Kosova, Albin Kurti dhe autobusi pa klimë - NACIONALE

Kosova, Albin Kurti dhe autobusi pa klimë

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Autobusi nga Vitia në Ferizaj, me të cilin udhëtoj çdo vikend, është i mbushur plot me udhëtarë. Për shkak të vjetërsisë, autobusit nuk i punon klima, andaj zhegu është natyshëm i madh. Gjatë rrugës, një vajzë e re nga mosha, alivanoset, gjersa shoqet e saj tentojnë t’i ofrojnë ndihmë. Autobusi ndalet me shpejtësi, hap dyert, i “hedh” në rrugë vajzat dhe niset për në distenacion, thuajse asgjë nuk ka ndodhur.

Pse Kosova i përngjan autobusit të vjetër dhe pa klimë të linjës Viti-Ferizaj?

I

Duke qenë linjë e një qyteti provincial, thellësisht të harruar, autobusi nga Vitia nuk i plotëson asnjërin nga kushtet e nevojshme për të qenë në rrugë. Është tepër i vjetër dhe aspak komod, kësisoj rruga, edhe ashtu gropa-gropa, shndërrohet në ferr të vërtetë. Por meqënëse është e vetmja linjë në këtë orar, autobusi është absolutisht i pashmangshëm.

Djaloshi që shkep biletat, është mbushur plot ndjersë, teksa gjarpëron në mes udhëtarëve për t’i mbledhur paratë. Dy gra në moshë, që u ulën prapa meje, sakaq kërkojnë lëshimin e klimës. “Nuk punon” – ishte përgjigja e shpejt e kondukterit, që përveç ndjersëve, tash është edhe i skuqur nga nervoza, që për burim ka pyetjen e shkrepur nga dy të moshuarat.

Shoferi i autobusit është paturpërsisht rehat. Duke përfituar nga ulësja e parë, ai e ka të hapur dritaren anash, nga e cila hy një fllad veror, që e relakson edhe më tutje shoferin. I koncentruar dhe me sytë drejt rrugës, shoferi është i mbyllur në botën e tij, krejt nonshalant ndaj kërkesave dhe ankesave të udhëtarëve. E vetmja gjë kryesore për të është arritja në distenacion, pavarësisht rrethanave dhe pasojave.

II

Si një lloj arratisje nga kjo skenë e llahtarshme, fillova të mendoj rreth gjendjes në Kosovë, duke e përshkruar situatën politike përmes ngarjes që sapo isha dëshmitar. Situata në veri, më saktësisht tensionet e larta në atë pjesë problematike të Kosovës, i ngjan vapës së autobusit. Sa më shumë që kalon koha, aq më shumë shtohet zhegu, nga i cili ka gjasa të alivanosen “udhëtarët”.

Shoferi i “autobusit” të quajtur Kosovë është kryeministri Albin Kurti, i cili porsi shoferi i autobusit të linjës Viti-Ferizaj, është rehat në ulësen e parë. Duke qenë kryeministër i Kosovës, ai ka hapur “xhamin anash”, i cili xham e shpëton atë nga “vapa” e madhe. “Timonieri i Madh” është i mbërthyer në botën e tij, i rrethuar nga oborrtarë besnikë, që kanë besim se kryeministri Kurti ka një plan për të zgjidhur ngërçin në veri. Por Dr. Utopisti tash është në një luftë me realitetin kokëfortë, ndaj të cilës herët a vonë do të pësojë humjbje, duke u nënshtruar.

Në anën tjetër, ndërkombëtarët, sikurse dy gratë e moshuara, tashmë i kanë listuar kërkesat e tyre. Përkundër insistimit të tyre të vazhdueshëm, Kurti, që i ngjan shoferit nonshalant, ka vetëm përgjigje negative. Në fakt, ai ka kërkesa të tjera, ka një plan 5 pikësh, por të cilat ende s’kanë dhënë ndonjë zgjidhje konkrete e të zbatueshme.

Pra klima ende nuk punon, megjithatë qytetarët e Kosovës janë pa zë. Shoqëria civile, dikur më energjike, sot bën sehir, teksa autobusi pa klimë e me shofer problematik e vazhdon rrugën në drejtim theqafjes. Opozita është sikurse vajza e re e linjës Viti-Ferizaj, gati e alivanosur, mezi rri në këmbë dhe e frikësuar nga e ardhmja e saj.

Nacionalizmi ekstrem dhe propaganda qeveritare, në stilin e djaloshit të ri, qarkullon pothuajse pa asnjë vështirësi. Synimi i propagandës, i mbështetur nga një militantizëm i rreptë, është i qartë: mbylljen e secilit zë kritikues, përmes lincimit, dehumanizimit. Por e kam një fije shprese, që zelli djaloshar i propagandës s’është i përhershëm.

III

Në stacionin e Ferizajit, unë zbrita nga autobusi pa klimë dhe me shoferin indiferent, duke u çliruar nga vapa alivanosëse dhe i bindur që një ditë edhe “vapa e veriut” do të kalojë. Për dallim nga autobusi, ne nuk kemi mundësi të “zbresim” nga Kosova. Ikja nga ky vend, nuk është zgjidhje e lavdishme, sepse atdheun nuk mund ta ndërrojmë lehtësisht si autobusin.

Ne duhet të qëndrojmë në Kosovë, të luftojmë për idealet dhe kauzat tona, përkundër që nganjëherë keqqeverisja dhe propaganda duket se triumfon.

Lajme të ngjashme