T'i heq, a mos t'i heq? Si po lufton Kurti me veten për çështjen e barrikadave - NACIONALE

T'i heq, a mos t'i heq? Si po lufton Kurti me veten për çështjen e barrikadave

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Kur ndalet e kujton se kush ishte, apo se kush paraqitej të ishte, patjetër që Albin Kurti vendos të mos pres më nga KFOR-i, e ti heq barrikadat që kanë bllokuar rrugët tash e 15 ditë në veri.

Fundja, nëse rikthehemi pak në kohë, edhe ne do e prisnim një gjë të tillë nga ai. Por ama, tani gjërat për të nuk janë aq të lehta sa mund të kenë qenë në kohën kur ishte në opozitë. Prandaj, mendimi për t’i hequr pa e pyetur askënd, Kurtit mund t’i sjellë vetëm pak nostalgji për të shkuarën. Atëherë kur ishte i lirë të sillej me gurë në xhepa, ndërsa shante ndërkombëtarët. Tani është kryeministër, siç ishte Thaçi dikur.

Atë kohë ishte e thjeshtë, gjithçka që thonin a kërkonin ndërkombëtarët s'duhej të pranohej. Ata që e pranonin ishin të korruptuar e të dirigjuar nga kushedi se kush, e ai ishte i bindur që po të ishte vetë në pushtet, s'do të nënshtrohej kurrë.

Nejse, duket se më në fund Kurti ka vendosur të bëhet i dëgjueshëm, kohët e fundit qasja e tij ndaj situatave, për shumë që e kanë njohur prej kohësh është bërë befasuese.

Pas vendosjes së barrikadave në veri, hap që pasoi nga arrestimi i ish-policit serb Dejan Pantiç, si i dyshuar për shpërthimet në KQZ, kryeministri Kurti, doli e tha se për të krijuar siguri, e për të mos rrezikuar jetën e askujt, i ka dhënë kohë KFOR-it që ata të merren vetë me heqjen e tyre.

Megjithatë, u bënë dy javë e në këtë drejtim KFOR-i ende s’ka bërë ndonjë hap. Në fakt, së fundmi doli e tha se kjo çështje duhet të zgjidhet me dialog, duke lënë të nënkuptohet se nuk do të ketë heqje të shpejtë të barrikadave nga ana e tyre.

Tani, Albinin që e njihnim të gjithë ne, s’do pyeste shumë për KFOR, EULEX a ndërkombëtarë, ai do bënte gati njësitë me gurë e vezë e çka të kishte, e bile vetë si prijës do të nisej për në veri. Por, sot u mjaftua duke thënë se, “kjo situatë s’tolerohet më, duhet ta kemi shpejtë një takim me KFOR-in”.

Patjetër, mendoj që qasja e tij është shumë në rregull, kjo situatë nuk mund të zgjidhet ndryshe veç në bashkëpunim me aleatët, por duke kujtuar të kaluarën, s’është që qëndrimi i tij s’na fut në konfuzion.

Çfarë po ndodhë? Kurti kishte thënë se do e shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e vendi. Pse po pret?

Pra, natyrshëm shtrohet pyetja se si ka mundësi që Kurti që se di se çka është presioni, po rri e po pret nga KFOR-i që të marrë në dorë një situatë që po zhvillohet brenda territorit të Kosovës.

“Për siguri” tha, mirë, e drejtë, ama kujtojmë që pikërisht për një ‘kauzë’ të tij, që në fakt ishte kundër ndërkombëtare, në vitin 2007 patën dhënë jetën dy persona. E ajo që më bën të shkruaj, s’janë qëndrimet e tij tani, janë qëndrimet që do t’i kishte nëse një situatë e tillë, le të themi do të përjetohej në kohën e Thaçit.

Prandaj, s’është që s’do të donim ta shihnim Kurtin duke dalë e duke thënë se tani është njoftuar edhe me presionin, edhe me nënshtrimin, edhe me realitetin. Të paktën të thoshte, se nuk i mungojnë dëshira e trimëria për të shkuar në veri, por se i duhet të presë amerikanët.

S’do e fajësonim, patjetër që është i detyruar, se edhe për transport të policëve iu desh të kërkojë si borxh një fluturim me helikopter. Kosova s’ka helikopter. Biles tani kur u bë e ditur se ka kërkuar edhe transferin e policit serb të arrestuar, kërkesë që i është refuzuar. Ohooo Kurti si opozitar do bënte namin.

Tre P-jave të Milaim Zekës, me vjen t’ia shtoj edhe një P. Pushteti. Dëshira e Kurtit për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, duket se e ka bërë më të dëgjueshëm se kurrë dhe ne s’mund të ishim më të kënaqur se kaq me këtë gjë – me dëgjueshmërinë e tij domethënë. Por thjesht, po rikujtonim atë që do të bënte Kurti i ca viteve më parë. Atëherë kur flinte rehat, me një bindje të qartë – e gabuar a jo – e cila e bënte të merrte rrugë pa frikë. Por tani, ky i riu duket se s’po fle më rehat, mendimet a t’i qëndroj besnik vetes sime të dikurshme e të heq barrikadat, a jo, po e bëjnë të luftojë me veten.

Diku diku në këto mendime, ka mundësi që t'i kujtojë edhe parardhësit e tij e të bëjë edhe empati me ta. E ngadalë mund ta shohim duke rrëshqitur te qetësia që ofron bindja ndaj të tjerëve, duke u bërë pikërisht ai që ka thënë se s'do të bëhej kurrë.

Lajme të ngjashme