Sot Kosova funksionon, por nuk ec – shteti lëviz, por pa drejtim - NACIONALE

Sot Kosova funksionon, por nuk ec – shteti lëviz, por pa drejtim

3 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Dardan Sejdiu

Për një çerek shekulli kemi jetuar me iluzionin se ndryshimi po ndodh. Me secilën qeveri të re kemi besuar se më në fund po hynim në epokën e zhvillimit, të drejtësisë, të normalitetit. Por në fakt, gjithçka që kemi ndërtuar është një sistem që e mban vetveten gjallë, jo qytetarin.

Partitë politike janë bërë si uzurpator të ligjshëm, të cilëve ua kemi dorëzu me vullnet dhe votë mirëqenien, shpresat dhe të drejtën tonë për të menduar ndryshe. E kemi bërë pa shumë rezistencë, sepse është më e lehtë të shpresosh sesa të ndryshosh.

Edhe unë kam qenë pjesë e këtij cikli. Si shumë të tjerë që kemi hyrë në politikë me idenë e shërbimit publik, por kemi përfunduar duke menaxhuar të njëjtin sistem që duhej ta ndryshonim. Sepse politika e Kosovës s’e zhduk problemin, e riciklon. Ndryshon fytyrat, ministrat, bizneset, por jo logjikën.

Pas çdo palë zgjedhje, i njëjti skenar: krizë, ankesa, arsyetime, akuza, pritje e zhgënjim. Qeveritë po vijnë e ikin, por mënyra e të menduarit po mbetet e njëjtë, reagim në vend të drejtimit.

Sot Kosova funksionon, por nuk ec. Shteti lëviz, por pa drejtim. Ekonomia rritet, por ngadalë e pa strukturë. Institucionet ekzistojnë, por qytetarët s’kanë më besim në to. Kjo s’është krizë e as shembje, por diçka ma e heshtur e edhe ma e rrezikshme: stagnim që ndihet si normalitet. E sheh në burokracinë që ka frikë prej iniciativës, në sektorin privat që përshtatet në vend se me kriju, e në një shoqni që pret gjithnjë e më pak. Sepse për vite me radhë, partitë politike e kanë ushqy këtë gjendje, duke mbyt çdo mendim ndryshe, duke e trajtu kritikën si kërcënim e jo si burim të ideve dhe duke e nxit njërin kundër tjetrit. Dhe kur një vend i mbyll dyert për mendimin ndryshe, ai mbyll edhe hapsirat për zhvillim.

Në një vend të vogël si Kosova, roli i qeverisë s’është me shpërnda, por me shumëzu. Shteti s’duhet me u sill si prind që ndan para, por si arkitekt që sheh planin, krijon kushte dhe mbikqyr ndërtimin. Paraja publike nuk ekziston për me ble qetësi, por për me ndërtu vlerë. Çdo euro duhet me u kthye në diçka që ndërton dije, kapacitete prodhuese, sisteme që funksionojnë. Në vlerë që shumëzohet, jo në konsum që importohet.

Në vend të kësaj, po shohim një shtet që e përdor buxhetin si mjet për qetësi afatshkurtë, jo për zhvillim afatgjatë. Buxhetet po shkruhen për me kënaq aktualitetin, jo për me transformu e ndërtu të ardhmen. Investimi në arsim e inovacion nuk sjell vota menjëherë, prandaj anashkalohet. Deri tash kemi pas qeveri që qeverisin për ciklin elektoral, jo për brezat e ardhshëm, qeveri që e ngatërrojnë heshtjen me stabilitetin. E kur një shoqni pushon me kërku më mirë, atëherë s’mundet edhe me u ba më mirë.

Problemi ma i madh i qeverisjes është humbja e besimit në profesionalizëm. Në shumë institucione, vendimet merren për lojalitet, jo për meritë. Kompetenca është zëvendësu me bindje. Administrata publike punon me frikë, jo me motivim. Kështu ikin njerëzit ma të mirë, jo me migrim në fillim, por me dorëzim. Kosova s’mundet me u zhvillu me militantë, por me profesionistë që e dijnë punën e vet dhe besojnë në shërbim publik.

Politikat sot janë reaktive, menaxhim krizash që e ngatërrojnë mbijetesën me suksesin. Çdo vendim është përgjigje ndaj një problemi të djeshëm, asnjëherë vizion për të nesërmen.

Por asnjë vend nuk është zhvillu me improvizime. Planifikimi, jo paniku, është ajo që krijon qëndrueshmëri. Energjia, arsimi e ekonomia s’mund të trajtohen si ishuj të ndamë. Pa shkolla që prodhojnë aftësi të reja, investimet janë të kota. Pa drejtësi funksionale, kapitali nuk vjen. Pa energji stabile, asnjë industri s’mundet me u rrit.

Kosova ka shumë strategji, por pak koherencë. Çdo ministri ka planin e vet, çdo institucion punon në drejtim tjetër. Paradigma e re duhet me i lidhë këto pjesë në një qëllim të përbashkët: krijimin e vlerës. Kjo është ajo që i jep kuptim fjalës “shtet”.

Ky vend është ndërtu mbi kujtesën e luftës, të lirisë e të pavarësisë. Por një shoqni që jeton vetëm me kujtesë, ngec. E kaluara duhet me u kthye në themel për ambicie, jo në justifikim për mungesë vizioni e pune, e aq ma pak si arsye për me mbajt pushtetin.

Ambicia e re duhet me qenë e qartë: me e kthye Kosovën prej një ekonomie të konsumit në një ekonomi të prodhimit, prej një politike të reagimit në një politikë të krijimit.

Paradigma e re e Kosovës s’është slogan. Është thirrje për seriozitet. Qeverisja s’duhet me u mat me zhurmë, por me efekt. Jo me retorikë, por me punë. Shteti duhet me qenë partner i qytetarit dhe biznesit, jo uzurpator i të ardhmës së tyre.

Për fund, Kosova nuk ka nevojë për shpëtimtarë, por për ndërtues të së ardhmes.

Lajme të ngjashme