Pse e shikon Big Brother? - NACIONALE

Pse e shikon Big Brother?

3 vjet më parë

nga Besarta Kalaja

Mbase s'duhet zbërthyer shkurtesa VIP, për të kuptuar se po flasim për - persona shumë të rëndësishëm - , përkundrazi ky mund të ishte një shpjegim krejt sipërfaqësor dhe zor se na ndihmon ta kuptojmë, se çka është sot një VIP, në fakt një VIP i reality show.

Le ta shtjellojmë...

Privilegji, statusi dhe rëndësia që kanë në shoqëri,

Për çfarë arsye njeriu i refuzon këto "të mira" për t'u kthyer në një thjeshtësi jetese, brenda 4 mureve, ku as buxhetin për ushqim, se ke të sigurt, e s'varet veç nga ti.

Edhe pse me një "reality show" të tillë pretendohet të pasqyrohet jeta reale, ta themi e një shoqërie ku zhvillohet ky spektakël, e që potencialisht do ta argëtonte publikun. Mbase e vërteta e pjesmarrsve VIPA aty, është pak më shumë privilegj, pak më shumë status dhe pak më shumë rëndësi.

Pra duke promovuar thjeshtësinë e jetën ordinere, drejt privilegjit më të madh e famës më të madhe.

E gënjeshtërt apo jo?

Masa, publiku/shikuesi

Pa dashur t'i japim konotacion negativ vetvetiu termit masë, kur ajo është homogjene e veç me një atribut, e kur shkon në funksion të një reality show, që s'është më as reality e as show, por masa homogjene, pra publiku e shikuesi e percepton ashtu, duke bërë "argatin" e këtij mashtrimi, madje edhe financiarisht, duke votuar një herë a dy në javë, për të "shpëtuar" të preferuarin.

Sikur kjo masë, duke mbyllur sytë, po krijon një hedonizëmvarfër dhe për të ardhur keq.

Le të jemi korrekt me termin masë:

/Masë një grup njerëzish që funksionojnë me mendësi dhe që shtyhen drejt një mendimi viral në këtë rast për diçka ose dikë/.

Një snobizem mediatik: Ndikimi në shoqëri krijimi i modeleve të karaktereve

Nëse nisemi nga një këndvështrim më logjik i shikimit të një ‘reality show’ si Big Brother, jo në formën e argëtimit, por në formën e asaj që në thelb po zhvillohet dhe transmetohet për publikun, vërejmë një pasqyrë të rremë të një “realiteti shoqëror”, bazuar në të thënat e pjesëmarrësve në një ‘reality show’ të tillë.

Kur ka bullizëm, ka debate, apo kur ka romanca, tradhti e intriga, gjëra të tilla në një reality show si Big Brother VIP, është shumë e lehtë të glorifikosh të keqen apo të kryqëzosh një të keqe subjektive.

Pra po flasim për një komunikim që pritet jo vetëm nga një VIP sepse kjo do të ishte një ironi e madhe, por nga kushdo që ka një kulturë komunikimi dhe një edukim të caktuar.

Nuk mund të normalizohet një ofendim sidomos në baza seksiste.

Kjo ndodhë e tolerohet vazhdimisht në këtë "show" mediatik . Pra, të njejtat media të cilat në ballinat kryesore dënojnë pasojen e një sulmi seksist, që shpeshherë është fatal, në "reality show"-un me kaq shumë ndikim, tolerohet seksizmi, tolerohet shkaku, pasojen e të cilit e qajmë së bashku, masa homogjone, VIP-at, e mediat.

Rast konkret, se si tolerohet seksizmi, madje ai mbështetet, është pikërisht nga seksisiti i preferuar i shqiptarëve, VIP-i Luiz, i cili flet për një banore kështu”. Nuk është defekt. Ajo ka bërë gjoksin. Ajo ka futur dy kilogramë plastikë. Jam duke të treguar një fakt. Këtë e nxjerr jashtë, unë e shoh dhe thotë pse më sheh aty. Pse e ke nxjerrë për të të parë këpucët”.

Por..

Jo se është kriter për të pasur një IQ të lartë, por nëse ndalemi te debatet, apo komunikimi dhe zgjedhja e fjalëve që kanë “Vipat”, në Big Brother vlen shumë për t’u diskutuar.

Duke kujtuar fjalinë e famshme dhe shumë të përsëritur nga moderatorët e këtyre ‘reality show’, “Kujdes në zgjedhjen e fjalëve sepse duhet pasur parasysh se jeni fytyra publike dhe keni ndikim te madh tek publiku ( fansat, ndjekësit e juaj).”

Nëse vëreni, edhe pse rrallë ndodh, të ketë një debat të mirëfilltë për një temë të caktuar, debati mbyllet shpejt dhe vëmendja ndaj këtij diskutimi nuk gjen vend tek opinioni publik.

