Ok dajë: E vetmja gjë e domosdoshme për LDK-në, tani
Vota, nëse është manipulim, është edhe krim. Çka duhet të bëj Lumir Abdixhiku, tani?
Dy seri artikujsh të publikuara nga mediumi Reporteri, shpërfaqin korrespodencat e anëtarëve të kryesisë së LDK-së në grupe Viberi dhe Whatsappi, me shqetësime serioze për rezultatin zgjedhor të votave me postë nga diaspora.
Për ne, popullin, çdo kumt për biseda politikanësh në grupe të tilla, qofshin edhe për pikë të qejfit, gati na janë shndërruar në një gjendje ankthi, kur marrim për bazë historikun e zhvillimeve politike me mjetin e komunikimit të quajtur telefon, që nga afera Pronto, biseda e ish-anëtarëve të Vetëvendosjes në Viber, te afera Kusari-Radojçiq, Whatsappit (Vetëvendosje) e deri te kjo e fundit, Viber + Whatsapp e LDK-së.
Pavarësisht se të gjitha dallojnë nga njëra-tjetra, si në përmbajtje po ashtu edhe në peshë, për secilën prej tyre, secili prej nesh, me t’u shpërfaqur në publik, llogarisim dëmin që ato mund ta kenë shkaktuar (ose do ta shkaktojnë në vijim).
Në kuptimin e diskutimit/ dialogut, LDK bashkë me bisedën, vërtetësinë e së cilës deri tani askush nuk e ka kontestuar dhe që në vete – sigurisht se përbën skandal - duke qenë se bën fjalë dyshimet për skemë të organizuar kriminale për vota, e jep si gjithë, edhe një efekt tjetër, atë të mënyrës se si diskuton kjo parti.
Pavarësisht se togfjalët që do t’i përdorim në vazhdim, janë shkruar nga emra shumë të mëdhenj dhe për procese shumë më të mëdha të nivelit global – si demokracia, komunizmi, liberalizmi, patriotizmi kushtetues (e këto…!) ato po i zvogëlojmë tani – që të na hyjnë në punë për të shpjeguar diskutimin – sidomos mes Arben Gashit, ish-shef i deputetëve të LDK-së dhe Kujtim Shalës, nënkryetar i partisë.
Kritika e Gashit, e ngjyrosur figurativisht me piskamën e ujkut - ulurimën, që i tregon Shalës se ‘faktet po ulurasin’ – ky i fundit ia kthen me diçka si: ‘manipulimet nuk kalojnë’. Dhe ia jep haberin se krejt këto shqetësime do të adresohen qoftë ‘te ne’ (partia) qoftë te organet tjera (prokuroria – po hamendësojmë).
Kur biseda Gashi-Shala, sharron në nivele më të thella të kontesimit, i pari i kërkon të dytit, t’ia jep emrin e duhur kësaj pune, emër sado famëkeq: skemë e organizuar kriminale.
Gashi kërkon që ekzaminimi i problemit të bëhet me këtë fjali famëkeqe dhe ‘nip’ Shala nuk ia konteston ‘dajës Arben’ shqetësimin dhe as konstatimin.
Tani, është momenti që t’i (sh)përdorojë ato terme të mëdha nga njerëz të mëdhenj për procese të mëdha, që ta shpjegojë nivelin e kontesimit dhe kritikës në këtë ndodhi në një vend të vogël dhe me peshë sa do të vogël në nivel global dhe ato janë “konsensusi përmes përballjes” – një term i Jean Marc Ferry, që mund të përdoret sot për debatin mes tetë miliardë vetëve (krejt njerëzve në tokë) ose, nëse të duhen si në rastin tonë, mes dy vetëve (në LDK). Ish-shefi i deputetëve të kësaj partie, Arben Gashi, arrin një konsensus me ‘nipin’ Kujtim Shala, se çështja duhet të zbardhet në dritën e fakteve.
Për dallim prej këtij fenomeni, ato që kemi lexuar së fundmi nga biseda të zbardhura në grupe të ndryshme komunikimi mes figurave politike dhe me ndikim mes partive (rasti i VV-së), e tregon të kundërtën e konsensusit përmes përballjes.
Dajët dhe nipat e partisë, ose kryetari me aktivistë, karakterizohen me ‘ethosin përshtatës’, ose mos-kontestimin e asnjë gjëje: vjedhjen e rrymës, punësimet në KEK, e çka do tjetër që për momentin mundet të mos më kujtohet. Si dhe mos-adresimin e tyre në asnjë instancë, qoftë ne parti, qoftë në prokurori.
Mediumi që ka publikuar bisedat e LDK-së, ka paralajmëruar se ka fjalë edhe të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku të thëna në këto grupe, për këtë problem.
A do të jetë më i shpejtë kryetari i LDK-së, që të dalë dhe të flasë për këtë problem, apo më shpejt do të dalin bisedat e reja, me fjalët e tij?
Për hir të ‘konsensusit përmes përballjes’ e jo ‘ethosit përshtatës’, një pjesë e madhe e opinionit publik, deri në këto momente, e kërkon të parën.