Grusht shteti kushtetues
Shkruan: Robert Muharremi
Kur kushtetuta e një vendi nuk respektohet si normë themelore e shtetit, por instrumentalizohet për pazare politike, atëherë vetë shteti vëhet në pikëpyetje. Mospropozimi i kandidatit për Kryetar të Kuvendit pa u bërë më parë një marrëveshje për Presidentin e shtetit nuk është thjesht një lojë politike. Ky është shembull tipik i asaj që në literaturën akademike trajtohet si “legalizëm autokratik”, d.m.th. keqpërdorimi i normave të shtetit si armë për të bërë një grusht shteti të heshtur nga brenda duke e çuar vendin nga një shtet juridik në një shtet autokratik.
Nuk ke nevojë për ushtri apo tanke për të shkatërruar rendin kushtetues të një shteti. Mjafton me e keqpërdor një normë kushtetuese, që është shkruar për të funksionalizuar shtetin, me qëllim që përmes saj ta bllokosh shtetin dhe ta bësh atë jofunksional. Sipas Nenit 67 të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, partia ose koalicioni që ka fituar zgjedhjet ka të drejtën ekskluzive të propozojë Kryetarin e Kuvendit. Kjo është një e drejtë plotësisht legjitime, sepse pasqyron vullnetin demokratik, dhe ka për qëllim që të lehtësohet krijimi i institucioneve shtetëtore, konkretisht Kuvendi i Kosovës. Por sot, kjo e drejtë është kthyer në një armë për të bllokuar shtetin. Në vend që të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe të hap rrugën që Kuvendi të konstituohet, partia fituese e keqpërdor këtë të drejtë për të mos e lënë Kuvendin të konstituohet. Duke thënë se pa u marrë vesh për Presidentin, nuk ka Kryetar Kuvendi, ajo vendos një kusht që nuk ekziston askund në Kushtetutë. Ajo arsyetohet se e ka të drejtën kushtetuese të propozojë kandidatin për Kryetarin e Kuvendit, por në të vërtetë,ajo po përdor Kushtetutën për të shkatërruar frymën dhe qëllimin e saj.
Pas interpretimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta e Kosovës nuk lë vend për interpretime rreth seancës konstituive. Procesi i konstituimit të Kuvendit është i qartë; bëhet verifikimi i mandateve, betimi i deputetëve, dhe zgjedhja e Kryetarit e Nënkryetarëve. Vet Gjykata Kushtetuese e ka theksuar, se asnjë parti ose koalicion nuk ka të drejtë të bllokojë konstituimin e Kuvendit, sepse konstituimi brenda afatit kushtetues është i detyrueshëm. Këtu nuk ka hapësirë për pazare politike. Të kushtëzosh zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit me marrëveshje për Presidentin do të thotë të shkelësh Kushtetutën.
Moskonstituimi i Kuvendit e rrënon ndarjën e pushteteve, i cili është një prej shtyllave kryesore të një rendi kushtetues liberal, për çka Kosova është zotuar në deklaratën e saj për shpalljen e pavarësisë. Pa u konstituuar, Kuvendit i pamundësohet të miratojë ligje, të miratojë buxhetin dhe të kontrollojë qeverinë. Pushteti ekzekutiv mbetet në duart e një qeverie në detyrë, e cila vazhdon të udhëheqë pa asnjë mbikëqyrje nga deputetët e popullit. Presidenti i shtetit nuk mund të zgjedhet pa u konstituuar Kuvendi, ndërsa ushtruesit të mëparshëm të deytrës së Presidentit i ka skaduar mandati, kështu që shteti as nuk ka Kuvend e as President. Tani vetëm mungon që të paralizohet edhe Gjykata Kushtetuese dhe nuk ka më asnjë mekanizëm që siguron ndarjen e pushteve dhe kontrollin e ndërsjellë dhe Kosova kalon plotësisht nga një demokraci liberale perëndimore në një sistem autokratik. Ndoshta ky është edhe qëllimi i grupeve të caktuara të cilat kanë bërë karrierë politike duke kundërshtuar çdo proces që ka çuar drejt shtetësisë së Kosovës, që kanë kundërshtuar deklaratën e pavarësisë dhe kushtetutën si dhe kanë mohuar simbolet e shtetit.
Sipas nenit 2 të Kushtetutës, sovraniteti i përket popullit dhe ushtrohet përmes deputetëve të zgjedhur. Kur Kuvendi bllokohet sepse kushtëzohet me marrëveshje për postin e Presidentit, sovraniteti i merret popullit dhe mbahet peng nga grupet politike që e bllokojnë konstituimin e Kuvendit. Armik i Kosovës nuk është vetëm ai që e kërcënon sovranitetin e vendit nga jashtë, por edhe ai i cili nga brenda ia mohon popullit ushtrimin e sovranitetit duke bllokuar funksionalizimin e institucioneve përmes të cilave populli e ushtron sovrantetin, konkretisht Kuvendin e Kosovës.
Çfarë ndodh kur Kushtetuta keqpërdoret dhe cenohet sovraniteti i popullit nga brenda? Nëse çdo parti që del e para mund ta bllokojë shtetin sa herë që nuk merr çfarë dëshiron, atëherë Kosova nuk është më një republikë parlamentare ku respektohen Kushtetuta dhe ligjet e saj, por ajo shndërrohet në një shtet autokratik të kapur peng nga grupe të caktuara për qëllime të shantazhit politik.
Për të mbrojtur demokracinë, sovranitetin dhe rendin kushtetuese të Kosovës, gjërave duhet t'u thuhet emri i vërtetë: çfarë po ndodh sot është një tentativë për grusht shteti kushtetues përmes keqpërdorimit të Kushtetutës dhe moszbatimit të detyrimeve kushtetuese. Gjykata Kushtetuese dhe institucionet e shtetit, përfshirë ushtrinë, policinë, prokurorinë, gjykatat, administrata, por edhe shoqëria civile dhe vet populli duhet ta bëjnë të qartë se konstituimi i Kuvendit të Kosovës është detyrim kushtetues ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit të Kosovës, e jo arsye për të bllokuar shtetin dhe për t’ia mohuar popullit ushtrimin e sovranitetit.
Çlirimi i Kosovës nga shtypja serbe ishte vetëm gjysma e luftës për shtetësi. Pjesa tjetër, e cila është edhe më e vështirë, është ndërtimi i një shteti ku askush nuk mund ta marrë pushtetin absolut dhe të rrënojë shtetin për të cilin kanë sakrifikuar gjenerata të tëra. James Madison, një nga themeluesit e ShBA, në Federalist Papers Nr. 10, ka thënë që atëherë se rreziku më i madh pas çlirimit nga një tiran i jashtëm nuk vjen më nga jashtë, por nga brenda, konkretisht nga grupacionet e ndryshme politike që e kapin shtetin për interesa të ngushta e jo në interes të përgjithshëm. Fatkeqësisht, dhe përballë gjendjes aktuale, sot rreziku për Kosovën nuk vjen vetëm nga ata që e kërcënojnë atë hapur me forca ushtarake apo devijime të lumenjeve, por edhe nga ata që në kundërshtim të hapur me detyrimet kuushtetuese e kapin të shtetin peng për pazare pushteti.
Kosova nuk u çlirua nga një e kaluar e rëndë për t'u bërë sot pre e shantazheve politike të grupacioneve të ndryshme. Mbrojtja e Kuvendit dhe e rendit kushtetues sot nuk është thjesht një diskutim juridik, por është vazhdimësi e mbrojtjes së lirisë, sovranitetit dhe forcimit të shtetit të Kosovës.