“Albin baba”, “Ju vraft Zoti e Allahu, o kriminela” Qysh e keqpërdori Kurti një fëmijë në fushatë?
Një ngjarje e ndodhur gjatë një tubimi zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri ka nxitur reagime në skenën politike, pasi kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, ftoi në skenë një fëmijë që recitoi një tekst me përmbajtje ofenduese dhe mallkuese ndaj kundërshtarëve politikë.
Në videon e shpërndarë nga tubimi, fëmija dëgjohet duke përdorur shprehje si “ju vraft Zoti, ju vraft Allahu”, ndërsa recitimi përfundon me thirrjen “Albin baba”, gjë që ka nxitur kritika nga përfaqësues të partive opozitare.
Video nga Radio Star:
Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e cilësoi rastin si të papranueshëm dhe të neveritshëm, duke theksuar se fëmijët duhet të mbrohen nga politika dhe jo të përdoren për qëllime propagandistike.
“Fëmijët duhet të jenë të mbrojtur nga politika, jo të përdoren si mjete propagande në tubime partiake. Në vend se ta mbrojë nga politika, e përdor për politikë. Fëmijët nuk janë rekuizita fushate. Nuk janë instrumente për kultin e individit. Nuk janë mjet për të prodhuar emocione apo duartrokitje”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka shtuar se fëmijët duhet të mbeten gjithmonë jashtë betejave politike, pavarësisht se nga cila parti vjen veprimi.
Reagime pati edhe nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, e cila publikoi një video të diktatorit komunist Enver Hoxha me titullin “Enver Hoxha – Koha kur fëmijët recitonin dhe populli brohoriste”, duke e shoqëruar me komentin e shkurtër: “Pa koment”.
Çështja ka hapur debat edhe për aspektin ligjor të përfshirjes së fëmijëve në aktivitete politike. Legjislacioni në Kosovë dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve kërkojnë që interesat më të mira të fëmijës të jenë prioritet dhe që ata të mos ekspozohen apo instrumentalizohen për qëllime politike, propagandistike apo partiake. Organizatat që merren me mbrojtjen e fëmijëve kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për përfshirjen e të miturve në fushata zgjedhore, duke theksuar se fëmijët duhet të mbahen larg aktiviteteve që mund t’i ekspozojnë ndaj manipulimit politik ose presionit publik.
Ngjarja në Vushtrri ka rikthyer në vëmendje debatin mbi kufijtë e fushatave elektorale dhe përgjegjësinë e subjekteve politike për të respektuar të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve gjatë aktiviteteve publike.