KDI: Skadimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit, çështje e drejtpërdrejtë kushtetuese
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës u ndërpre sërish, pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, refuzoi të propozojë emrin për kryeparlamentar, duke kërkuar më shumë kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka konsideruar absurde dhe të papranueshme situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se afati detyrues 30-ditor ka përfunduar pa u konstituuar Kuvendi.
“Brenda këtij afati, LVV-ja nuk e ushtroi të drejtën dhe përgjegjësinë ekskluzive për të propozuar kandidatin për Kryetar. Edhe pas skadimit të afatit, ajo refuzoi sërish ta paraqiste kandidaturën dhe kërkoi kohë shtesë, duke e vazhduar me vetëdije bllokadën institucionale”, shkruhet në reagimin e KDI.
KDI ka theksuar se skadimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit ka krijuar një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese sa i përket vlefshmërisë së procedurës së mëtejshme.
“Skadimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit ka krijuar një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese për vlefshmërinë e procedurës së mëtejshme. Një kandidaturë e paraqitur me vonesë, një ndërprerje e re 48-orëshe apo një marrëveshje eventuale politike nuk mund t’i fshijnë vetvetiu pasojat e mosveprimit brenda afatit. Asnjë subjekt politik nuk mund t’i përcaktojë njëanshëm këto pasoja apo të përpiqet t’i zgjidhë ato përmes krijimit të një fakti të kryer. Kjo kompetencë i takon Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës”, thuhet tutje në reagim.