Qysh abuzoi VV-ja me Muzeun Kombëtar duke përdorur Rexhep Selimin në burg
Prej vitit 2010, që kur kam nisur të shkruaj për kulturë si gazetarë, më ka rënë të shkoj për 100 arsye në Muzeun Kombëtar. E kam parë si institucion kulturor nëpër 100 situata të ndryshme, me 5-6 drejtora që kanë zëvëndësuar njëri-tjetrin. Prej Arbër Hadrit “të LDK-së” para një dekade, tek Shafi Gashi “i PDK-së” para 5 viteve e deri tash kur nuk dihet e as nuk i intereson askujt se kush është drejtor.
Jam ndjerë me dhjetra herë i turpëruar kur kam shkuar me turistë të huaj, dhe ajo çfarë kanë parë nuk i ngjasonte as një muzeu amater. Kam përcjellë turli aktiviteti, ekspozita muzeale, me fotografi, me skulptura, me artefakte, promovime librash e çka jo, por kurrë, asnjëherë, nuk më ka rënë rasti që në ndonjë prej këtyre aktiviteteve ta shoh një elitë të tërë të një partie teksa uzurpon Muzeun, sikurse ka bërë Lëvizja Vetëvendosje të premten e 25 nëntorit.

Nuk ka asnjë dyshim që ngjarjet që ka organizuar Muzeu i Kosovës kanë qenë edhe më të mërzitshme se disa simpoziume të Institutit Albanologjik. Më ka rënë të përcjellë aktivitete të organizatave ndërkombëtare që mbanin ndonjë kampanjë, kur përpos verërave cilësore, gjithcka tjetër ishte e mërzitshme. Thënë shkurt e mbushur me zymtësi burokratike.
Kam përcjellë ekspozitë të fotografive që kanë pasur edhe temë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë ose miqësinë me Amerikën. E kam dëgjuar edhe Adnan Merovcin e Blendi Fevziun teksa promovojnë diçka të tyren.
Më ka rënë të shoh ekspozita me artefakte të epokave të ndryshme pa asnjë koncept kuratorial, aq sa më duheshin 3-4 orë që ta bëjë një copë artikulli. Sidomos në kohën kur egzistonte gazeta dhe duhej mbushur hapësira.
Kam parë politikanë të krejt qeverive teksa ngarendin për të marrë merita për ndonjë artefakt që kthehej a zbulohej nga arkeologët, ose mbanin fjalime sikur e kuptonin se për çfarë artefakte/zbulime bëhej fjalë. Kam qeshë me arkeologët e profesionistë që rrotullonin sytë me këto situata.
Por në asnjë aktivitet nuk kam parë atë që kam parë tek ekspozita e 110 pikturave të ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit. Jo pse ekspozita e veprave të tij është diçka që ia ulë vlerën Muzeut Kombëtar.

Sa për ta sqaruar, Muezu Kombëtarë i Kosovës nuk ka asnjë kredibilitet të cilin dikush mund t’ia ulë. Pra ekspozimi i veprave të ish-komandatit të UÇK-së që gjendet i burgosur në Hagë në pritje të një procesi gjyqësorë në Gjykatën Speciale, është totalisht në rregull.
Problemi qëndron tek VV-ja e cila në mënyrë të pashembullt dhe të paprecedentë përdori Rexhep Selimin në burg për të organizuar një ngjarje që më së paku kishte të bënte me Selimin dhe veprat e tij. E gjithë ceremonia e hapjes së ekspozitës ishte krijuar për të shëruar komplekse filozofësh, që me dëshirë janë skllevër të politikës.
Për ta kuptuar se për çka po flas, le ta shpjegojmë organizimin e ekspozitës.
Atë e shpjegoi shumë mirë Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit dhe nëjherazi deputete e VV-së, që hyri në listë zgjedhore të partisë, vetëm pasi Gjykata Speciale ia arrestoi bashkëshortin, që ishte deputet i VV-së. Për nivelin provincial të kësaj kandidature nuk ia vlen më të flasësh.
Bazuar në këtë fjalim, kjo ekspozitë është realizuar në këta hapa:
Rexhep Selimi ka pikturuar gjatë kohës që po qëndron në burg. Shqipe Selimi sa herë ka shkuar ta vizitojë - një herë në muaj siç tha vet ajo - i ka sjellë pikturat që bashkëshorti i saj i ka përfunduar. Dikujt i ka lindur ideja që të bëhet një ekspozitë me to. Por dikush duhet ta shkruaj një koncept të ekspozitës. Kjo punë "intelektuale", natyrisht, i bjen mbi supe Elvis Hoxhës, filozofi dhe ideologu nga Tirana i VV-së.
Për ekspozitë duhej një vend. Rezervohet Muzeu Kombëtar. Për këtë interesohet personalisht, ministri Hajrullah Çeku i VV-së. Zotohen edhe mjetet për ekspozitën. Por dikush duhej të fliste për ekspozitën. Ndonjë njohës i artit në burg? Jo, kur aty është Glauk Konjufca, studiues i filozofisë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës. Nënkryetarë i partisë.
Të gjithë këta janë përmendur personalisht nga Shqipe Selimi.

