"Sëmundja' e VV-së rrezikon të infektojë krejt Kosovën
Askush përveç Albin Kurtit nuk e ka të drejtën e fjalës në Vetëvendosje. E gjithë çka të drejtë të tjerët është piskama. Prandaj, në garën e piskamave të VV-së po arrijnë të fitojnë vazhdimisht piskatësit Hysamedin Feraj e Elvis Hoxha, sepse ata dy kanë zë më të lartë brenda partisë. Por, ajo që ndodh në Vetëvendosje nuk mbetet në Vetëvendosje më. “Sëmundjet” e kësaj partie po rrezikojnë sot krejt shoqërinë tonë.
Ligjërimi i pushtetit - për shkak se është i koncentruar/kontrolluar te/nga një njeri i vetëm - po bëhet gjithnjë e më i ngushtë dhe po prodhon rrethana gjithnjë e më absurde. Ky njeri i vetëm, Albin Kurti, e shfaqi nevojën për kontroll të çdo fjale që thuhet nga vartësit e tij edhe në mbledhjen e fundit të partisë që drejton. E gjitha që iu ka mbetur vartësve – të gjithë të moshës së rritur – është piskama fanatike ose humori cinik (pra, riciklimi i asaj që paraprakisht ka thënë ose nënkuptuar Kurti).
“Kufijtë e gjuhës time, janë kufijtë e botës time,” – thoshte Ludwig Wittgensteini para rrafsh 100 vjetësh në Traktatin Logjiko-Filozofik. Nëse e marrim për të mirëqenë se nuk ka ndonjë realitet të fshehur ekstra-lingual, atëherë mund të themi se bota e pushtetit është tepër e vogël, aq sa popullohet prej vetëm një njeriu.
Natyrisht, rrethanat mbi të cilat ushtrohet ky fanatizëm sot – që mund ta shohim sidomos te Elvis Hoxha e Hysamedin Feraj – janë absurde. Hoxha po bëhet gjithnjë e më fashist derisa Feraj vazhdon ta mbrojë Kurtin nën intron “bashkimi kombëtar duhet bërë sot”. Deputetët vazhdojnë të rikrijojnë përditshëm luftën kundër “regjimeve të kaluara”, deri në atë pikë sa ta sulmojnë një përfaqësues punëtorësh. Rrahman Jasharaj duhej të konceptohej si i lidhur me Serbinë ose me ShIK-un. E kaluara është legjitimuesja e vetme e pushtetit të tyre, e me këtë edhe e ekzistencës së tyre. Ata s’i duhen më asgjë as vetë Albin Kurtit, dhe kjo është brenga e tyre prej së cilës po e pëson shoqëria jonë.
Dikur gjithçka ishte më ndryshe. Vetëvendosje ishte parti opozitare, Albin Kurti mund të fliste çka të donte dhe ato fjalë të hapnin horizontin edhe për aktivistët politikë të kësaj partie. Por, aktivizmi i Vetëvendosjes sot është i pafjalë, sepse Kurti si kryeministër po del rrallë e hiç nga ligjërimi i tij burokratik.
Dhe Kurti nuk i sheh më shumë se analfabetë funksionalë, ashtu siç tha se i sheh edhe 75 për qind të nxënësve kosovarë. Në gati secilën prej intervistave të dhëna si kryeministër për mediet e Kosovës, Kurti ka pasur nëntekste në të cilat përçmonte të tijët. Jo vetëm deputetët, por edhe ministrat. Dhe ndoshta, me të drejtë!
Por, as Kurti – edhe pse fatmirësisht nuk është analfabet funksional - si kryeministër nuk po arrin të tregohet më shumë se mediokër sa i përket reformave në arsim.
Edhe pas shtatëmbëdhjetë vitesh në politikë, ai shprehu një ‘ide madhore’ për ndryshimin e gjendjes: “duhen reforma në arsim” - tha.
Duhet të jesh mediokër nëse nuk e kupton se pagat e mësimdhënësve nuk janë thjesht paga për mësimdhënësit aktualë – që po e marrim të mirëqenë se kanë fajin kryesor për prodhimin e analfabetizmit - por pjesë e një politike që mund ta rris ose ulë vlerën e mësimdhënjes në tregun e punës. Duhet të jesh mediokër edhe nëse nuk e kupton që sistemi arsimor nuk është i izoluar nga sistemi politik dhe ekonomik në të cilin bëjmë pjesë. Veçanërisht, duhet të jesh mediokër të mos kesh asnjë ide madhore për ndryshimin e gjendjes në arsim edhe pas gati dy dekadash angazhim në politikë.
Kurti e di se rrethohet nga budallenj, dhe prandaj është aq kontrollues. Por, e vetmja formë për të ndaluar fanatizmin helmues dhe për t’i hapur rrugën ideve kreative është të hiqet frika nga budallallëku dhe të hiqen paragjykimet mbi të. Të hiqet dorë nga logjika poshtëruese e tribale që ligjërimin e pushtetin i lë në dorë vetëm një njeriu!
Por, ndoshta Kurti dhe nevoja e tij për kontroll nuk është e vetmja për t'u fajësuar; tendenca autoritare nuk është e vetmja që meriton denoncim. Në këtë rast, duhen fajësuar e denoncuar edhe njerëzit me mentalitet të robit, që ngurrojnë të dalin prej rehatisë së servilit.

