“Nuk duam punë, duam të ikim nga Kosova” - NACIONALE

“Nuk duam punë, duam të ikim nga Kosova”

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Në dy-tri raste, në një formë mburrjeje publike, kryeministri Albin Kurti krenarisht lavdërohej se në Kosovë nuk ka më protesta me parulla "duam punë". Në fakt, përgjatë gjithë historikut të Kosovës së pavarur, më së paku është protestuar për punë. Protestat masive gjithnjë kanë qenë ato për tema nacionaliste, kundër Serbisë, marrëveshjeve të Brukselit e demarkacionit. Sa herë është tentuar të protestohet për çështje të mirëqenies sociale, organizimi i protestave ka përfunduar në numra simbolikë – gati krejt qesharakë – të pjesëmarrësve.

Viteve të fundit, Kosova ka pësuar tkurrje në njerëz. Në regjistrimin e fundit të popullsisë, Kosova ka mbi 200 mijë banorë më pak se në vitin 2011. Përveç ikjes së të rinjve, në Kosovë është shtuar edhe numri i popullsisë së moshuar, i cili tashmë ka arritur në 10 për qind. Gratë vazhdojnë të jenë në shumicë jashtë tregut të punës, ndonëse ka pasur lëvizje në këtë drejtim. Mbi të gjitha, në Kosovën e vakive, rreth 677 mijë persona janë joaktivë, pra as nuk punojnë, as nuk kërkojnë punë, as nuk janë të lajmëruar si të papunë. Për më shumë, vetë Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila u “gllabërua” nga pushteti duke u përfshirë si institucion në Kabinetin e Kryeministrit, vlerëson se papunësia është dhjetë për qind.

Kur realiteti është i zymtë, zakonisht pushtetet nisin të citojnë statistika, një nga fushat më së lehti të keqpërdorura nga politika kosovare në një përpjekje sizife për ta paraqitur situatën ashtu siç nuk është në realitet. Në vendin e vakive, pra në Kosovë, statistikat shfrytëzohen vazhdimisht nga Qeveria Kurti dhe VV-ja për të ndërtuar një realitet iluziv. Edhe opozita e luan po të njëjtën lojë, duke cituar statistika kundër statistikave të pozitës. Është një luftë statistikash, që zor se i flet qytetarit, i cili e jeton jetën e rënduar nga shtrenjtimi i çmimeve. Në njërën anë, pushteti e pasqyron “parajsën në tokë”, që erdhi si rezultat i qeverisjes së drejtë e të mirë të VV-së dhe, në anën tjetër, opozita proklamon se “parajsa” e Qeverisë është në realitet “ferri” i popullit.

Meqenëse statistika tashmë është bërë mjet i preferuar për të argumentuar, më duhet të citoj një statistikë të hidhur. Fatkeqësisht, vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2024, janë lënduar gati 100 punëtorë kosovarë. Sigurisht, ky numër është rritur gjatë muajve të verës, kohë kur intesifikohet puna në ndërtimtari në Kosovë. Vitin e kaluar, 345 punëtorë u lënduan, ndërsa mbi 20 e humbën jetën, duke tentuar që ta nxirrnin bukën e gojës, pa asnjë sigurim shëndetësor e jetësor.

Është statistikë që pushteti nuk parapëlqen ta citojë. Megjithatë, punëtorët e lënduar ekzistojnë dhe familjet që vajtojnë për humbjen e bijve të tyre janë në mesin tonë. Nuk ka pasur asnjë minutë heshtje nga pushteti për punëtorët e vdekur, sepse minuta e nderimit për punëtorët e vdekur do të ishte minutë e turpit për një qeveri të proklamuar si e majtë.

Sidoqoftë, është edhe një arsye pse nuk ka protesta me parulla “duam punë”. Supozimi im është se në Kosovë më nuk ekziston shpresa për të qëndruar e për të luftuar për një të ardhme më të mirë. Përgjatë viteve të fundit është rritur shumë dëshira për të ikur nga vendi. Gjatë viteve 2021 - 2023 janë afër 20 mijë persona që në mënyrë legale kanë fituar vizë pune nga Gjermania. Sigurisht, mijëra të tjerë kanë fituar vizë pune nga Kroacia, Sllovenia, Franca, Çekia e shtete të tjera të BE-së.

Njerëzit nuk po kërkojnë më punë në Kosovë, sepse ata nuk duan të punojnë më në Kosovë. Qytetarët kanë vendosur që të ikin nga Kosova, pasi tashmë është vërtetuar se shpresa në Lëvizjen Vetëvendosje dhe Kurtin ka qenë përshtypje e rreme, mirazh për një utopi të gënjeshtërt. Prandaj, vetëm gjatë dy viteve të para të qeverisjes së Kurtit, nga Kosova kanë ikur mbi 80 mijë persona e ndoshta po kaq gjatë dy viteve të fundit. Kur mungon shpresa për të ardhmen, njeriu ose heq dorë nga jeta më e mirë (në rastin e Kosovës, duke mos kërkuar punë) ose arratiset, duke e zgjedhur ikjen nga vendi që e la pa shpresë.

Pra, parulla e pathënë e njerëzve që kanë vendosur të largohen në heshtje është e thjeshtë: nuk duam punë, duam të ikim nga Kosova. Megjithatë, njerëzit që kanë vendosur të jetojnë në Kosovë, nuk duan punë, ata sot duan mirëqenie. Në vend të punës që paguhet keq, qytetarët sot kërkojnë rroga më të larta, siguri shëndetësore e juridike dhe, mbi të gjitha, shtet që u ofron një perspektivë për të ardhmen e jo narracion për luftë me Serbinë.

Në interpretimin e filozofit Albert Kamy, Sizifi, që ishte dënuar nga “zotat” me bartjen e gurit mbi shpinë, por pa e arritur asnjëherë cakun, ishte një qenie e lumtur, edhe pse puna e tij ishte krejt e padobishme. Në këtë kontekst duhet parë edhe citimet e statistikave nga pushteti dhe mburrja e Kurtit për mungesën e protestave me parullën “duam punë”. Është punë sizifi, krejt e padobishme për shoqërinë, por që i lumturon njerëzit e pushtetit, duke u ofruar një lehtësim të barrës së ndërgjegjes për mungesën e qeverisjes efikase gjatë Qeverisë Kurti II. Veçse ne jemi të dënuar t’i dëgjojmë pallavrat e pushtetit.

Lajme të ngjashme