Parashikimi i pjesëmarrjes në zgjedhje: Metoda, dilemat dhe rezultati final
Shkruan: Shenoll Muharremi
Në Kosovë u tkurr popullsia nga viti 2021, por u rrit pjesëmarrja në zgjedhje në vitin 2025. Vlerësimi apo supozimi i numrit të personave që do të votojnë, apo si i themi daljes dhe pjesëmarrjes në zgjedhje, ka qenë një ndër ushtrimet më komplekse. Kam pyetur disa herë edhe publikisht për perspektiva, por edhe privatisht kam biseduar ndoshta me njerëzit më të mirë dhe me më përvojë që ka vendi ynë i dashur.
1. Metoda me të dhëna
Një mënyrë e shpejtë për vlerësimin e daljes është ndarja e numrit të votuesve me mesataren historike të pjesëmarrjes në Kosovë. Kjo ka qenë metoda e parë që kam zhvilluar, dhe rezultati këtu ishte rreth 915 mijë vota për zgjedhjet e 9 shkurtit.
2. Metoda 'të dhëna + analiza kualitative'
Kjo metodë ka qenë më e avancuar, pasi ka integruar edhe indikatorë të tjerë socialë. Për shembull, ka marrë parasysh numrin e banorëve në vitet 2021 dhe 2025, ku kemi pasur një tkurrje të theksuar sipas regjistrimit zyrtar të vitit 2024. Gjithashtu, ka përfshirë edhe daljen në diasporë gjatë zgjedhjeve të kaluara, si dhe numrin e votuesve vetëm brenda Kosovës (rreth 1.15 milionë sipas regjistrimit të 2024). Në fund, një formulë komplekse ka llogaritur pjesëmarrjen bazuar në historikun e zgjedhjeve, dinamikat e popullsisë dhe emigrimin në diasporë. Kjo metodë ka rekomanduar një dalje rreth 830 mijë votues.
3. Konsultimet publike
Këtu kemi pasur një rezultat që ka rekomanduar një mesatare prej 780 mijë votuesish. Megjithatë, nuk ka pasur shumë diskutime dhe kontribute cilësore. Nuk ka pasur shumë persona të gatshëm apo të interesuar të analizojnë më thellë këtë fenomen.
4. Konsultimet private me njohësit e zgjedhjeve
Këtu kam marrë një feedback tepër heterogjen. Rekomandimet kanë variuar nga 680 mijë vota deri në 1 milion, pa një mesatare kredibile. Ishte befasuese sa i madh ishte hendeku midis vlerësimeve, pasi 680 mijë dhe 1 milion janë vlera tepër të skajshme. Gjithashtu, numri më i madh i personave nga ky grup ka sugjeruar që dalja do të jetë rreth 750 mijë.
5. Strategjistët e Partive Politike
Kampet e zgjedhjeve të partive gjithashtu kanë qenë pjesë e konsultimeve dhe kërkimeve. Ata shumica kanë supozuar se do të i kemi rreth 800k vota.
......
Sot, teksa numërohen votat e fundit, indikatorët tregojnë se në zgjedhjet e 9 shkurtit kemi pasur rreth 910 mijë votues. Nuk e di ende sa do të dalin si vota të pavlefshme dhe me kusht, por ka indikatorë seriozë që sugjerojnë se pjesëmarrja e ka prekur 900 mijë.
Metoda që bazohet vetëm në të dhëna historike dhe pa asnjë analizë kualitative ka dalë jashtëzakonisht e saktë. Kjo sugjeron që, për vlerësime të tilla, një qasje e pastër numerike mund të jetë më e besueshme sesa përfshirja e faktorëve socialë apo perceptimeve subjektive.
Gjatë fushatës, në të dhënat që kam prezantuar, kam zgjedhur një metodë të kombinuar: bazuar në të dhënat ekzistuese, por duke përfshirë edhe analizën kualitative në formulë. Vlera që kam përdorur ka qenë 830 mijë vota, që ndoshta do të rezultojë të jetë afërsisht sa votat valide brenda Kosovës (pa diasporën).
Ajo që është interesante është se vetëm një person kishte rekomanduar që pjesëmarrja mund të afrohej 1 milion. Një tjetër sugjerim ishte 915 mijë, bazuar vetëm në të dhëna, pa asnjë analizë kualitative. Ndërkohë, shumica absolute e vlerësimeve të tjera ishin 800 mijë e poshtë, me shumicën e njerëzve që mendonin se dalja do të ishte 750-780 mijë votues.
Këtë tekst e elaborova për të ndarë përvojën time mbi vlerësimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, që mund të shërbejë si referencë për të ardhmen. Mbi të gjitha, për të treguar se si një mendim i vetëm, një person i vetëm, që gjatë procesit të konsultimeve dukej "pakicë", doli të ishte më së afërmi dhe më i saktë në vlerësim. Kjo na tregon sa kompleks është nganjëherë procesi i kërkimeve dhe se si një mendje e vetme, nga dhjetëra të tjera, mund të ketë një peshë të jashtëzakonshme.