Kultura e paushallit “O hajna” – shkatërrimi i besimit - NACIONALE

Kultura e paushallit “O hajna” – shkatërrimi i besimit

10 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Publiku reagoi plot pezm ndaj pamjeve filmike kur një polic, teksa po e arrestonte, e flakareshi dhe e grushtoi një burrë jo njëherë, po disa herë. Edhe kur videos iu vunë titrat dhe u pa që i arrestuari i fyente policët “o hajna”, reagimi ishte njësoj i pamëshirshëm për policin shuplakëdhënës dhe jo për të arrestuarin që e kastigon pa hak personin zyrtar. Thirrori “O hajna” ka krijuar bindjen rrezikshmërisht të dëmshme se ekziston një pikëprerje si me gërshërë: kleptomania jeton vetëm mes njerëzish të shtetit, kurse shoqëria është krejt e dëlirë dhe pa këto vese. “Hajnia” e leksikut popullor është më tepër një fjalë që në sqetullën e vet konotative bart nënkuptesa për korrupsionin, hiletë e zhvatjet turlifare gjithnjë atje sipër në shtet. Ky arbitraritet kuptimor e ka absolvuar dhe larë nga mëkatet atë që është kulturë e vërtetë korruptive që fillon nga katet e poshtme e përdhesë të shoqërisë.

Col MEHMETI

Le t’i gjykojmë do ndodhi pa emra e mbiemra si ato që quhen textbook case (rast librash shkollorë).

Një burrë nga Klina iu tha “o hajna” policëve që i kishin shkuar në prag të shpisë për ta arrestuar . Dhe njëri nga policët, pa menduar gjatë, ia ktheu lex talionis me shuplaka e grushta.

Polici këtu u shlirua prej mëgojëzave të autorizimeve ligjore si shpagim për tjetrin që iu duk se edhe ai u shlirua nga frerët e mirësjelljes kundrejt personit zyrtar.

Pamjet filmike të kamerave përreth, megjithëse u titruan sa për të dhënë pak kontekst, nuk e bënë zap pezmatimin e publikut.

Në këso raste radarët e zemëratës publike lëshohen me të madhe fiu-fiu.

Kaq mjafton dhe saora nxjerrin krye edhe partizanët e mitit urban “All Cops Are Bastards”.

Kësodore u harrua causa prima (shkaku i parë) që policin e bëri përnjëherësh të shndërrohej nga një njeri i ligjit në shuplakëdhënës.

Me vite e vite është shpërdoruar pashpirtësisht me thirrorin “O hajna!” që mendohet si protestë zemërplastë ndaj politikës.

Problemi është se, në pjesën më të madhe të raseve, ky thirror bie mbi koka njerëzish të pafajshëm e të ndershëm vetëm e vetëm pse qëllojnë rastësisht të jenë në anën tjetër ‘kundërshtare’, qoftë si mospërkrahës të partisë në pushtet, qoftë si votues të partive opozitare.

Rrufeja “O hajna”, për shembull, nuk bie kurrë mbi koka ministrash të korruptuar a përfaqësusish të pushtetit lleftist si Liburn Aliu, Faton Peci a Martin Berishaj.

Ata ecin mespërmes çarshisë me kryet përpjetë duke u ngjatjetuar me përshëndetje kalimtarësh.

Për fat të keq, rrufetë dinjitetvrasëse më së shumti marrin në qafë njerëz që më së paku janë në pozita për t’i bërë zarar parasë publike apo për të vënë dorë në tendera.

Ajo bie mbi kryet e një polici që merr rrogë 525€ në kushtet e hiperinflacionit dhe varfërisë kapitëse.

Siç dëgjohet në ata sekonda violentë, sapo hyn në rrebeshin e flakareshëve dhe goditjeve nga polici, po i njëjti burrë i arrestuar i dredhon fjalët “nuk ju thashë juve hajna, por atyne…”

Është duke u krijuar dalë-dalë një skizotip shoqëror që, pavarësisht shfrenimit verbal, në përballjen e parë serioze me aparatin e shtetit sprapset dhe fjalët e veta i ndryshon sikur të mos kishte ndodhur gjë.

Ka pasur dhe ka raste të shumta në gjykata kur njerëz që kërcënojnë online (kryesisht mbështetës të partisë në pushtet), në çastin që ballafaqohen me konsekuenca ligjore, seancat gjyqësore i shndërrojnë në skena patetizmi me shpërthim në vaj, me kërkim falje e me shfaqje të tjera maskarallëku.

Mendësia “O hajna” më tepër sesa ta jashtësojë kulturën kleptokratike në ngrehën e shtetit po e natyralizon atë.

Ajo krijon bindjen rrezikshmërisht të dëmshme se kleptokracia ka një si pikëprerje me gërshërë: ajo jeton vetëm mes njerëzish të shtetit dhe shoqëria është krejt e dëlirë dhe pa këto vese.

“Hajnia” e leksikut popullor është më tepër një fjalë që në sqetullën e vet konotative bart nënkuptesa për korrupsionin, hiletë e zhvatjet turlifare gjithnjë atje sipër ose brenda shtetit.

Ky arbitraritet kuptimor e ka absolvuar dhe larë nga mëkatet atë që është kulturë e vërtetë korruptive, atë që albanologu i ndjerë Robert Elsie kaherë e kishte gjuhësuar nëpërmjet një shembulli.

Kur e kishin pyetur nëse do të zgjedhte Shqipërinë për të jetuar, përgjigjja e tij kishte qenë prerazi ‘Jo’.

Dhe si arsye për të mos jetuar në Shqipëri, ai kishte përmendur se për të kryer edhe punën më të thjeshtë në administratë, gjëja e parë që duhet bërë është të pish një kafe me një mik, që e ka mik dikë tjetër, i cili pastaj e ka të njohur ministrin apo edhe nëpunësin më të thjeshtë.

Pra, është rrënjosur aq thellë përshtypja budallaqe sikur shfaqja e korrupsionit është vetëm institucionale e shtetërore, duke i harruar shkaqet kulturore.

Tash këtu nuk është vendi të bëhet një listë shkaqesh historike, por gjithherë ka pasur një distancë ndaj cilido pushtet shtetëror të huaj.

Inefikasiteti i tij ka sekretuar forma të tilla ku legjitimohet ryshfeti, mitoja e forma të tjera korruptive.

Për ta përmbledhur nga e para, shprehia për të kastiguar tjetrin paushall si “hajn” më së shumti ia ka hequr copë atij që quhet besim shoqëror (Social Trust) dhe prej të cilit si me allç lidhet ngrehina e shtetit.

2400 vjet më parë, Aristoteli iu binte këmbanave se një polis ia bën gjëmen vetes kur secili e humbet besimin te tjetri.

Lajme të ngjashme