Ju hedhsha të gjithëve në inceneratorë - NACIONALE

Ju hedhsha të gjithëve në inceneratorë

1 vit më parë

nga Dafina Demaku

Për çka votuan shqiptarët sot?

“Ju hedhsha të gjithëve në inceneratorë”, tha në një prej intervistave të para pak ditësh, kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili pret të votohet sot për mandatin e katërt të qeverisë. Me ironi – thënë më së buti, e me arrogancë – thënë më ashpër, Rama nuk u përgjigj kurrë në asnjërën prej pyetjeve në të gjitha intervistat ku mori pjesë pak para zgjedhjeve, për aferën më të përfolur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, atë të Inceneratorëve.

Për ta kuptuar shkurt, ky ishte një projekt për mbledhjen e mbeturinave, pra një deponi gjigante e paraparë të ndërtohej në Tiranë. Përfundimi: s’u ndërtua kurrë, flitet për ‘avullimin’ e mbi 100 milionë eurove si pasojë e mos-realizimit të projektit.

Por, duke qenë se Rama s’deshti t’ia përmendnin ‘Inceneratorët’ kurrë gjatë fushatës, në një prej intervistave të tij, tha se ‘ia nxinë jetën me këta inceneratorë’ dhe u lut (me ironi + arrogancë) që aty ‘t’i hedhë të gjithë’.

Sidoqoftë, kryefjala e fushatës së Edi Ramës, ishte anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Shqipëria i ka 250 mijë faqe detyra, me grup-kapitujt që i hapen kohë pas kohe (sipas kalendarit të paraparë) – dhe premtimi i Edi Ramës, ishte që bashkë me ato 250 mijë faqe detyra, Shqipëria të anëtarësohet në vitin 2030 në Bashkimin Evropian.

Kritikët e tij, thonë se edhe në ndodhttë kjo, një prej arsyeve është ‘situata gjeopolitike’. Pra, shkaku i zhvillimeve nëpër dynja, Shqipërisë i ka ardhë rendi për anëtarësim në BE.

Edi Rama i përgjigjet kësaj teze me kundërshti. Se nuk është punë gjeopolitike (ose një faktor – por jo më i rëndësishmi, mund të jetë edhe kjo). Sipas tij, Bashkimi Evropian ‘është një shtëpi e të pasurve, që nuk ta hapë derën pse ti troket para saj’.

Gojëkëqinjtë thonë se edhe nëse Shqipëria anëtarësohet në BE, sipas premtimit të Ramës, dhe edhe nëse Rama sonte shpallet fitues (ashtu qysh e nxjerrin dy nga sondazhet e fundit të Euroneës Albania), vetë Rama s’do ta ketë fatin ta ketë stafetën e meritës për anëtarësim në BE sepse sipas tyre, atëkohë, Rama s’do të jetë më kryeministër.

Deri sot, krejt barometrat e nxjerrin fitues Edi Ramën me projektin e tij për anëtarësim në BE.

Sa i përket fushatës së Sali Berishës, ajo që ishte më në fokus gjatë një muaji në Shqipëri, ishte angazhimi i ish-shefit të fushatës së presidentit amerikan Donald Trump, Chris LaCivita, në fushatën e Partisë Demokratike dhe koalicionit të Sali Berishës.

Ditëve të fundit, shumë e diskutueshme ishte shuma e parave që është dhënë për këtë konsulencë elektorale sepse ajo ishte hiç më pak se 6 milionë dollarë.

Për dallim prej fushatave të tjera, Edi Rama dhe Sali Berisha, sidomos ditëve të fundit të fushatës, nuk përdorën ndonjë gjuhë e cila kishte edhe implikime penale brenda saj: hajdutë, kriminelë, etj.

Te Sali Berisha, mund të ketë ndikuar pikërisht Chris LaCiviva për një gjuhë më gjakftohtë ndërkaq Edi Rama, e cilëson Berishën por edhe gjithë opozitën dhe një pjesë tjetër të shoqërisë si mediat, si ‘kënetë’.

Megjithëse dukej monoton në stërpërdorimin e kësaj fjale, sidomos kur kihet parasysh historiku i përdorimit të tejzgjatur të fjalës tjetër ‘kazan’ – prapë se prapë, zëvendësimi i ‘kazanit’ me ‘kënetë’, ishte diçka e re.

Duke i bërë një karikaturë opozitës shqiptare që ai e quan ‘kënetë’ dhe ku vendosi krejt botën e mundshme shtazore, në krye të saj, sipas Edi Ramës qëndron ‘Bufi’ – grabitçari më i tmerrshëm – me të cilën e portretizon Sali Berishën.

Partitë e reja

Ose ‘partitë e vogla’ - siç preferojnë t’i quajnë ‘gojëkëqinjtë’.

Gojëkëqinjtë, sepse edhe kritikojnë opozitën shqiptare se s’kanë ‘prodhuar’ një lider për t’ia vendosur rival Edi Ramës, e edhe kritikojnë çdo iniciativë të re, e sado të vogël politike – siç ishte rasti kësaj here, sidomos me ‘Mundësinë’ e Agron Shehajt dhe koalicionet e Adriatik Lapajt e Arlind Qorrit, mund të jenë befasi për të mirë sonte.

SPAK-u

Një lajm interesant, erdhi para dy muajsh nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe një zhvillim interesant prej atij lajmi, i dha frytet e veta para dy ditësh.

Dy muaj më parë, SPAK-u njoftoi për Strategjinë e cila do të mbronte votën shqiptare, ose Strategjinë kundër krimit elektoral dhe pardje, ndërmorri një prej aksioneve më interesante në Shkodër, ku ndaloi një grup që kishte fërkuar duart për t’ia mësyer vjedhjes së votës.

Në fund të ditës së 11 majit, Edi Rama do të jetë – sipas të gjitha parashikimeve të deri tashme – sërish kryeministër.

Afro 12 vjet në qeveri deri tani, kritikët ia quajnë qeverisjen si autokratike, gjysëm-autokratike, e edhe me shprehje më të rënda që përshkruajnë sistemet e qeverisjes.

Në anën tjetër, është SPAK-u, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit – një derivat i reformës në drejtësi në krye me prokurorin Altin Dumani, puna e të cilit, neve që jetojmë jashtë kufijve Shqipërisë, na jep të drejtën të besojmë dhe të mendojmë, se është një prej faktorëve përcaktues, që Shqipërisë – megjithë nafakën e rrethanave gjeopolitike dhe detyrat me 250 mijë faqe, do ta ulë në tavolinën e Brukselit, përgjithmonë.

Lajme të ngjashme