Për votuesit e Vjosa Osmanit - NACIONALE

Për votuesit e Vjosa Osmanit

1 vit më parë

nga Berat Buzhala

Ky tekst i kushtohet mbështetësve të Vjosa Osmanit, një prej të cilëve kam qenë edhe unë, vetëm një vit para 14 shkurtit të vitit 2021.

Njerëzit, edhe sot e kësaj dite, më thonë: "Edhe ti i ke ndihmuar për të ardhur në pushtet."

Pra, e kuptoj pozicionin tuaj.

E kuptoj gjithashtu se kur dikush dëshiron të bëjë mirë, mund të bëjë gabime.

Siç thonë, nëse kurrë nuk ke gabuar, do të thotë se kurrë nuk ke bërë asgjë.

Për mendimin tim, votuesi më i mirë është ai që votën e tij nuk ia garanton askujt, por e jep aty ku mendon se ajo e meriton.

Viti 2020 do të mbetet në histori. Jo vetëm si viti i COVID-19, por edhe si viti më i pasigurt në historinë 25-vjeçare politike të Kosovës.

Viti 2020 na ka dëshmuar një gjë: Albin Kurti është një lojtar i jashtëzakonshëm politik.

Ndërsa vitet 2021–2024 na kanë dëshmuar gjithashtu një gjë: Albin Kurti nuk lufton për interesat tuaja dhe të Kosovës, por për interesat e tij dhe të një shteti tjetër.

Mirëpo, një gabim që keni bërë në shkurt të vitit 2021 nuk duhet t'ju mbajë peng gjatë gjithë jetës.

Pa ndihmën dhe frymën e Vjosa Osmanit, pra pa ndihmën dhe frymën tuaj, Albin Kurti nuk do të kishte qenë ai që është sot.

Mirëpo, po ju pyes: Ku është Vjosa Osmani sot? Cilat janë raportet e saj me Albin Kurtin?

Fatkeqësisht, Vjosa Osmani nuk ka guximin e nevojshëm për të përmirësuar gabimin që ka bërë, por e frikësuar nga sulmet që po i bëhen, ajo e ka goditur Kurtin dhe këtë qeveri në mënyrë indirekte.

Ajo i ka quajtur "kumorxhi" dhe "anti-amerikan".

Por ti, si votues i Vjosa Osmanit, i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si mbështetës i zjarrtë i filozofisë rugoviane, mos e prit Vjosën, sepse ajo është presidente, ajo është realizuar, por ti nuk je realizuar, ti që shfaqesh vetëm një herë çdo katër vjet.

Ti paguan më shumë për energjinë elektrike, paguan më shumë për ngrohjen, paguan më shumë për vajin.

Ti, që i përket frymës rugoviane, asaj fryme pro-perëndimore dhe veçanërisht pro-amerikane, sot jeton në një shtet që është i izoluar nga Perëndimi.

Mund ta thuash "fajin e ka Perëndimi", por unë po të them ty, si një njeri që besojmë pak a shumë në vlera të ngjashme politike:

Ndoshta, Perëndimi mund të ketë disa faje, por roli i qeverisë sonë nuk është të konstatojë kush ka faj, por të gjejë zgjidhje për problemet.

Ti, votuesi rugovist, që i përkiste frymës perëndimore dhe ideologjisë së djathtë, nuk e di nëse e ke parë që dje në Gjakovë, Albin Kurti kishte ftuar një person nga organizatat botërore socialiste.

E di që Ibrahim Rugova nuk i përkiste kësaj fryme, ndaj largoju ti nga ajo.

Kosova nuk ka marrë asnjëherë ndihmë nga këta përfaqësues të ideologjive të majta, përkundrazi, ka vuajtur. Prandaj, nuk duhet t’i bësh numrat Albinit që ai të punojë për interesat e tij, dhe jo për interesin e vendit.

Ti duhet të kthehesh aty ku ke qenë.

Mënyra e vetme për t’u kthyer në rrugën e drejtë pasi ke humbur atë është të mos vazhdosh më të ecësh gabim. Sa më herët të kthehesh, aq më mirë.

Fryma rugoviane nuk është te Haxhi Avdyli, Donika Gërvalla, apo Fatmir Limaj.

Nëse fryma rugoviane ka mbetur tek ne, më mirë të ndalet krejt fryma.

Fryma rugoviane është në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, jo te muret e selisë, por te njerëzit e kësaj partie.

Fryma rugoviane është te Hykmetja, te Gazi i Pejës, te Imria i Lipjanit, te Luta i Gjakovës, te Albani i Ismet Racit dhe te Shkambi i Shaban Manajt.

Te Lumiri i Kosovës.

Hajde edhe ti, pastaj vjen edhe Vjosa.

Lajme të ngjashme