkt të këtij projekti, ndërsa ne si menaxhment kami marrë detyrë edhe nga ZRRE, që të kujdesemi, që instalimet të vazhdojnë në vitet, që po vijnë ashtu që 100% e familjeve të kenë të drejtat e barabarta dhe mënyrën e unisuar të pagesës sipas konsumit.
Kemi biseduar me disa klientë, që kanë përfituar pajisje, dhe thonë së temperaturat janë shumë të larta, por disa tjerë thonë se për dallim nga vitet e mëhershme, pajisjet e instaluara kanë ndikuar në uljen e temperaturave në radiator. Cila është e vërteta?
Osmani: Duke iu kursyer nga detajet teknike, duhet te përmendim që parametrat termik, ndryshojnë në disa nënstacione/objekte apo edhe lagje edhe si pasojë e vet efiçencës energjetike të objektit apo vjetërsisë së rrjetit gypor. Prandaj, ky projekt ka përfshirë instalimin e valvulave balancuese, alokatorëve, që masin temperaturën individuale të radiatorëve dhe njehsorëve. Çdo banesë do ta ketë shpenzimin dhe matjen individuale. Por, ne kemi një problem, ndoshta më shumë të shprehive, që jemi mësuar të kemi temperatura të larta, deri 30 gradë brenda njësive të banimit dhe pastaj t’i hapim dritaret, kur bëhet tepër nxehtë. Kjo sjellje nuk është normale sepse temperaturat – sipas rregullit të konformrit termik, por edhe rekomandimit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e kalojnë 21-22 gradë celzius.
Prandaj, ne synojmë t’i sigurojmë/garantojmë temperature në domenin 25-26 gradë Celzius, por në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë të ketë temperatura sipas praktikes që është bërë nga paralufta, pa kontroll, pa mundësi të faturimit dhe me shpenzime enorme të energjisë termike. Pra, ftesa ime do të jetë që njerëzit thjeshtë të fillojnë t’i ndryshojnë shprehitë dhe ta kursejnë ngrohjen ashtu siç e kursejnë ujin apo rrymën. Ngrohja është shërbim, që paguhet dhe jo të keqpërdoret.
Çka nëse faturat vijnë më të larta për konsumatorë se më parë? A keni paraparë ndihma për rastet sociale, etj?
Osmani: Më duhet ta përsëris, nëse zvogëloni shpenzimin, nëse e ndalni ngrohjen kur nuk jeni në shtëpi, nëse jeni duke fjetur apo thjesht në shkollë apo punë, nëse jeni të vëmendshëm me ngrohje ashtu siç jeni me rrymë, fatura do të vije më e ultë. Kemi bashkëpunim model me ZRRE-ne, të cilën po e furnizojmë me të dhëna reale nga testimet e vazhdueshme dhe presim që në tarifën e sezonit të ardhshëm të kemi model të pranueshëm – cmim reflektiv për konsumin real, pra nuk dëshirojme – madje refuzojmë të ngarkojmë Qytetarët e Prishtinës me cmim të lartë dhe faturë të papërballueshme. Aktualisht, ZRRE po i përpunon të dhënat dhe sigurisht kujdeset që të krijohet balans midis nevojës së kursimit si dhe të hyrave të garantuara për “Termokos”.
Cilat janë risitë tjera nga “Termokos”? A do të zgjeroheni në lagje tjera? Ku është projekti i ngrohjes solare i premtuar vite më parë?
Osmani: Zgjerimi i rrjetit, për ne, është process dinamik dhe i vazhdueshëm. “Termokos” është në proces të realizimit të projekteve kapitale, që janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e ndërmarrjes dhe para së gjithash për sigurimin e ngrohjes cilësore për mijëra qytetarë të Prishtinës. Janë duke u zvhvilluar procedurat përgatitore për realizimin e Projektit për dyfishimin e kapaciteteve si dhe projektit “Solar 4Kosovo”, me realizimin e të cilave do të sigurohen kapacitete shtesë, që do të na mundësojnë të shtrijmë rrjetin e ngrohjes edhe në lagjet tjera, ku aktualisht nuk është i shtrirë rrjeti i ngrohjes.
Projekti “Solar4Kosovo”, që një nga projektet më të mëdha për nga kapaciteti në Evropë, që do të na sigurojë 50 Mw energji termike dhe do të mundësojë zgjerimin e rrjetit edhe tek 12 mijë konsumatorë të rinjë të lagjes “Arbëria” dhe “Tophane”. Aktualisht, është duke u kompletuar dokumentacioni i nevojshëm, pajisja me lejet përkatëse, që do t’i paraprijë procedurave tenderesue për përzgjedhjen e operatorëve për realizimin e punëve në terren.