Krim në uniformë: Si ministria e mbrojtjes po rrezikon jetën e ushtarëve të Kosovës me ushqim të papranueshëm
Shkruan: Hafize Elshani
A është e mundur që në Kosovën e vitit 2024, ushtarët tanë të luftojnë jo vetëm me rreziqet e jashtme, por edhe me papërgjegjësinë kriminale të Ministrisë së Mbrojtjes?
Gjatë ditëve të tëra intervistimi me shumë ushtarë të FSK-së, për ta marrur vesh skandalin e ushqimit që u servohet atyre, të cilin Ministria e Mbrojtjes për një kohë të gjatë është përpjekur ta heshtë dhe t'u mbyllë sytë dhe gojën ushtarëve. Derisa ky skandal nuk u publikua në media, Ministria vazhdoi të heshtë: Sipas disa ushtarëve të FSK-së, që kanë rrëfyer përmes "frikës" prapa kamerës, duke i ikur ndonjë mase disiplinore, për javë të tëra janë ushqyer me makarona të ftohta, gjellë të paushqyeshme, pire të ngurta dhe bukë të thërrmuar. Më e keqja është që disa prej tyre, për t’iu shmangur këtij ushqimi të papërshtatshëm, kanë zgjedhur të qëndrojnë të uritur deri në fund të orarit, ndërsa të tjerë kanë marrë ushqim nga tregu për të mbajtur energjinë gjatë ushtrimeve.
Ky nuk është thjesht një problem i përkohshëm. Këto vakte kanë ardhur nga kuzhina e shërbimit korrektues dhe mensa e studentëve, duke e ulur standardin e ushqimit të ushtarëve në nivelin e të burgosurve dhe studentëve. Ky është një skandal i pastër që minon dinjitetin dhe sigurinë e ushtrisë sonë.
Ky nuk është një gabim, por një krim. Ushqimi për ushtarët është themeli i çdo ushtrie në botë. Ndërkohë që çdo vend serioz siguron ushqim të kontrolluar dhe të pasur me proteina, ministria jonë ka vendosur të shërbejë mbetje, duke e marrë atë nga mensa e studentëve dhe kuzhina e shërbimit korrektues. A është kjo mënyra sesi trajtohen ata që mbrojnë nderin e vendit? Kjo është një tradhti e pastër ndaj çdo burri dhe gruaje që vesh uniformën me krenari.
Ushqimi në ushtri, në çdo vend të botës, është një element thelbësor për shëndetin dhe gatishmërinë e ushtarëve, duke garantuar kontrollin e rregullt të cilësisë përmes analizave periodike të kuzhinierëve. Në një kohë kur çdo shtet armik mund të shfrytëzojë ushqimin si rrugën më të lehtë për të helmuar ose sabotuar forcat tona, është e papranueshme që ushqimi i ushtarëve tanë të merret nga jashtë kazermës.
Po sikur kjo të kishte qenë më shumë se një neglizhencë? Po sikur armiku të kishte infiltruar ushqimin dhe të kishte ndodhur një helmim masiv? A janë në tok njerëzit që drejtojnë Ministrinë e Mbrojtjes? Ushqimi i ushtarëve duhet të bëhet brenda kazermës, nën mbikëqyrje strikte, jo të merret nga burime të jashtme që hapin rrugën për sabotime të qëllimshme.
Pyetja që duhet të shtrojmë është kjo: A është Ministria e Mbrojtjes në dijeni të pasojave të mundshme të këtij skandali? Çfarë do të kishte ndodhur nëse një helmim masiv i qëllimshëm do të kishte goditur forcat tona? Si mund të lejojmë një nivel kaq të lartë papërgjegjshmërie në një çështje që lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e shtetit?
Ky skandal nuk është thjesht një çështje ushqimi të keq; është një dështim total i sigurisë. Ministri i Mbrojtjes duhet të shkarkohet menjëherë për këtë akt të papranueshëm të papërgjegjësisë, i cili ka rrezikuar jetën e ushtarëve tanë. Nuk mund të lejojmë që një njeri që ka vënë në rrezik sigurinë dhe shëndetin e ushtrisë sonë të qëndrojë në detyrë as edhe një ditë më shumë.
Skandali i heshtur i ushqimit në FSK nuk është thjesht një gabim logjistik; është një kërcënim për sigurinë e kombit dhe integritetin e ushtrisë.
Kjo është një turp shtetror dhe një kërcënim direkt ndaj stabilitetit të Kosovës. Djemtë dhe vajzat që mbajnë armët për të mbrojtur këtë vend meritojnë shumë më tepër se sa të trajtohen si të burgosur apo studentë. Ata meritojnë respektin dhe kujdesin maksimal, duke filluar nga ushqimi i sigurt dhe cilësor. Kjo krizë kërkon ndërhyrje urgjente dhe shkarkime të menjëhershme – përndryshe, ne kemi dështuar si shtet.