Përtej pllakës së mermerit
Col Mehmeti
Poeti kroat i naltësive, Antun Gustav Matoš (1873-1914), përmes një poezie të tij testamentale u kërkonte miqësisë e dashamirëve që të mos e kujtonin me një pllakë mermeri.
“Nuk dua të kujtohem me nostalgji të mermerta”, shkroi diku me një vibrancë ndjenjësore.
Sot kur ploja e Reçakut i mbush rrum 27 vjet, kujtimi e përkujtimi duket se, për ironi, e burgos atë njësoj si ajo pllaka e mermerit që aq shumë e angështonte Antun Matošin.
Jetojmë në një botë harrestare ku tekembrama dhimbja e trishtimi ndjehen veç te ata që e provuan gjëmën në lëkurë, te ata familjarë zemërpërvëluar që ankthi iu bë i kurrëmbarimtë, e te ata pak shqiptarë që janë të paaftë për të harruar.
Por kjo dhimbje shpesh si në llahtarin e ëndrrave duket e paralizuar kundrejt fuqisë absolute e të hamadreqtë të denializmit
(mohimit) e relativizimit.
Në kohën kur akademizmi shqiptar është praktikisht inekzistent jashtë kufijve, boshllëku u mbush me gjithfarë përpjekjesh për të ndërhyrë arbitrarisht në trashëgiminë e hidhur të luftës.
Të tilla janë, fjala vjen, edhe ato prodhime librore të William Blumit në faqet e të cilave sintetizohet ligësia e Botës së Tretë (third-worldism).
Duke e bërë më fort kritizerin se kritikun ndaj çdo ndërhyrje amerikane në botë, Blumi e vinte në pikëpyetje edhe masakrën e Reçakut.
Si shembull sillte, njësoj siç e sjellin shpesh edhe në enciklopedi online si Wikipedia, do deklarime të shkëputura të ekipit mjekoligjor finlandez se gjoja nuk paskan parë asnjë gjurmë masakrash. Proh pudor!
E kotë është edhe nëse vetëdija jonë naltohet me thirrmen “Kurrë më!”
“Kurrë më” mbase do të ishte përgjigjje për ato shoqëri që sekretuan perversione ideologjike dhe ato pastaj sollën edhe Çele Kulla si muze kafkash.
Serbët bënë masakra dhe, në mundësinë e parë, do të bënin edhe të tjera.
Por ky prospekt i të keqes njerëzore te fqinjët nuk do të duhej të ishte shqetësimi ynë.
Turp kolektiv është se gjithçka e shkruar pas lufte për luftën është mangut nga cilido standard – një pjesë e madhe e titujve, në mos shumica, zor që e kapërcejnë pragun e statusit të studimeve të mirëfillta.

Lexo edhe: Walker: Parandaluam një Srebrenicë dhe Reçakë të tjerë
Pavarësisht kësaj, në dorën tonë është që trashëgimia e luftës të narrativizohet e, kësodore, perspektiva shqiptare ta gjejë vendin në truallin akademik në Perëndim.
Ritualet e përvitshme përkujtimore, si ky në Reçak ose si dhjetra e dhjetra të tjerë, po e ‘mermerizojnë’ dhe padashje edhe po e mbysin trashëgiminë e luftës.
Një ritual burokratik nuk është edhe aq mbamendje e shtetit sa një mirazh për të mbuluar zbrazëtinë e veprave të vërteta që e përjetësojnë të kaluarën.
Drejtësia e njëmendët është edhe ajo kur e kaluara ngjallet me një narrativë që iu jep zë mijëra viktimave.