Naim Frashëri nuk luftoi për “shtet bektashi”: Pse ideja e Edi Ramës është e rrezikshme? - NACIONALE

Naim Frashëri nuk luftoi për “shtet bektashi”: Pse ideja e Edi Ramës është e rrezikshme?

1 muaj më parë

nga Mirlind Behluli

Në OKB janë mbajtur shumë fjalime, disa prej të cilave historike për nga rëndësia, disa të tjera me përmbajtje absurde. Në kategorinë e dytë, atë të fjalimeve të çuditshme, do të zërë vend këmbëkryq edhe fjalimi i fundit i Edi Ramës. Me një fjalim me grimasa teatrale, që u duartrokit në fund nga përfaqësuesit e Shqipërisë, Rama shpalosi seriozisht një ide qesharake, duke njoftuar se e synon themelimin e një shteti sovran bektashi. Pse kjo ide është e rrezikshme?

Që në krye të herës, duhet të theksojmë një gjë ashiqare. Jetojmë në shoqërinë e shekullit XXI, shoqëri e ndërtuar nga iluminizmi sekular dhe e mbisunduar nga debatet mbi të ardhmen e species njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale. Në botë, ekzistojnë shumë pak lëvizje, kryesisht radikale e terroriste, që e propagandojnë ndërtimin e shteteve fetare.

Pavarësisht pretendimeve për “tolerancën”, “islamin modern” dhe “harmoninë”, shteti bektashi do të jetë shtet fetar, i bazuar në një interpretim krejtësisht absolutist për “të vërtetën tejkohore”, “botën tjetër” dhe Zotin. Madje vetë Baba Mondi në artikullin e “New York Times”-it e shpalosi këtë logjikë dogmatike, duke thënë se bektashinjtë janë “të vetmit në botë që e thonë të vërtetën për Islamin”.

Në këtë kontekst, shteti bektashi në Tiranë do ta interpretojë në mënyrë zyrtare fenë islame, duke e hapur derën e keqpërdorimeve politike. Pra shteti bektashi është përpjekje anti-iluministe, sepse përqasjen individuale dhe personale të fesë e nënshtron ndaj interpretimit zyrtar e dogmatik. Në vend të fesë personale, të çliruar nga “kthetrat politike të shtetit”, tash do të kemi interpretim zyrtar të islamit, bash sikurse në Mesjetë.

Vetë lideri i bektashizmit, Haxhi Bektash Veliu, nuk ndërtoi kurrë shtet. Ai udhëtoi në vise të ndryshme, jo për të ndërtuar shtete, por për t’i fituar zemrat e njerëzve. Prandaj, Bektashi Veliu u quajt “Sulltan i Zemrave” e jo pushtues i tokave. Nëse ndërtohet ky “mikro-shtet”, është i pashmangshëm efekti domino në Ballkanin Perëndimor, duke u dhënë edhe material, edhe legjitimitet lëvizjeve përçarëse në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Bosnje e Mal të Zi.

Përveç “tradhtisë” ndaj iluminizmit, projekti i shtetit bektashi e sulmon në mënyrë thelbësore edhe frymën e kombit shqiptar. Që nga ngjizja e kombit shqiptar, qasja dominuese dhe zyrtare e ndërtimit politik dhe shoqëror ka qenë mbifetaria. Jemi komb unik në botë, pa fe zyrtare. Kjo frymë është ndërtuar vështirë dhe ngadalë, por është ruajtur me xhelozi përmes shkrimeve, folklorit e madje edhe luftës.

“Vërtet ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë” – është maksima e shqiptarizmës, e cituar gjerësisht si shenjë e harmonisë ndërfetare. Shteti bektashi e sulmon pikërisht këtë çati të përbashkët të shqiptarëve me fe të ndryshme. Natyrisht, përgjatë historisë sonë, kombi ynë mbifetar është sulmuar, prej haxhiqamilëve, Republikës së Mirditës dhe Protokolleve të Korfuzit. Megjithatë, të gjitha lëvizjet përçarëse janë harruar në histori.

Në një përpjekje dëshpëruese për ta bërë më joshëse idenë e shtetit bektashi, kryeministri Rama përdori një fotografi të Naim Frashërit, poeti ynë kombëtar. Në fakt, krejt jeta dhe vepra e Naim Frashërit është kundër idesë së ndarjes të shqiptarëve. Naimi, sikurse dy vëllezërit e tij, luftuan për Shqipërinë, për kombin shqiptar. Naimi nuk shkroi poezi për shtetin bektashi, por pikërisht për Shqipërinë, që i jepte edhe nder, edhe emrin shqiptar. Sigurisht, trashëgimia bektashiane e Naimit është e madhe, që nga interpretimi i tij mbi Qerbelanë, unisimin e qenies e deri te komentet mbi Kuranin, dhe kjo trashëgimi duhet ruajtur me kujdes të veçantë.

Përballë ndërtimit të shtetit bektashi qëndron një traditë kombëtare e vetë bektashizmit, që është një nga kontribuueset më të mëdha në ndërtimin e kombit shqiptar. Një shekull më parë, Çerçiz Topulli, luftëtar i paepur për çlirim kombëtar, ishte në një çetë bashkë me Mihal Gramenon, tjetër figurë e madhe kombëtare. I pari bektashi, tjetri ortodoks, por që të dy luftëtarë për Shqipërinë. Natyrisht, Çerçiz Topulli ishte “ithtar” i teqesë bektashiane në Gjirokastër të Selim Ruhi babës, të cilët pa dyshim kanë luftuar për ndërtimin e shtetit shqiptar e jo bektashian. Disa dekada më vonë, kjo frymë kombëtare e Topullit do ta frymëzonte Adem Jasharin, kryeheroin e Kosovës, në luftë kundër Serbisë.

Nëse themelohet shteti bektashi në Tiranë, atëherë do të jetë tradhti e trefishtë: kundër iluminizmit, kundër Rilindjes Kombëtare dhe kundër vetë bektashizmit. Në rast të themelimit të shtetit bektashi, interpretimi im mbi figurat e Haxhi Bektash Veliut dhe Naim Frashërit mund të shpallet heretik, rrjedhimisht i gabuar. Ndoshta shteti bektashi ndaj meje do të lëshonte edhe një fletarrest ndëkombëtar për intepretim denigrues ndaj dy figurave. Sa për ta dërguar deri në fund këtë imagjinatë destopike, shteti bektashi ndoshta do të më dënonte në mungesë.

Lajme të ngjashme