Nga qymezi ose si do të duket presidenti deri më 2031? - NACIONALE

Nga qymezi ose si do të duket presidenti deri më 2031?

4 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Para gjashtë vitesh, shtypi gjerman ia krihte bishtin Albinit me pasqyrime të tepruara që nuk thuhen as për hajgare.

Më së largu shkoi analisti i revistës javore Der Spiegel, Keno Verseck.

Sipas tij, Qeveria Kurti 1 ishte e para në Kosovë që nuk ishte formuar në pazare bodrumesh (“nicht in Hinterzimmerdeals).

Duke gëzuar namin prestigjioz të të qenit përfaqësues i ‘shtypit gjerman’, fjala e tij injorante e dëbonte me shqelma e grushta të vërtetën siç e dinim këtu.

A nuk e kishim parë me sytë tanë se martesa e pafat VV-LDK ishte shembull klasik i praktikave të mëparshme negociale në restaurante, shtëpi private e bodrume?

Kjo lalushje gjermane ndikoi jo pak që të krijohej perceptimi për VV-në sikur vendimet e emërimet e saj bëhen gjithmonë në dritën e diellit të transparencës e jo në hije të allishverisheve.

Një hinterzimmerdeals që po e zezon vendin

Ky duhet të jetë psehu që publiku sot ka humbur çdo lloj ndjeshmërie edhe kur vetë Kurti rraset deri në fyt në pazare qymezesh, ose, thënë gjermançe, në Hinterzimmerdeals.

Edhe përmeqatja për presidentin nuk ka asgjë mangut nga mënyra e moçme e pazarllëkut.

Ajo që të pështiros nuk është edhe aq fakti pse bëhet fjalë për dy opsione të mjera nga xhepi i Kurtit.

Skandali është se të dyja opsionet mbartin gjasa maksimale që të shpërndërrohen radikalisht në Albinë të vegjël që do t’i luftojnë betejat e tij më me furi e zell sesa vetë ai.

Presidenti i xhepit të Kurtit do të jetë Tartufi i radhës, aty ku pas devotshmërisë së jashtme fshihet një dyfytyrësi provinciale.

A nuk ishin shfaqje e bezdishme moleriane edhe 1826 ditët presidenciale të hanëmit tonë?

Si kryeministër Kurti u izolua ndërkombëtarisht siç ndodh rëndom me populistët e vegjël, dhe Perëndim e Lindje e leçitën nga bashkësia e njerëzve normalë.

Por, ai e çau izolimin kur nga brinja e tij e krijoi ose e riprodhoi veten në formën e një Eve si ‘presidentja’.

Antiperëndimorizmi i origjinalit ishte pakogjë në krahasim me antiperëndimorizmin e kopjes.

Diskursi antiperëndimor nuk ka folur aq kumburshëm as nga Dodiku e Lukashenko sa nga goja e ‘presidentes’ albinkurtiste.

Dëshira e saj për ta imituar arketipin mashkullor, Albinin ekscentrik, ose edhe tuta për t’u shkëputur prej tij, kompensohej me atituda mendjemadhësie ndaj shteteve mike.

Lexo edhe: Sa kushton një tonelatë me komplekse, pasiguri e vesvese?

Bota duke u rrënuar para syve tanë

Edhe një mandat potencial i saj do të sillte një dramë të tejzgjatur me radikalitetin e saj albinkurtist.

Le të ndërmendet edhe fakti tjetër se deri më 2031 presidentllëku do të stërkeqet deri sa të mos njihet.

Pushteti i Albin Kurtit tashmë është kompletuar si regjim e si autokraci, dhe një president a presidente do të jetë vrima e fundit e kavallit.

Institucioni i presidencës do të jetë një zbukurojcë e ndryshkur në një vend ku një kryeministër me pushtet të frikshëm ka shuar çdo pol tjetër konkurence në peizazhin institucional e jashtë tij.

Dikur presidenti përbente një garancë të hekurt që edhe në kohë çmendurish do të ishte një zë arsyeje që trazon rrugën e humbur duke e rigjetur Perëndimin si adresë ndihme.

