Tbilisi dhe Prishtina – larg por shumë afër - NACIONALE

Tbilisi dhe Prishtina – larg por shumë afër

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Ardita Dushi

Ani pse nuk jam ndonjë adhuruese e futbollit, kampionatet e rëndësishme si ky i fundit, edhe i përcjelli me raste. Kështu edhe më rastisi ditë më parë të shoh një ndeshje ku lunte përfaqësuesja e Gjeorgjisë. Gjeorgjinë e pata vizituar në vjeshtën e vitit 2016, më pati lënë përshtypje shumë arkitektura po thuajse e pa prekur sovjetike ani pse kishin kohë që kishin kthyer kokën në të perënduar të diellit.

Arritja e kësaj kombëtareje në kampionat evropian, më shtoj kureshtjen të hulumtoja pak për jetën publike e politike të Gjeorgjisë në këto vitet e fundit. Dhe....taaadaaa ani pse 2 mijë e kusur kilometra distancë mes Tbilisit e Prishtinës, ngjashmëri politike, paralelizma e analogji sa për një jetë të tërë.

Sipas raportimeve të fundit, një Gjeorgji relativisht e lirë, e pavarur dhe demokratike po numëron ditët e fundit.. Në zgjedhjet e tetorit, ky vend ka gjasa të bëhet përfundimisht një autokraci proruse, një Bjellorusi në Kaukaz, pra një guberni e Putinit.

Në pushtet në Gjeorgji në vitin 2012 erdhi një parti populiste e quajtur “Ëndrra Gjeorgjiane” (“Kartuli otsneba”) e themeluar nga miliarderi dhe oligarku Bidzina Ivanishvili (emri i partisë rrjedh nga një këngë hip-hop e djalit të tij Bera). Dhe që me kalimin e kohës ka kapur shtetin dhe institucionet e tij, përfshirë gjyqësorin, mediat, universitetet, organet rregullatore dhe komisionet zgjedhore.

A po ju tingëllon edhe juve si mua diçka e njohur?!

Ëndrra Gjeorgjiane e paraqet veten si mbrojtës të fesë dhe traditës gjeorgjiane, dhe të paqes dhe stabilitetit, përkundrejt vlerave perëndimore, “qendrave të fuqisë” dhe “ndikimeve të huaja” (përveç atij rus). Nga ana tjetër, në Gjeorgji prej muajsh kanë vazhduar protesta masive antiregjim dhe pro-evropiane që kryesohen kryesisht nga të rinjtë. Pra, ky vend është aktualisht në një udhëkryq, dhe e ardhmja e tij varet nga forca e opozitës, shoqërisë civile dhe të rinjve për t'u bashkuar dhe për të kundërshtuar një regjim të korruptuar, autokratik dhe prorus.

Por le të fillojmë me radhë. Për ata që kanë pak haber nga gjeografia politike, Gjeorgjia është një vend malor në Kaukaz dhe numëron rreth 3.7 milionë banorë. Kufizohet me Rusinë në veri dhe verilindje, Turqinë dhe Armeninë në jug, Azerbajxhanin në juglindje dhe ka dalje në Detin e Zi në perëndim. Ashtu si Kosova, edhe Gjeorgjia ka qenë gjithmonë një “kryqëzim rrugësh” i famshëm midis Lindjes dhe Perëndimit.

Në historinë e saj, Gjeorgjia ka qenë nën sundimin e Bizantit dhe Turqisë, që nga viti 1801 bëhet pjesë e Perandorisë Ruse, dhe më pas pjesë e BRSS (1922). Nga Rusia ndahet dhe bëhet shtet i pavarur në prill të vitit 1991.

