Walker: Parandaluam një Srebrenicë dhe Reçakë të tjerë - NACIONALE

Walker: Parandaluam një Srebrenicë dhe Reçakë të tjerë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pse disa ngjarje kanë një ndikim të pakrahasueshëm në gjithçka që pason? Masakra e Reçakut në janar 1999 nuk ishte as e para, as e fundit në Kosovë, dhe as më e madhja apo më brutalja. Ajo që ndodhi në Reçak pasoi vite të tëra në të cilat vrasjet e pamëshirshme të civilëve që i përkisnin komunitetit ‘të gabuar’ etnik, që flisnin gjuhën ‘e gabuar’, ishin kthyer në një normë të zakonshme si mjet lufte.

Megjithatë, kjo masakër, ku jo më shumë se dyzet e pesë fshatarë shqiptarë u ekzekutuan, u kthye në një pikë historike kthimi, sepse ofroi prova të qarta të asaj që Millosheviqi do të bënte nëse do t’i jepej liri e mëtejshme veprimi. Ekspozimi i madh mediatik botëror ndaj kësaj masakre të vetme u bë shkëndija që ndezi përpjekjet amerikane, evropiane dhe ruse për të gjetur një zgjidhje paqësore, duke çuar kështu në konferencën e Rambujesë. Kur të gjitha përpjekjet në këtë drejtim dështuan, kërcënimi i ndërhyrjes së NATO-s dhe fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s u bënë të domosdoshme për të parandaluar një tjetër Srebrenicë dhe shumë Reçakë të tjerë.

Kur mbërrita në Prishtinë për të marrë detyrën si Shef i Misionit të OSBE/KVM-së, nuk gjeta një terren të barabartë. Prej muajsh, Millosheviqi kishte përdorur policinë dhe ushtrinë profesionale të vendit për të shkaktuar dhimbje dhe vuajtje ndaj civilëve të pafajshëm. Ai e justifikonte këtë fushatë krejtësisht disproporcionale si një detyrim qeveritar për të neutralizuar personat e armatosur, të cilët i përshkruante si separatistë dhe terroristë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte një kryengritje e armatosur, së cilës i mungonin pajisjet dhe stërvitja për të dëmtuar seriozisht, e aq më pak për të mposhtur, forcat e armatosura serbe. Edhe UÇK-ja ishte fajtore për akte dhune, por nuk kishte ndonjë barazi morale midis palëve. Shumica e sulmeve nga forcat qeveritare ishin kundër civilëve, ndërsa objektivat e UÇK-së, qofshin ata ushtarakë apo politikë, ishin të përqëndruar dhe të qëllimshëm. UÇK-ja bënte më të mirën për të vepruar në përputhje me rregullat e luftës në lidhje me civilët dhe të burgosurit.

Për shumicën e vëzhguesve ishte e qartë se Millosheviqi dhe regjimi i tij ishin kryesisht përgjegjës për këtë konflikt dhe arsyeja pse UÇK-ja ekzistonte. Pikërisht për këtë arsye, Millosheviqi përfundimisht u arrestua dhe u gjykua në Hagë për krime kundër njerëzimit.

Dërgimi i KVM-së në Kosovë u bë me shpresën se rreziku i ndëshkimit ndërkombëtar do të ishte i mjaftueshëm për të parandaluar dhunën e mëtejshme dhe për t’i sjellë palët në tryezën e negociatave për një zgjidhje politike. Problemi i vetëm ishte se Millosheviqi nuk e vriste mendjen për kritikën nga jashtë. Duke pasur në dispozicion fuqinë shtrënguese dhe duke e përdorur atë me ashpërsi pa pasoja serioze, presidenti ishte i bindur se Reçaku do të harrohej shpejt.

(….)

Pse, atëherë, Reçaku u konsiderua kaq i denjë për zemërimin mbarëbotëror dhe kërkesën për përgjegjësi? Ja disa arsye që mund të shpjegojnë ndryshimet mes asaj që ndodhi në Reçak dhe të gjitha pasojave pasuese.

Së pari dhe më e rëndësishmja, koha midis vrasjeve dhe mbërritjes së verifikuesve të KVM-së matet me minuta, jo ditë. Unë, DZed-i dhe Maisonneuve-i, të shoqëruar nga një grusht gazetarësh të huaj, arritëm vetëm disa orë pas një nate të errët dhe temperaturave të ngrira të dimrit të Ballkanit. Nuk kishte kohë të mjaftueshme dhe as kushte për askënd – madje as për qeverinë – që të riorganizonte trupat dhe të vendoste prova në përputhje me versionin e qeverisë për një ‘betejë’. Fjalët e mia dhe llogaritë e ngjashme nga ata që më shoqëruan atë mëngjes zbuluan boshllëkun e versionit të Beogradit mbi vrasjet. Mbërritja e menjëhershme e zërave ndërkombëtarë, jopartizanë, që flisnin drejpërdrejt nga vendi i ngjarjes, ishte unike.

Qeveria e Millosheviqit u kap krejtësisht e papërgatitur nga mbulimi i menjëhershëm mediatik dhe thirrjet e menjëhershme ndërkombetare për përgjegjësi. Kjo nuk kishte ndodhur kaq shpejt në shpërthime të mëparshme, ku Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij kishin pasur kohë për të përgatitur skenën, për të frikësuar dëshmitarët dhe për të kontrolluar mbulimin mediatik. Regjimi ishte thjesht i papërgatitur për reagimin global ndaj pretendimit tim për përgjegjësinë e tij. Sllobodan Millosheviqi nuk ishte mësuar të lunate mbrojtjen dhe të shpjegonte veprimet e tij. Në këtë situatë të panjohur, ai dhe zëdhënësit e tij ofruan shpjegime absurde njërin pas tjetrit për atë që kishte ndodhur.

Pjesë e shkëputur nga libri i William Walkerit “Reçak: Historia e një krimi lufte” (Dukagjini),fq. 361-63.

Përgatiti: C. Mehmeti

Lajme të ngjashme