Intervista e Donika Gërvallës: E çon kerrin te mjeshtri për pasqyrë, ai ta prishë motorin - NACIONALE

Intervista e Donika Gërvallës: E çon kerrin te mjeshtri për pasqyrë, ai ta prishë motorin

2 vjet më parë

nga Dafina Demaku

Ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, mbrëmë tha se diplomacia kosovare ka punuar që t’i rregullojë raportet me Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë [ani pse nuk ka të dhëna se kur janë çrregulluar në mënyrë dramatike këto raporte ], por ndërkohë, lë të kuptohet se duke punuar për këtë ‘rregullim raportesh’, janë ‘prishur ato me Amerikën’.

Një intervistë interesante kishte mbrëmë ministrja e jashtme Donika Gërvalla në Interaktiv të KTV-së. Interesante, për shkak të pyetjeve sfiduese të gazetarit Eraldin Fazliu, e jo për shkak të pranisë së ministres Gërvalla aty.

Ajo që kuptohet nga deklarimet e znj.Gërvalla, për problematikën më shqetësuese të viteve të fundit – atë të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është kjo: diplomacia kosovare, paska punuar vitet e fundit që të rregullojë raporte me Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë (ani pse nuk e dimë se kur kanë pësuar prishje të këtij niveli këto raporte) por ndërkohë, janë prishur ato me Amerikën.

Kjo, është sikur vendosë ta dërgosh kerrin te mjeshtri për t’ia rregulluar pasqyret, por mjeshtri e prekë në motor -pa të keqen e kurrkujt - dhe kerri s’vyen shumë më. Ose, le të themi, nuk e ke llogaritur si dëm: me t’a prekë motorin në vend të pasqyrave.

Që të kuptohemi: jo pse analogjia me pasqyrë dhe motor, e ka peshën e njëjtë si shtetet që quhen: Gjermani dhe Mbretëri e Bashkuar, por logjika e të deklaruarit për rregullim raportesh me to, e çrregullim me Amerikën, tingëllon kaq banale.

“Kemi pasë dy shtylla kryesore, stabilizimi i marrëdhënieve që i kemi konsideruar gjithmonë si mike. Shtetet si Mbretëria e Bashkuar dhe si Gjermania ishin lënë tërësisht jashtë fokusit të zhvillimeve në politikën e jashttme të Kosovës.

Është dashur shumë punë serioze që të stabilizoheshin ato lloj marrëdhëniesh”, thotë znj.Gërvalla në intervistë.

Teksa përgjatë intervistës, rregullohen marrëdhëniet e çrregulluara me Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë, prishen ato me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“A pajtohemi në secilin segment, për momentin jo”, thotë Gërvalla kur i përgjigjet pyetjes konkrete të gazetarit Fazliu se ‘a pajtohen me qëndrimet e ShBA-së’ për procese, sidomos të ditëve të fundit në Kosovë.

E keqja është, se znj. Gërvalla nuk mjaftohet me konstatimin që për momentin nuk ka pajtueshmëri mes ShBA-së dhe Kosovës.

Në fjalinë më poshtë, thotë kështu:

“Ne mendojmë se fqinjët tanë, Serbinë, e njohim më mirë se çdo kush tjetër”.

Diku kah fundi i intervistës, në linjën e çrregullimit aktual të raporteve ShBA-Kosovë, Gërvalla nënkupton se herë-herë, janë cenuar interesat e Kosovës dhe ia behë me shembullin e llastikut:

"Çështja e fleksibilitetit është si llastiku, llastikun mund ta tërheqës derisa të këputet. Për ne, llastiku këputet në atë moment kur cenohen seriozisht interesat e Republikës së Kosovës”, thotë ajo.

Lajme të ngjashme