Megjithatë, pasuan kriza ekonomike të tmerrshme, paqëndrueshmëri politike dhe luftëra për shkëputjen e rajoneve të ndryshme gjeorgjiane. Deri në “revolucionin me ngjyra” (“Revolucioni i Trëndafilave”) të nëntorit 2003, Gjeorgjia ishte ndër shtetet më të korruptuara në botë. Demonstruesit atëherë “më 5 tetor” hyjnë në parlament, autokrati prorus Shevardnadze jep dorëheqjen dhe Gjeorgjia më në fund kthehet drejt Perëndimit, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke nisur shumë reforma demokratike . E gjithë kjo ka qenë dhe mbetet e padurueshme për Rusinë dhe Vladimir Putinin, kështu që në vitin 2008 shpërthen lufta Rusi-Gjeorgji.

Rusia pushton dhe deri më sot kontrollon pjesë të rëndësishme të Gjeorgjisë (Abkazia dhe Osetia e Jugut), dhe ndikon ndjeshëm në politikën dhe shoqërinë e këtij vendi të munduar.

Dhe tani, pas një kursi të shkurtër proevropian dhe pro-perëndimor (2003-2012), gjithashtu të mbushur me korrupsion të lartë (i shoqëruar me zhgënjim të përgjithshëm të qytetarëve), në vitin 2012 në pushtet në Gjeorgji vijnë nacionalistët dhe populistët nga Ëndrra Gjeorgjiane.

Ndryshimet e para nisen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ( edhe kjo po ju tingëllon e dëgjuar a po?!) për shkak të të cilave të gjitha zgjedhjet e ardhshme në Gjeorgji u bënë të padrejta dhe jodemokratike. Së fundi, Ëndrra Gjeorgjiane mori pothuajse të gjitha mediat shtetërore dhe private, duke kontrolluar narrativën mbizotëruese, demonizuar opozitën dhe përndjekur gazetarët e pavarur.

Kush do të mendonte se kjo është e mundur?

Për më tepër, kjo parti filloi sulmin e saj ndaj pushtetit dhe shtetit si një parti pro-evropiane e qendrës së majtë. Ndërkohë, është shndërruar në një parti jashtëzakonisht konservatore, proruse dhe antievropiane në mision të rremë për të mbrojtur dhe ruajtur “vlerat tradicionale”, të ndryshme nga Perëndimi. Qëllimet e saj formale mbeten ende “integrimet evropiane” – por “sipas rregullave gjeorgjiane”.

Themeluesi dhe lideri i saj faktik Ivanishvili sot është vetëm “presidenti nderi” i Ëndrrës Gjeorgjiane, por mbetet figura qendrore e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë gjeorgjiane. E vetmja fushë që është jashtë kontrollit të Ëndrrës Gjeorgjiane është shoqëria civile.

Opozita atje konsiderohet si “forca të kaosit dhe çmendurisë” që veprojnë kundër interesave të shtetit dhe popullit, dhe në interes të fuqive perëndimore.

Më pas, Ëndrra Gjeorgjiane luan “lojë të dyfishtë” në politikën e jashtme – formalisht dhe para Perëndimit është e përkushtuar ndaj integrimeve evropiane, ndërsa në vend aktivisht minon këto procese dhe e shtyn shtetin në përqafimin rus. Komunikimi midis autoriteteve dhe opozitës nuk ekziston. Reformat janë praktikisht ndalur. Korrupsioni dhe krimi i organizuar lulëzojnë.

Dhe kështu me radhë, analogjitë dhe ngjashmëritë janë të panumërta. Edhe nëse kishim ndryshu emrat e vendeve në këtë tekst, ( përjashto vitet) pak kush do ta vërente ndryshimin. E vetmja gjë është se të rinjtë gjeorgjianë protestojnë në rrugë duke kërkuar Gjeorgjinë në Perëndim, gjë që nuk ndodh te ne, për asgjë.

Me gjithë bisedat për identitetin, sovranitetin dhe traditën, ndoshta nuk jemi aq të veçantë sa na pëlqen të mendojmë?

Me fjalë të tjera, kjo recetë për qeverisje është aq e kopjuar sa është pothuajse (tragji)komike në origjinalitetin e saj të munguar.

Do zoti, nuk ndodhë : shiheni Gjeorgjinë – aty do të takohemi ju dhe unë.

Lajme të ngjashme