Pesha e kohës i jep Çezarit atë që është e Çezarit
Col Mehmeti
Pushteti rrokakrejtës i plakjes padiktue e bân të veten.
Flokët zbardhen, qeskat e syve lëshohen në mavinë e tyne, lëkura nis e lëvyret, njisoj si edhe qafa nis me u shtrajtësue.
Te i pari janë 56 vjet jetë dhe ma shumë se gjysma e tyne janë nji ecje e stërgjatë e rragatje që Kosovën fillimisht e pa të frymëzânun nën Jugosllavinë komuniste, të asgjësuem nën aparteidin serb, të kryengritun në luftë, të mbështetun prej Perëndimit e, në fund, të kunorëzuem me shtet.
Këtu ai âsht shkëput dhe udhëtimin e ka vazhdue edhe ma tej në betejën mbase të mbramë të jetës së tij—fati i krejt shtetit dhe luftës sonë varet te verdikti i sivjetmë i Tribunalit në Hagë.
Ky tjetri edhe pak ditë i mush 50 vjet dhe udhëtimi i tij nuk e ka pasë asnji prej këtyne sprovave.
Para lufte nji hipster qesharak, gjatë luftës nji humbameno, mas luftës nji karagjoz që gjeti shesh e bâni përshesh në nji Kosovë të konsumuem prej analfabetizmi e mungese përfytyrimi për diçka ma mirë.
Krejt sfidat e tij janë skenarë imagjinarë të nji mendje të konsumuem prej tute, prej inferioriteti e prej nji motivi për afirmim. Në rrënimin e tij fizik janë qindra maskarallëqe, kurthe për njerëzit ma të afërt të tij e vramendje meskine.
I pari, Thaçi i madh, nuk pati kurrënjiherë pushtet ideologjik. Kjo bâni që atij mos me iu njoftë nji rrugëtim unik me të mbërrime të tejzakonta: UÇK-ja, lidhja e saj me Perëndimin dhe shpallja e mëvetësisë.
I dyti, Albini i vogël, ka alamet pushteti ideologjik. Ai nuk e ka asnji të mbërrime mas vete, por perceptimi për të âsht i tillë sikur me e pasë ndrrue rrjedhën e historisë.
Unë jam me të parin!