Thmitë e Hamasit - NACIONALE

Thmitë e Hamasit

2 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Është një vijë e hollë, pothuajse e pashqueshme, mes Hamasit dhe VV-së.

Krahasimi mes tyre është paradoksal në formë, por jo në thelb.

Të parët e gërmadhuan çdo lloj shprese të vagëllimtë për shtetësi duke u hedhur në krahët e kauzave vetëshkatërruese nën nanuritjet nga larg të Iranit.

Të dytët vetëm aksidentalisht qëlluan ta kishin shtetin që e bënë të tjerët.

Të parët i bënë kurban fatet njerëzore duke e zhdukur me kast realitetin e një bote që vepron me sharte, me dije e me mençuri.

Të dytët e bënë kurban vendin e tyre duke e lënë fikall vetë e pa asnjë aleat perëndimor.

Të parët investuan edhe kacidhen e fundit për bunkerë e raketa që armikut t’i çonin selame gjaku. Kur gjuanin raketa në “tokën armike”, rrugët dyndeshin nga njerëzia që festonte të bëmat me hallvë e bakllava falas.

Të dytët para Perëndimit e zgjodhën një mashtrim kolektiv pas sovranizmit fiktiv. Kërcenin zhveshur në brekë nga urat e Ujmanit se kështu duhej të shfaqej militanti sovranist, ndërtonin buste të bronzit për liderin, kërcenin me dajre e lodra.

Nëse do të nxirrej nga bunkerët e gjirizët udhëheqja e mbetur e Hamasit e po të bëhej bashkë me marshallët e regjimit albinkurtist, atëherë do të ngjante diçka qesharakisht bizare.

Ata do të kuptoheshin mirë mes vete pa pasur nevojën e një përkthyesi nga shqipja në arabçe e anasjelltas.

Tek të dyja palët do të gjente miratim vizioni kriminal që fëmijët të energjizohen dhunshëm me ngarkesa ideologjike e politike.

Edhe Hamasi, edhe VV-ja, i dashurojnë paradat ku liderët tuca marrin zemër tek shohin popullin pabuks tek marshon me hapa ushtarakë.

Paradat e një populli të militarizuar me urrejtje do të ishin të paplota nëse nuk do të kishin edhe kalamaj e vocërrakë që nxjerrin me zë fëmijëror vrerin e prindërve qena.

Ideologjia e vetëshkatërrimit gjithmonë gjen edhe fëmijë që janë të pararekrutuar nga prindër idiotë.

Nuk janë sefte skenat perverte si ajo e djeshmja ku me recitime fëmijësh vallëzonte makabriteti ideologjik i një partie antishqiptare.

Të tilla ka pasur edhe më 2020 e 2021 ku njerëzit e traumatizuar nga izolimi pandemik ishin rrëmbyer nga një zekth çmendurie.

Ata i vinin fëmijët e vegjël për të recituar për Albin babën e për t’i truar armiqtë e tij.

Megjithatë, secila analizë do të merrte në thua nëse krejt këto maskarallëqe i sheh vetëm si prodhim i një bote të rrotulluar përmbys nga VV-ja.

Të jemi të sinqertë, megjithë vullnetin pervert, me spiunë të saj, sisteme perfide manipulative e me regjim të vetin, VV-ja nuk i detyron aspak prindërit që t’i japin vullnetarë evladët e tyre për pak minuta inskenim pervert.

Natyrisht, partia-shtet nuk i refuzon vullnetarët e tillë, por ja që gjendja është asisoj që edhe po të duam se nuk gjejmë asnjë evidencë ku të jetë kërkuar një perversion i tillë.

Kjo na vë përballë një honi niçean ku e shohim vetveten në shëmtinë e qenies.

Në një peshore ku maten dy të këqija, një shoqëri lariçkë e një regjim shpirtqen, e para do të rëndonte më shumë.

Me ose pa albinkurtizëm, shoqëria jonë i ka banorë të motshëm ata që majmunërohen para çdo autoriteti.

Le ta hallakasim historinë e re me ndonjë shembull domethënës.

Kur Perandoria Osmane i dogji me zjarr e hekur vilajetet shqiptare, më 1910 e 1911, ata në fund vendosën ta zbusnin pak imazhin e tyre kriminal.

Kështu u paralajmërua vizita e parë e një sulltani në Kosovë, dhe, jorastësisht, u zgjodh 15 qershori si datë ku do të kremtohej miti turk për Kosovën, domethënë betejën e 1389-s.

Megjithëse propaganda xhonturke i dha zor propagandës se në mitingun te tyrbja në Mazgit do të mblidheshin 400 mijë njerëz, aty me mezi dolën 10 mijë vetë që e falën namazin me ‘kalifin’.

Ashtu siç janë turqit mjeshtër për të bërë skena patetike, ushtarët me feza u porositën që të përqafoheshin me popull duke thënë “kardeş olduk” (u bëmë vëllezër).

Dhe mu në këtë manifestim patetik doli dikush që t’i linte vulë të përjetshme servilitetit popullor.

Nga ai rrëmet njerëzor doli një fshatar që i dhuroi sulltanit atë që e kishte si më të shtrejtën pasuri: një bollicë e bardhë si bora.

Por kjo bollicë e blerë në Bivolak mënt sa nuk e prishi xhumanë.

Ministrat e sulltanit nuk u përmbajtën nga të qeshurat për “bejaz nanda” (bollicën e bardhë) se sikur përshtatej me sulltanin e thinjur.

Fshatarit tonë ia dhanë për sevap 25 lira.

Lajme të ngjashme