Për rritjen e çmimit të rrymës ju duhet gajret. Dhe nga një kamion
A duhet me pasë një kamion, gjithqysh, që ta demonstrojmë se gajlen për faturat e rrymës, e kemi përnjëmend? Zonja Rizvanolli e kupton se kjo na dhemb, por na tha se ‘është dhimbje që kalon...’
Ministrja në detyrë Artane Rizvanolli, shkurtoi një klip nga konferenca e djeshme për media, si shenjë ‘proteste’ që zëri i saj nuk po depërton në media. 'Meqë është kaq vështirë të depërtojë zëri im tek qytetarët përmes medieve, do të publikoj vetë video të përgjigjeve' – shkruan ajo.
Le ta zëmë për një moment, që nuk po na intereson, përnjëmend halli i bizneseve që iu është shtrenjtuar rryma mbi 200% dhe t’ia qajmë hallin gjithkush vetes. Le t’i referohemi thënies profetike të Faton Pecit, se mbi qiellin dhe tokën e Kosovës ka Zot [dhe kush do që keni kohë, ta çoni kokën lart - nëse iu lënë hallet dhe dertet e kësaj dynjaje – t’i luteni Atij lart që nëse fatura juaj e rrymës po iu rëndon në xhepa, të na lehtësojë i madhi Zot, sado pak që është e mundur].
Klipi afro pesë minutësh i shkëputur nga konferenca e djeshme, më shumë dukej si kundër-përgjigje ndaj kolegut gazetar që dëgjohej duke e ballafaquar me pyetje znj.Rizvanolli, por ne - për të mos harruar ndonjë gjë edhe më interesant përtej këtij pesë minutëshi - iu rikthyem sot edhe një herë nga fillimi konferencës;
Znj.Rizvanolli kërkon metodologji, logjikë, matematikë, fizikë, kuantikë, aritmetikë për t’ia vërtetuar se qysh shporta jonë (varfanjake kohën e fundit) si konsumatorë, do të kërcejë prej 500 euro në 750 euro?
Fatkeqësisht, asnjëra prej shkencave të lartëshënuara, nuk nevojiten që të shkoni në marketin më të afërt dhe ta vërtetoni që s’ju duhet metodologjia, logjika, matematika, fizika, kuantika, aritmetika – për të parë se ka rritje enorme të çmimeve. Nëse ndonjëra do të kryente punë, pavarësisht njohurive të mangëta që mund t’i kemi në këto shkenca, do t’i referoheshim ndonjërës me çka do që dimë prej tyre. Çka të nevojiten, janë paratë.
E nëse s’i ke ato? Dhe nëse nuk arrin ta plotësosh kërkesën mujore të konsumit familjar në shportën sa do të vockël që e kap në krah në hyrjen e marketit, dhe shto këtu edhe problemin e rritjes së çmimit të rrymës, ne shkuam përtej klipit afro pesë minutësh të Rizvanollit për të gjetur përgjigjen:
“Çfarë po themi ne, është që kjo është sfidë të cilës nuk mund t’i ikim…Çfarë po themi ne është kjo që duhet të kalojmë nëpër këtë dhimbje të përkohshme, në këtë tranzicion” – thotë ajo më vonë, për ta përmbledhur krejt këtë muhabetin e zhurmshëm rreth rritjes së çmimit të rrymës.
Ok.
Fjalia më lart, e znj.Rizvanolli, vjen si ngushëllim për të gjithë – 140 mijë punëtorët e bizneseve të mëdha, dhe krejt ju të bizneseve të mesme, të vogla dhe krejt në fund, çdo qytetari të rritur, veç e veç.
Me një fjalë: veç gajret duhet më pasë (se kalon edhe kjo dhimbje).
Por, para se ta jepte këshillën për gajret, znj.Rizvanolli e tha një të palogjikshme dhimbëse kur pa të drejtë iu sul qytetarëve se janë në prag të instrumentalizimit nga bizneset (e mëdha, të poshtra, të këqija – jeni të lirë të ushtroni mbiemra çfarëdo që iu kujtohen).
Ajo nënkupton në klipin qe ne po ia japim gjithë hapësirën e mundshme këtu – se bizneset po i përdorin qytetarët si ‘mburojë’ të interesave të veta te çështja e rrymës.
“...Dhe janë munduar që problemin e tyre ta shndërrojnë në problem të qytetarëve, në panik në qytetarëve, në frikë të qytetarëve në mënyrë që qytetarët pa dashje të bëhen zëri i tyre dhe të thonë mos të rriet çmimi për ta”, thotë Rizvanolli.
Jo shumë javë më parë, qytetarët kanë protestuar kundër rritjes së çmimit të rrymës ‘për ta’, prej 16.1% më shtrenjtë.
A duhet me pasë gjithqysh një kamion, për demonstrimin e pakënaqësisë dhe frikës se gjendja jonë sociale mund të rëndohet nga rritja e çmimit të rrymës? A nevojitet gjithqysh një kamion, për të na treguar dikush se e kuptojnë dhimbjen, por se do të kalojë?