Sjellje e dyshimtë në gjyqësorin kosovar: Rasti i gjyqtarit Faton Bajrami
Sjellje e dyshimtë në gjyqësorin kosovar: Rasti i gjyqtarit Faton Bajrami
Shkruan: Gëzim Gashi
Në një zhvillim shqetësues që ngre pyetje serioze mbi integritetin e sistemit gjyqësor në Kosovë, gjyqtari i shkallës së dytë në Gjykatën Komerciale, Faton Bajrami, i njohur për vendimet e tij në raste me profil të lartë ku palë janë entitete qeveritare, ka ngritur shumë dyshime.
Disa burime sugjerojnë se vendimet e tij gjyqësore mund të jenë më shumë se thjesht vendime të paanshme; ato lënë të kuptohet një mundësi shpërblimi nga ana e qeverisë për vendimet e tij në favor të kësaj të fundit me emërime në disa pozita të rëndësishme.
Vëmendja ndaj gjyqtarit Bajrami është shtuar pas vendimeve të tij të çuditshme, të cilat në shumicën e rasteve favorizonin entitete qeveritare ose aleatë të pushtetit.
Vendimet e tij shpesh favorizonin këto entitete, duke përmbysur vendimet e gjykatave të ulëta kundër tyre.
Shembulli më domethënës i kësaj dukurie shihet në në rastin "Rruga A" dhe në mosmarrëveshjen ligjore midis "Dardafon.net" dhe "Telekomi". Kritikët vënë në dyshim një lidhje të vendimeve të gjyqtarit Bajrami të përkojnë me emërimet e tij në pozicione të rëndësishme nga Ministria e Drejtësisë.
Këtu përfshijnë komisione prestigjioze si bordi i "Provimit të Jurisprudencës", emërime të bëra gjatë ose menjëherë pas gjykimit të këtyre rasteve kontroverse. Kjo ngritë një pyetje të pakëndshme: A janë këto emërime thjesht një rastësi, apo një avancim për vendimet e tij të favorshme?
Më tej, vendimet e gjyqtarit Bajrami kanë çuar shpesh në zëvendësimin e gjyqtarëve të shkallës së parë, veçanërisht në raste që janë të lidhura me palë të lidhura me qeverinë. Kjo praktikë e pazakontë ka ngritur dyshime te ekspertët ligjorë, të cilët e shohin si një përpjekje për të manipuluar rezultatet gjyqësore.
Në rastin "Dardafon.net" kundër "Telekomi", vendimi i Gjyqtarit Bajrami për të mos ndjekur Nenin 190, Paragrafi 3 i Ligjit për Procedurën e Kontestuar, që mandaton kundër rihapjes së një çështjeje që tashmë është vendosur tri herë në instancën e parë, është veçanërisht kontrovers.
Qasja e tij selektive ndaj aspekteve të rastit, në favor të atyre kundër "Dardafon.net" dhe për "Telekomi" – të dyshuar si të lidhur me partinë në pushtet – shton dyshimet për paragjykim.
Rasti i Gjyqtarit Faton Bajrami është më shumë se një pyetje e etikës gjyqësore; ai është një test i angazhimit të Kosovës për një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm.
Akuzat kundër tij, nëse janë të vërteta, përfaqësojnë një ndërthurje të rrezikshme të vendimeve gjyqësore dhe favorizimit politik.
Praktikat e tilla jo vetëm që minojnë sundimin e ligjit, por gjithashtu çrrënjosin besimin e publikut në sistemin gjyqësor. Është thelbësore që autoritetet përkatëse të hetojnë në mënyrë të plotë këto pretendime dhe të sigurojnë që drejtësia jo vetëm të bëhet, por edhe të duket se bëhet.
Gazeta i ka derguar një sërë pyetjesh gjyqtarit Bajrami, dhe ai është mjaftuar me një përgjigje të shkurtë, me një gjuhë që më së paku do të duhej ta zotëronte një gjyqtar.
Për ta vlerësuar, po e botojmë përgjigjen ashtu si i ka ardhur gazetës.
“Duke ju referuar emailit qe keni derguar, me pyetje e Nacionales, fillimisht mund te konstatojm se te gjithe pyetjet jane tendencioze dhe te hartuara ne menyre te tille, me qellim qe te demtojn reputacionin, pavaresin dhe profesionalizmin tim te treguar ne menyre konsitet e gjate vendimarrjes. Per te gjithe keto pyetje e kam vetem nje pergjigje dhe atë Kodin e Etikes profesionale per Gjyqtare, te cilit jemi detyruar te i permbahemi te gjithe ne qe jemi pjese e sistemit gjyqesore.”
Dhe mjaftohet duke ofruar citate nga ky kod. Dakord. Por sa e ka respektuar këtë kod gjyqtari Bajrami? Pyetjet nuk janë tendencioze por të bazuara. Ato mund të mos i pëlqejnë gjyqtarit por kjo nuk i bën ato tendencioze.
Për të qenë objektiv, po i listojmë pyetjet që i janë dërguar gjyqtarit, dhe të cilave ai u është përgjigjur me një paragraf të shkruar keq.