Shkrimi i konceptit të ekspozitës, a thua kishte ndonjë thellësi artistike që i duhej koncept? S'ka lidhje. Përderisa atë e ka shkruar Elvis Hoxha.
Të sqarohemi, për mua pikturat e Rexhep Selimit janë vizatime të një talenti që përpos një estetike ngjyrash dhe formash nuk më japin ndonjë ndjesi përtej asaj çka është vizatuar ashiqare ose forma abstrakte që disa janë të mira për sy.
Angazhimi personal i ministrit të Kulturës për të organizuar një ekspozitë të një ish-deputeti dhe kolegu të partisë, nuk është diçka për të cilën duhet krenuar.
Dhënia në shfrtyëzim e Muzeut Kombëtar për ekspozitën e një të akuzuari për krime lufte e mbi të gjitha bashkëpartiak, është shpërdorim i rëndë i detyrës zyrtare. Ani plus të angazhohet edhe personalisht, dhe të falendërohet për këtë.
Glauk Konjufca del si kryetar i Kuvendit të Kosovës por flet si kritik i artit, krahason periudha të artit me këtë ekspozitë, zbërthen me fjali që janë marrë nga teori të ndryshme të artit dhe ia atribuon ato Rexhep Selimit si një artist. Madje parasheh edhe sesi do të transformohet Selimi si artist.

Por krejt këto sjellje kanë arsyetim. Partia në pushtet a.k.a elita e partisë, përpos që janë të bindur se e meritojnë ta uzurpojnë Muzeun Kombëtar dhe të dalin publikisht si kuratorë e kritikë arti, këtë herë kanë pasur edhe një arsye shtesë: famën dhe empatinë që kanë marroë në popull.
Është potez popullist natyrisht. Në prag të 28 Nëntorit, hapet një ekspozitë e një ish-komandanti të UÇK-së që “gjendet padrejtësisht në Hagë. Kanë prekur në sentimentin kryesorë të njerëzve në këto kohë. E gjithë partia duke punuar së bashku që ta jetësojnë artin e një heroi lufte.

Për këtë arsye edhe audienca nuk ishte e njerëzve të zakonshëm. Ishte komplet elitare partiake. Ministra e zëvëndës minsitra, deputetë e aktivista të privilegjuar. Të gjithë ata postuan me dhjetra fotografi me përshkrime uniforme, duke përdorur numrin 10 që i referohet nofkës së Rexhep Selimit në luftë. Me gjithë këto shpërndarje, ekspozita tashmë e ka arritur efektin e diçkaje të rëndësishme. Për ata që e kanë organizuar, folur e konceptuar.
Poooor, për ta bërë edhe më madhështore ngjarjen kanë ftuar edhe disa politikanë nga partitë opozitare. Duke luajtur me sentimentin e “partive të dala nga lufta”, elita e partisë së “dalë pas lufte” i futi para aktit të kryer deputetë të PDK-së e AAK-së. Duhet të shkosh në ekspozitë të Rexhep Selimit, ani pse Rexhep Selimi nuk është aty, e në vend të tij, duhet ta dëgjosh Glaukun si kritik arti, të lexosh në fletushka konceptin e Elvis Hoxhës dhe të komplimentosh ministrin e partinë se “sa mirë e kanë organizuar ngjarjen”.
Shkurt e shqip, një ngjarje e organizuar për elitën e partisë, duke e përdorur bashkëpartiakun që gjendet në burg. Një ngjarje që ka për qëllim të prek sentimentin e luftës tek qytetarët e Kosovës. Kjo lloj origjie politike duhet të mbetet artefakt i përhershëm në Muzeun e Kosovës.