Ndërsa në anën tjetër, të bësh diskutime debate ku ofendohen banorët e deri në “përplasje fizike”, vëmendja është pikërisht aty dhe bën mirë nëse është një debat që synon ta ndalë, por përkundrazi në këto reality show për arsye se sa më shumë diskutohet banaliteti, gjen vend më të madh mes tyre dhe gjithmonë vazhdon tutje.

Supozohet që banoret të kenë deri diku disa njohuri bazike, andaj është e pashmangshme që vëmendja e publikut të përqendrohet tek momente kur paraqitet mungesë e theksuar e saj.

Ishte një lojë e propozuar nga Big Brother që sfidoi njohuritë bazë të banorëve, ku në këtë lojë “sfidoheshin” njohuritë e tyre për gjëra gati, gati bazike.

Ja dy shembuj që më lanë njollë të zezë, mua si vështruese e këtij "reality show" : ‘ Çfarë është gadishulli, cili është lumi me i gjatë në Kosovë, dhe se me kë kufizohet Kosova ishin vetëm disa nga pyetjet te cilat nuk gjeten përgjigje nga banorët.

Te mos e dish se me kë kufizohet Kosova është skandaloze apo jo? Por edhe më skandaloze se kaq, është të thuhet se Kosova kufizohet me Jugosllavinë.

Këtë përgjigje ka dhënë njëri nga VIP-at, me emrin Maestro.

Reagimet nga banorët e tjerë, gjithashtu lënë shumë për të dëshiruar. Askush nuk e përmirësoi Maestron, pëvec VIP-it Luiz i cili me zë të vogël thekson faktin se Kosova kufizohet edhe me Serbinë.

Për produksionin e Top Chanel që publikon video të shkurtra, të ndërveprimeve ndërmjet banorëve. Në këtë ndërveprim skandaloz, me Kosovën në kufi me Jugosllavinë, shkruhet: Maestro e gjen përgjigjjen..

Ishte banorja tjetër, VIP-i me emrin Efi e cila nuk e dinte se çfarë është gadishulli, duke u arsyetuar se është rritur në Greqi, e se ka probleme me terminoligjinë.

Ndërkohë, moderatorja VIP, me emrin Kiara Tito, u sfidua me pyetjen se "cili është lumi më i gjatë në Kosovë?"

Përgjigjja e VIP-it Kiarë, ishte "Vjosa" një lum i cili nuk kalon fare në Kosovë, gjersa më pas e pranoi edhe vet gabimin duke thënë: “Ja futa kot”.

Se sa kohë do t'u jepet televizioneve për këtë "lojë", e për diskutimet e quajtura "primetime" mbetet për t'u parë.

Megjithëse koha televizive për ta, duket të jetë e gjatë. Ashtu siç e do rendi, në një "show" të tillë kohët e fundit në shtëpi po lulëzon një dashuri e cila është si një skenar me të cilin janë mësuar shqiptarët, merr shkas nga serialet turke dhe spanjolle, ku në qendër të skenarit kanë qenë intrigat, lojërat, xhelozitë e dashuritë e pafundme.

Kështu pritet të jetë në “primetime”-in e ardhshëm, ku fokusi do të jetë tek puthja e “famshme” Luiza- Kiara.

Një format si Big Brother të zhvesh domosdoshmërisht nga ajo që mbartin VIP-at në sensin e famës, zhveshja përkthehet në një thjeshtësi dhe përafrim me publikun në emër të lojës.

Kontradikta mes të qenit VIP dhe të qenit njeri i thjeshtë përballë kamerave 24 orëshe është se kjo thjeshtësi është “e detyrueshme” për të krijuar një sentiment më të madh dhe afeksion ndaj banorëve.

Shembull është historia e banores VIP me emrin Eni e cila ka treguar një përjetim të rëndë të abuzimit në familje.

Këto rrëfime i gjejmë në një pjesë të madhe të shoqërisë sonë, të së njëjtës natyrë, ajo që dua të theksoj këtu është “loja” që luhet me ndjenjat e publikut, një lojë e sofistikuar nga vetë produksioni, i cili përkujdeset që rrëfimin emocional ta përcjellë me efekte që godasin sentimentin sa më shumë. Muzikë e trishtë, rrëfim i përgatitur në detaje, zëri i "ndjeshëm" i moderatores, reagimi i akorduar i publikut prezent.

Të gjitha këto në një përplasje fundamentale ndërmjet thjeshtësisë së ngjarjes, pra tentimit për t'i ngjarë publikut, e "glamurin" e show-it, pra sikur për t'a bër të ditur se kjo ngjarje ordinere, nuk është më e tillë, sepse i ka ngjarë një VIP-i.

Autorja e shkrimit e shikon kohë pas kohe "spektaklin" Big Brother, vetëm për të nxjerrë në pah kontradiktat që shpeshherë na ofron media, e për t'i dekonstruktuar ato.

Po ju, pse e shikoni Big Brotherin?

Lajme të ngjashme