Kur do ta ndalin këtë rrëfim këto hundë 'atdhetare’? - NACIONALE

Kur do ta ndalin këtë rrëfim këto hundë 'atdhetare’?

11 muaj më parë

nga Dafina Demaku

“Si krejt bota, e mbjella edhe unë një pemë javën e drurit dhe e vadita me gjak. Tek sa po e rrëmoja tokën, e ngrita kazmën ma tepër se c’duhej dhe e përpoqa në hundë. Hunda qau dhe lotët që derdhi ishin prej gjaku.”

Këto fjali janë të shkruara para 92 vitesh prej pendës së gazetarit, publicistit e polemizuesit më të veçantë shqiptar, Nonda Bulka.

Ky shkrim i 1933-s m’u kujtua mbrëmë kur po e dëgjoja një debat televiziv. Kjo karikaturë e njeriut të vogël profiter i përgjigjej tepër mirë atij që dje na shfaqej në televizione për të arsyetuar e stërarsyetuar praninë e vet krahëpërkrah një armiku të madh të Republikës së Kosovës.

Fotografia, thonë, se flet sa një mijë fjalë, por ja që personazhi i njohur, mbështetës i partisë në pushtet, ndjente nevojën t’i mohonte këto një mijë fjalë e t’i zëvendësonte me rrëfimin e vet të mjerë.

Ndaj, ka plot arsye që ‘Hunda atdhetare’, kjo ese nga më të mirat për nga stili dhe përmbajtja ironike, flet edhe sot.

Aty thuhet se njëri e lëndoi keq hundën ndërsa po ia bënte ‘adetin’ mbjelljes së një druri me rastin e Javës së Drurit. Ai e ngre më tepër se ç’duhet kazmën dhe e godet padashje hundën, e cila siç edhe pritet shpërthen në gjak. Kjo i mjafton personazhit satirik që ta shpallë veten hero e baraz me heronjtë. Nonda thotë se meqë lëndimin e mori teksa po mbillte një dru për atdhe, atëherë nga ajo ditë ishte njëri nga atdhetarët.

Sharlatanët e çdo lloji, që tash kanë pushtuar më shumë se kurrë studiot televizive, sillen e pështillen rreth atij që e kanë problem jetësor. Ata duan të tërheqin paralele mes hiçit të tyre duke iluzionuar se janë baraz me njëqind a një mijë ushtarë të UÇK-së, madje edhe me vetë flijimin e komandantit Adem Jashari.

Kjo nonshalancë me krahasime të pavenda e të poshtra, ku vihen përballë sharlatanë me ushtarë të UÇK-së, madje me Adem Jasharin, po shkel emocionalisht mbi një pjesë të shoqërisë.

Këtyre përpjekjeve relativizuese të eksponentëve të sharlatanizmit duhet t’iu dalë përballë një shkronjë, një fjalë a një nen.

Në të kundërtën, këta sharlatanë, radhët e të cilëve shtohen nga dita në ditë, po e krijojnë një tregim paralel të historisë sonë më të re.

Duke e relativizuar dhe minimizuar luftën e UÇK-së, rrëfimi i tyre po krijon përshtypjen sikur më i rëndësishëm është gjaku që del nga hunda në aksionin për mbjellje drunjsh sesa gjaku që u derdh prej së vërteti jo shumë kohë më parë në Kosovë.

Lajme të ngjashme