Ideja e Rizvanollit për izolim kushton 5 mijë euro: Ku me i gjetë paret? - NACIONALE

Ideja e Rizvanollit për izolim kushton 5 mijë euro: Ku me i gjetë paret?

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

E dashura ministre Rizvanolli,

Fort u ndjeva i lumtur kur pashë thirrjen tënde për qytetarët që të izolojnë shtëpitë e tyre para se futen në sezonën e dimrit, kur i ftohti dhe kriza energjetike do të jenë kombinim fatal. U ndjeva i lumtur, sepse është ndjenjë e mirë, kur Ministria dhe Qeveria mendon si populli. Ka të njëjta halle. Për ta argumentuar se jemi në vijë të njëjtë, po të tregoj historinë e shtëpisë sime modeste, e cila, me keqardhje, por do të mbes e paizoluar edhe këtë vit.

Ka qenë muaji shkurt i këtij viti, kur unë kam nisur të mendoj për izolimin e shtëpisë. Më fal për arrogancën, ama je tepër vonë me idenë. Por s’ka lidhje.

Meqenëse Qeveria pjesë e së cilës jeni edhe ju, nuk ofron ndonjë subvencionim për qytetarët që duan të izolojnë shtëpitë e tyre me qëllim të rritjes së efiçiencës rrjedhimisht kursimit të energjisë elektrike, e vetmja mundësi ishte programi i MCC-së.

Ky program, me të cilin ju krenoheni vazhdimisht që keni arritur të nënshkruani një marrëveshje të re, për disa bateri që do të kursenin energjinë e pa shpenzuar gjatë verës, ofronte mundësinë e bashkëfinancimit në investimet për rritjen e efiçiencës në shtëpitë nëpër Kosovë.

Procesi ishte i thjeshtë: Fondacioni amerikan MCC (Millennium Challenge Corporation) kishte çertifikuar disa kompani që merren me izolim, fasadim dhe nxemje. Përmes tyre, qytetarët do të duhej të aplikonin në këtë program.

Meqenëse shtëpia ime është modeste, 177 metra katror, prej 50 kompanive që kam kontaktuar dhe dërguar kërkesë për ofertë vetëm një prej tyre më ka kthyer përgjigje. Të gjitha më kanë refuzuar. Disa kishin arsyetime se ua janë plotësuar listat, kishte numër të caktuar prej 10 shtëpive për një kompani, e diisa të tjera më refuzuan sepse “ishin larg prej Drenasi”.

Asnjëri prej këtyre arsyetimeve nuk është arsye e vërtetë e refuzimit. Thjesht kompanitë kanë aplikuar me shtëpi të cilat kanë qenë më të mëdha në metra katror, për arsyen e thjeshtë, përfitimin më të madh nga fondet.

Izolimi i shtëpisë sime, sipas ofertës së një kompanie “Tower” në Fushë Kosovë, kushton fiks 4 mijë e 823 euro. Nënshkruaj kontratë me të, por më vonë kompania më lajmëron se “nuk kanë aplikuar me shtëpinë time”. Arsyetime sikurse “jo ka ra sistemi” ishin të zakonshmet. Kësisoj, shtëpia mbeti këtë vit vetëm në blloka.

E dashtura Artane

Të dalësh me një ide, pa një propozim mbështetës, është shumë e lehtë. Bile kjo ide e jotja është tepër e thjeshtë. Por detyra jote nuk është të dalësh me ide, bazike sikurse kjo. Por, kur të dalësh me ide të tilla, së paku dil me një plan. Do të kishte kuptim kjo ide e jotja, sikurse Qeveria ose Ministria që ti e drejton do të dilte me një plan mbështetje apo subvencionimi të investimeve efiçiente. Të bënit një skanim të gjendjes në terren, sa shtëpi janë të tilla, sa familje kanë nevojë, sa para i ka buxheti. Të subvencioni 20% të investimit, apo 50%. Nëse jo këtë vit, të dilnit me një plan buxhetor për vitet e ardhshme.

Është shumë e lehtë të dalësh me ide dhe të sillesh sikurse një mësuese e edukatës qytetare. Por ti drejton Ministrinë e Ekonomisë. Ekonomia familjare është detyrë e jotja. Shtëpia ime e paizoluar është edhe përgjegjësi e jotja. Andaj pyetja është e thjeshtë: Ku me i gjetë qeto 5 mijë euro, për me izolu shtëpinë? A ke ndonjë ide?

“Është dashtë me mendu ti për vete, me kursy”, do të mund të ishte një nga përgjigjet e tua, po e imagjinoj. Po e vërtetë, dhe kam kursyer. Por kursimet shkuan posht', kur inflacioni po çmendet. Ka më shumë se 3 muaj që shpenzimet janë çrregulluar.

Vazhdoj të ushqehem njejtë, në mos me keq. Vazhdoj të pi cigare njëjtë. Vazhdoj të blej gjëra të tjera, njëjtë sikurse viteve të kaluara. Por tash të gjitha këto janë dyfish më shtrenjtë. Madje edhe oferta e shkurtit për izolimin e shtëpisë, sigurisht është dyfishuar.

Kështu që edhe nëse do të dalësh me ndonjë plan subvencionimi, je vonë. Vonë sepse tashmë nuk janë temperaturat që lejojnë izolimin e fasadimin e shtëpive. Dhe çdo ditë që kalon, e ju nuk keni ndonjë plan, çmimet do të rriten. Kriza do të thellohet. A ke ndonjë ide, sesi me kalu nga kjo krizë? Nëse jo për krizën, bile për qeto 5 mijë eurot e shtëpisë time?

Lajme të ngjashme