Kurti e çeli kuletën, por populli nuk shitet për pak para
Dje kryeministri e çeli kuletën e buxhetit të Kosovës, duke i rritur pagat e dhjetëra mijëra shërbyesve civilë, kategori elektoralisht joshëse. Rritja e pagave tashmë është shndërruar në “traditë” politike e shënimit jozyrtar të “etheve” paraelektorale. E ka bërë para dhjetë vjetëve Hashim Thaçi, e bën sot Albin Kurti. Vendimi i tillë është një mjet më shumë në dorën e pushtetit në luftën e përditshme për ta mirëmbajtur fuqinë elektorale, por edhe një “shpresë”, për mua e paqëndrueshme, për ta peshkuar votën e re.
Rritja e rrogave, sado e vogël, është edhe e nevojshme, edhe mirëseardhur. Në një shoqëri të ballafaquar me rritjen e inflacionit në këto katër vitet e fundit, rrogat më të mëdha nënkuptojnë një hapësirë më shumë akomoduese ndaj ndikimeve të rritjes së kostos së jetës. Në vetvete, rritja e pagave është rritje e fuqisë blerëse e, rrjedhimisht, e mirëqenies së qytetarëve. Kjo “e vërtetë aksiomatike” vlen, vetëm nëse rritja minimalisht e tejkalon vlerën tërësore të inflacionit në katër vitet e fundit, që ka qenë goxha i madh në produktet ushqimore elementare.
Atëherë kur mungon “balancimi” mes rritjes së pagave dhe inflacionit, rritjen e pagës e gëlltisin çmimet e shtrenjtuara, duke mos kontribuuar në shtimin e fuqisë blerëse. Në vend të rritjes së mirëqenies, më shumë gjasë kemi një mirëmbajtje e “status quo”-së së fuqisë blerëse, e cila në vete nuk sjell ndonjë ndryshim cilësor në jetën e qytetarit. Edhe me këtë rritje, zor se mund të flitet për mirëqenie më të madhe të qytetarëve në vitin 2025, në krahasim me atë të periudhës para inflacionit. Prandaj, reagimet e sindikatave të ndryshme, të cilat shprehën mospajtim me sasinë e rritjes së pagave, është i arsyeshëm.
Sidoqoftë, përtej ekonomisë, ekzistojnë edhe dy dimensione politike e morale të vendimit të fundit të Kurtit. Nga pikëpamja morale, rritja e rrogave në prag të zgjedhjeve është e gabuar. Duke i rritur rrogat, pushteti shfrytëzon një metodë që vetë e kishte kritikuar më parë. Nëse përdor mjete ekskluzive të pushtetit, duke e vendosur në pozicion të pabarabartë opozitën – meqë i mungojnë këto vela të pushtetit –, është e dënueshme nga rrafshi moral. Krejt çfarë i mbetet opozitës janë premtimet, me karar e pa karar, gjë e cila bart një rrezikshmëri të reduktimit të opozitës në një grumbull premtimesh në hava.
Nga ana politike, vendimi i Qeverisë Kurti mund të lexohet si një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar një “kredit elektoral” për zgjedhjet e ardhshme. Në mungesë të kapitalit tjetër politik, Qeveria Kurti i mëshoi rrugës së shkurtër, duke tentuar t’i shënjestronte votat e shërbyesve civilë. Vendimi për rritjen e pagave është rrjedhojë e një mendjeje dembele, që nuk di të krijojë politika të zhvillimit. Në këtë kontekst, vendimi i Kurtit as nuk është kreativ, as politikisht fitimprurës. Nëse nuk ke ofruar asgjë thelbësore për katër vite qeverisje, atëherë gjëja më jokreative është që ta hapësh kuletën e shtetit.
Qeveria Kurti II tashmë i ngjan Qeverisë Thaçi II, pasi të dyja këto qeveri vepruan njëjtë. Madje, rritja e pagave në kohën e Thaçit, edhe në përqindje, edhe në të ardhura monetare, ishte më e lartë se vendimi i djeshëm i Kurtit. Siç thoshte dikur Alija Izetbegoviqi, njeriu e humb luftën, kur nis t’i ngjajë armikut të tij. Prandaj, në këtë pikë, Kurti më nuk ekziston në ndonjë nivel moral e politik më të lartë se Thaçi.
Në fund, Thaçi në vitin 2014 nuk e kishte rritur bazën e tij elektorale. Madje, në krahasim me vitin 2010, PDK-ja e Thaçit në vitin 2014, ndonëse kishte në koalicion katër parti të tjera, ishte tkurrur për dy mijë vota. Më shume se rritja e rrogave, në fitoren e Thaçit kishte kontribuar përçarja dhe mungesa e një platforme politike të qartë të opozitës dhe premtimet e mëdha të PDK-së me “Misionin e Ri”. Kurti duhet të kuptojë një gjë të thjeshtë. Nëse në vitin 2014 PDK-ja nuk ka arritur ta kapitalizojë në mënyrë substanciale rritjen madhore të pagave, nuk ka asnjë garanci të matshme që VV-ja të fitojë simpati me një rritje “simbolike” të pagave në krahasim me atë të Thaçit.
Për më shumë, kur historia përsëritet për herë të dytë është një farsë. Në këtë rast, përsëritja e historisë së rritjes së pagave, qytetarëve të varfëruar mund t’u tingëllojë si një farsë e mirëqenies. Kurti e di se nuk ka ardhur në pushtet me premtimet për rritje të pagave, por për drejtësi, zhvillim ekonomik dhe luftë kundër krimit e korrupsionit. Nëse nuk kanë ngjarë asnjëra prej këtyre në katër vitet e fundit, atëherë rritja e pagave vështirë se e tret zhgënjimin e qytetarëve.
E fundit, por jo për nga rëndësia, Kurti mund t’i konsiderojë gati gjysmën e qytetarëve si “analfabetë funksionalë” e popullin si “jo ekspert”. Përtej pikëpamjeve miope të Kurtit, qytetari ka edhe dije, edhe dinjitet. Është mjaftueshëm i mençur për t’i parë manovrat politike me pagat si diçka të neveritshme. Mbi të gjitha, qytetarët janë mjaftueshëm të dinjitetshëm sa për të mos e “shitur” votën për një rritje të vogël të pagave. Në fakt, këto para janë të popullit dhe po i kthehen popullit.