Mirëpo, presidenti ose presidentja nga 2026 deri më 2031 nuk do të jetë një bari i tillë benovolent.

Ai ose ajo nuk do ta ketë më mundësinë e një qasje të pavarur me Perëndimin. Kjo sepse ekzistenca e tij do t’i detyrohet një Albini tiranizues.

Edhe më keq kur në këto këpucë mund të vihet cilido nga familja Jashari.

Si dhimbje që na shfaqej para syve të pafuqishëm tanë, plot anëtarë të kësaj familje përfunduan vullnetarisht si aktivistë të Vetëvendosjes pa qenë fare formalisht pjesë e saj.

Pashpjegueshëm, si në një ëndërr të keqe, familja tek e cila u delegua aura më e madhe morale e shqiptarëve, po ajo familje i hoqi me vetëdashje supëzat e arit, sharmit e sipranisë.

Rrugën e zorshme e të nderuar të asnjanësisë e unitetit e këmbeu lirë me rrugën e kollajshme të konformimit e të partizanllëkut për partinë më shtetshkatërruese e antiperëndimore që lindi ndonjëherë në Kosovë.

Satani që manipuloi

Albini nuk do të arrinte, edhe sikur t’i kishte dy jetë, ta manipulonte Thaçin magnificient a Kadri Veselin e madh sa jeta, e mbase as pjesën kryesore të bartësve të luftës çlirimtare.

Si gjarpëri biblik, ai shënjestroi përherë karakteret e dobëta, fragjile e të flashkëta.

Në këso raste, ai i mësyu ata që bëhen më së lehti viktima të dizajnit psikopat: ata që janë dërrasëmangut intelektualisht, ata që janë të padijshëm e naivë.

Kësodore, satani i veglizoi disa nga njerëzit e UÇK-së që nuk ishin asgjëmangut pos injorantë.

Më 2007, si orli në hava që lëshohet me kthetra mbi lepurin në livadh, ai e kapi komandant Naser Shatrin, krenarinë lokale të Podgurit, një trim i madh, por edhe një sarhosh i pashoq. Viktimë ideale.

Më 2012, satani e fandaksi edhe Sylejman Selimin.

Më 2019, satani e budallepsi edhe komandantin dikur të madh të Llapit, Rrustem Mustafën-Remin, autor librash të shkruar nga shkrimtarë fantazma.

Këta dy të fundit, njëri drenicak e tjetri llapjan, i dhanë nga një spaletë gjenerali Kurtit, duke e etabluar si të vërtetë rrenën më të neveritshme të pasluftës, që demek Kurti na paska qenë ushtar i denjë i UÇK-së.

“Një qenie tjetër të shfaqet dhe fëmijë dhe plak”

Nga 2020-a e këndej, satanit iu hap edhe dera në shtëpinë e Jasharjve.

Sa nga provincializmi i shëmtuar që edhe karakteret e burrave të nderuar i shndërron në kalamaj, po aq edhe nga injoranca deri në zi kombëtare, disa nga Jasharajt përfunduan në aktivista të lirë albinkurtistë.

Dhe kështu Kurti aurën morale të Prekazit të shenjtë e kthente si rrjetë erinish greke për ta robtuar Kosovën.

Mbrapshtia zbrazte dolli të fitores.

Teprimet tona ndodhin ose kur bëhemi kalamaj, ose kur bëhemi pleq që pështyejmë këlbazë. Të tillët përbëjnë zemrën e VV-së.

Dikur poeti sojli e esnaf, Adem Gashi, tani jetëndërruar, shkroi:

Kush e mendonte se në tryezë një mizë
është më sovrane se ti,
se dorë e padukshme hedh një shtizë
dhe të godet shitueshëm në ijë.
Dhe thua: punë që ndodhin, ligje jete,
dhe e ndien si sosesh nga pak,
veçse papritmas një qenie tjetër
përbrenda të shfaqet dhe fëmijë dhe plak
”.

Lajme të ngjashme