Pyetje për Gjyqtarin Faton Bajrami:
• A është e vërtetë që shumica e rasteve ku palë në procedurë janë organet publike apo persona te afërt me partinë e cila udhëheq me pushtetin, janë duke u trajtuar nga ana juaj? Si është e mundur që t’ju caktohen pikërisht juve keto raste?
• A është koincidencë apo e qëllimshme se të gjitha vendimet e marra ku palë janë organet publike apo personat e lidhur me pushtetin, jeni duke i ndryshuar në atë mënyrë që po vendosni në favor të tyre, edhe pse paraprakisht Instanca e Shkallës së Parë ka vendosur në disfavor të tyre?
• Në ndërlidhje me këto vendime, në veçanti vendimi për të ashtuquajturën “Rrugën A” dhe vendimi në çështjen përmbarimore mes kreditorit “Dardafon.net”L.L.C dhe debitiorit “Telekomi”SH.A, a është i rastësishëm fakti se ju jeni emëruar nga Ministria e Drejtësisë në komisione të ndryshme, përfshirë atë për “Provimin e Jurisprudencës”, pikërisht përgjatë kohës kur ju keni qenë duke u marrë me këto vendime?
• A është e vërtetë që ju më parë nuk keni qenë të emëruar në këtë komision, apo ndonjë komision të rëndësishëm si ky, dhe nëse JO, pse pikërisht pas marrjes së këtyre vendimeve ka pasuar me emërimin tuaj në komisioni në fjalë?
• Cila është tendenca dhe si është e mundur që ju ta detyroni Instancën e Shkallës së Parë që ta ndërroj edhe Gjyqtarin për vendosje pikërisht në këto vendime? Në praktikën tuaj si gjyqtar sa kanë qenë dhe janë të shpeshta vendimet ku ju keni vendosur që ta ndërroni gjyqtarin i cili ka vendosur në Instancë të Shkallës së Parë, në veçanti ku nuk ka pasur palë në procedurë të cilët nuk kanë qenë të lidhur me partinë që udhëheq me pushtetin, nëse PO, ju lutem që të na referoheni me raste konkrete?
• Pse në rastin e kreditorit “Dardafon.net”L.L.C kundër debitorit “Telekomi”SH.A, nuk keni përfillur ligjin, duke mos zbatuar nenin 190 par.3 të LPK-së, ku i njëjti ju ka obliguar që çështjen mos ta ktheni në rivendosje sipas prapësimit, për arsye se më parë është vendosur 3 herë në Instancën e Shkallës së Parë?
• A keni mundur që të vendosni në mënyrë meritore lidhur me këtë procedurë si Instancë e Shkallës së Dytë, duke pas parasysh se në Aktvendimin Kom.DH.shk.II.nr.1647/22, të marrë më datë 23.02.2023, ju pikërisht pikën e dispozitivit që është vendosur në disfavor të kreditorit “Dardafon.net”L.L.C (favor të “Telekomi”SH.A e cila udhëhiqet nga njerëz të lidhur me partinë në pushtet) e keni vendosur meritorikisht, kurse pikërisht tërë pikat e dispozitivit që kanë qenë të vendosura në favor të kreditorit “Dardafon.net”L.LC (në disfavor të “Telekomi”SH.A”) i keni kthyer në Rivendosje?
• Pse nuk është kthyer në tërësi në Rivendosje, meqë paska pasur gjëra të paqarta për ju si Instancë e Dytë, e në veçanti kur të gjitha pikat e aktvendimit kanë pasur lidhshmëri të pazgjidhshme me njëra tjetrën? Meqë keni zgjedhur që të vendosni meritorikisht lidhur me pikën e aktvendimit që ka qenë në disfavor të “Dardafon.net”L.L.C, pse atëherë nuk keni vendosur meritorikisht edhe për pikat tjera të aktvendimit që kanë qenë në favor të “Dardafon.net”L.L.C?
• Pse u morr Aktvendimi me datën 30.11.2023, ndërkaq palës kreditore, Dardafon.net LLC, akoma nuk i ka arritur Aktvendimi? Pse këtë Aktvendim e ka vetëm Telekomi i Kosovës e gjithashtu është publikuar ne ëebfaqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në të njëjtën ditë kur zyrtarët e Telekomit të Kosovës, e kanë publikuar Aktvendimin ne Facebook?
• Si është e mundur që të kthehet lënda në rigjykim për çështje diskrecionale të Gjyqtarit të Shkallës së Parë, meqenëse Gjykata e Apelit ia pati lënë në diskrecion të Gjykatës së Shkallës së Parë, që të vendosë se a ka nevojë të caktohet grupi i ekspertëve, apo jo?
• Si është e mundur që të kthehet lënda në rigjykim, pa gjetur asnjë shkelje në përllogaritje të borxhit sipas ekspertizës së një eksperti të licensuar gjyqësor dhe të urdhërohet nxjerrja e ekspertizës përmes një grupi të ekspertëve?