Liburni vs Glauku: Dy kokat e VV-së me qëndrime të ndryshme për bashkimin kombëtar, Kurti diku në mes
Glauk Konjufca dhe Liburn Aliu janë në Lëvizjen Vetëvendosje që në zanafillë. Pak njerëz, absolutisht pak njerëz, mund të pretendojnë se janë anëtarë më të hershëm të VV-së se Glauku e Liburni. Ndoshta vetëm Albin Kurti, kryetar aktual i VV-së. Por, së fundmi, Konjufca dhe Aliu kanë pasur dallime në një temë dikur qëndrore të VV-së: bashkimin me Shqipërinë, siç ndryshe njihet bashkimi kombëtar.
Përveç të kaluarën e përbashkët politike, Konjufca e Aliu përbashkohen edhe në emrat e përveçëm të tyre, pasi dy kokat e VV-së mbajnë emra me rëndësi historike, njëri të një mbreti ilir, ndërsa tjetri të një fisi ilir. Ata janë në një qeveri, por duket se s’janë në një univers të njëjtë mendimi.
Tashmë duket se ata nuk puthiten në idenë e bashkimit kombëtar dhe të indetitetit të pavarur kosovar. Përderisa Glauku beson në mëvetësinë e identitetit kosovar – madje edhe të kombit kosovar – Liburni e shesh Kosovën si “projekt të përkohshëm”.
Ëndrra e Glaukut është ankthi i Liburnit. I pari, pra Konjufca, beson në ëndrrën e kombit kosovar, që është një anatemë e bile heretizëm për përkrahësit e bashkimit kombëtar. I dyti, pra Aliu, beson në mënyrë të fortifikuar te bashkimi mes shqiptarëve, duke e konsideruar historinë e shtetit të Kosovës si një trajektore lineare drejt bashkimit me Shqipërinë.
Hiç më larg se gjatë kësaj jave, Konjufca u deklarua në mënyrë interesante për bashkimin me Shqipërinë, duke e quajtur paradoksal “shkatërrimin e dy shteteve” për ta bërë një shtet. Në mënyrë indirekte, Konjufca hoqi dorë nga bashkimi i shqiptarëve në një shtet.
“Paj, ndoshta Liburni në mënyrën qysh e ka thanë, mendoj se është keqkuptuar. Ai e ka thënë që bashkimi për nga definicioni është bërja prej dy shteteve në një shtet. A e di qysh ka thënë ai, kjo e zhdukë edhe Shqipërinë, nuk duhet me marrë prej bishtit. Shumë njerëz në Kosovë dhe Shqipëri janë për bashkim kombëtar. Nuk është tabu kjo. Jo, nuk mundem me thënë që Kosova është shtet i përkohshëm. Nuk është shtet i përkohshëm, qysh është shtet i përkokshëm? Kosova ekziston, Kosova do të ekzistojë”– deklaroi ai, duke shtuar se shqiptarët duhet të kenë një integrim gjithnjë e më të madh mes vete.
“Ky integrim i shqiptarëve nuk mundet me ndodhë duke i zhdukë dy shtetet tona. Është shumë vështirë, edhe pak paradoksale, në shekullin 21 me i zhdukë dy shtete dhe mu bo një”– ishte kirurgjikisht i qartë Konjufca në emisionin "Rubikon".
Në anën tjetër, nëjtë kirurgjikisht i qartë ishte edhe Aliu, duke e cilësuar si të përkohshëm shtetin e Kosovës.
“Unë e shoh sot Kosovën më shumë si një projekt të përkohshëm. Cilat janë elementet që sot përpiqen me kriju kombin kosovar? Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e një vendi multi-etnik, çfarë është kosovari, a është kosovari shqiptar apo diçka tjetër, nëse do të krijonim një komb që do të synonte një përzierje të etnive, nuk e di sa do të ketë sukses, dhe nuk është duke pasur sukses… “Unë mendoj që projekti Kosova shtet i pavarur është një projekt i përkohshëm që ka me marrë një rrugë. Rruga është normale, zhvillimi ekonomik, qarkullimi i vazhdueshëm brenda gjithë Ballkanit, do ta kthejë në vendin e vet ku do të shuhen të gjitha ato shovinzimat e të gjithë do të ktheheshin në vendin e vet”- deklaronte Aliu javë më parë në emisionin “Zanat”.
Në lidhje me këtë deklaratë, Kurti kishte thënë se nuk e ka dëgjuar, duke shtuar se emisioni kishte karakter festiv, pasi ishte mbajtur më 28 nëntor, datë që e shënon pavarësinë e Shqipërisë.
Megjithatë, Kurti nuk dihet saktë nëse sot qëndron për bashkim me Shqipërinë, pasi që kohë më parë kishte deklaruar se neni 1.3 i Kushtetutës së Kosovës e ndalon bashikimin me një shtet tjetër. Por Kurti, herë pas here,i rikthehet bashkimit kombëtar. Andaj, Kurti e meriton vendin në mes të Konjufcës e Aliut, pra në “sanduiç”, ashtu siç edhe i ka mendimet si në mes.