Të konvertohesh në albinkurtizëm – feja e ekstremizmit - NACIONALE

Të konvertohesh në albinkurtizëm – feja e ekstremizmit

7 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Col MEHMETI

Vota për Vetëvendosjen e për Kurtin është i vetmi mekanizëm i individit për ta hequr qafe atë.

Ky është njëmend paradoks kolosal!

Si është e mundur që edhe mbështetës aktivë e pasivë të ndjehen të torturuar, të velur e të lodhur prej mbipranisë së tij?

Kurti për dy dekada ka qenë herald i të këqijave, vizioneve të ngrysura e pesimiste dhe zërues i një botëpamje mistike për jetën.

Në anglisht këto soje halogjene gjuhësohen si doomsayer, prophet of doom dhe doom-monger.

Ndjellakeq ose kobzi po të hapej sënduku i shqipes tashmë të harruar.

Vota për të ka qenë njëfarë shprese e vakët e individit që ta hermetizonte disi veten prej tij, ta jashtësonte atë prani toksike e atë zë nervacingëritës.

Vota nuk bartte më funksion ndryshimi, por e merrte bestytçe rolin e një hajmalie mbrojtëse ndaj vetë Kurtit.

Ç’është e vërteta, kjo është filozofia e thjeshtë e demokracisë ku vota për filanin e fistekin është një mveshje me fuqi për t’iu bërë derman halleve.

Askush nuk do të votonte politikanin lypsar, i cili edhe pas marrjes së votës, do t’i sulej po të njejtës derë duke i dërdëllitur pambarim të njëjtat probleme.

Dhe Kurti është ajo prani e mallkuar që të mbetet në derë.

Votuesi i Vetëvendosjes, veçmas ai oportunist që as nuk nxori jargë nga goja e as nuk i dha zor si të tjerët, nuk ndjehet rehat kur prapë ky Albin i diftohet njësoj torturues si një xhind i keq i dalur prej shishes.

Kjo është një nga arsyet pse mediat që bëjnë disidencë aktive ndaj Kurtit dhe regjimit të tij janë në disavantazh.

Votuesi nuk do pasqyrë që ta shohë veten e molisur e as nuk do ta shohë në pasqyrë Kurtin.

Prandaj, ai tërbohet, prandaj secilin medium kritik e përjeton si një zë gjykues që ia kujton kompromisin e rëndë moral që bëri kur lidhi pakt me djallin.

Nëse për pak çaste e ndan mendjen që ta mbrojë Kurtin, atëherë si t’i dilet në krye kësaj pune?

Gjithçka e tij ngjan aq qesharake sa asnjë lloj avokatie nuk është e mundur pa e paguar çmimin personal të shndërrimit të vetes në lolo, bufon e karagjoz.

Ka edhe një soj tjetër njerëzish që kurrë nuk ishin me Vetëvendosjen e me Kurtin, por brenda ditës i gjen të konvertuar në shartet e tij.

Cilat janë shenjat e konvertimit në fenë e regjimit, në vëvëizëm, nëse do të sajonim një fjalëre?

Fillimisht, robin e kaplon një krizë e rëndë me veten.

Ndjenja e përhumbjes i shtohet kur çdo ditë merr në thua me një jetë që i sjell veçse makth ekzistencial, stres dhe depresion.

Jeta nën regjimin e Kurtit është bërë e padurueshme dhe asgjë, as llokmet me sadakë, nuk e përballojnë e as nuk shtyhen me shtrenjtësinë.

Paradoksalisht, regjimi e ka nën sundim shoqërinë mbase më ekstremiste në gjithë Evropën.

Një porcion i madh i saj është në gjendje të flijohet në mbrojtje të secilit politikan të zhyer të regjimit.

Robi që brenda vetes është rebeluar duke u plandosur në krahët e krizës internale, sakaq e gjen veten përballë një presioni social.

Ky presion është i tillë që rebelin e asimilon në një ‘fe’ që tek regjimi sheh një model të drejtë që nuk ka pse jep përgjegjësi për mjerimet personale.

Kështu, rebeli, viktimë e regjimit batakçi, shndrrohet në një konvert që e mbron regjimin dhe që truan kundërshtarët e regjimit.

Me veten e transformuar, konverti shpesh di të jetë fanatik e me furi kafshe që nuk pyet për ndjeshmëritë e të tjerëve, që rrënon marrëdhëniet familjare e shoqërore, duke lënë kudo tragat e një panjerëzie të frikshme.

Kështu, të papunët e të pashpresët, viktima të drejtpërdrejta të regjimit albinkurtist, bëhen vala e parë e të konvertuarve në fenë e re.

Çuditërisht, pas presionit të shumënduartë social, regjimi shpesh edhe ua kreh bishtin digjitalisht.

Komunikimi digjital sot është e vetmja prani e tjetrit.

Mjafton ta thuash vetëm një fjalë të mirë për Kurtin e për rrethin e tij, dhe ti do të mbulohesh me ndere digjitale, me pëlqime, zemra e përqafime virtuale.

Sa thjesht, sa qesharakisht e sa tragjikisht!

Lajme të ngjashme