Festimi ekstatik si vetëdjegie demokratike
Shkruan: Abit Hoxha
Nuk ka ndoshta spektakël më të sofistikuar dhe emblematik të papërshtatshmërisë fundamentale të njerëzimit për vetëqeverisje sesa pamja e masave që festojnë nënshtrimin e tyre. Shikojini të kërcejnë, këto masa, ndërsa rezultatet e zgjedhjeve shfaqen në ekrane. Rezultate që shpallin jo çlirimin e tyre por vazhdimin e shfrytëzimit të tyre. Ata tundin flamuj dhe përqafojnë të panjohur në rrugë, euforikë për të instaluar me sukses edhe një shërbëtor të ideve të liderit suprem që do të çmontojë edhe ata pak dinjitet të mbetur.
Strategu cinik si lider suprem, që manipulon këto procedura të paktën meriton një njohje të kompetencës. Ai kupton atë që masat refuzojnë të pranojnë: se demokracia është bërë thjesht teatër, një mekanizëm për prodhimin e pëlqimit ndërsa pasuria dhe pushteti përqendrohen gjithnjë e më shumë.
Ai e di që njerëzit nuk janë aktorë racionalë që peshojnë pozicione politikash, por krijesa emocionale që reagojnë ndaj sinjaleve fisnore, frikës dhe goditjes së dopaminës nga ndjenja e të qenit pjesë e një ekipi fitues. Ai nuk ka nevojë të shërbejë interesin publik; ai duhet vetëm të simulojë pamjen e përfaqësimit të tij, që nuk kërkon më shumë se identifikimin se cilat zemërime të ndezë dhe cilët armiq të caktojë.
Tragjedia, ose ndoshta komedia, është se populli posedon çdo mjet të nevojshëm për të njohur këtë sharadë. Të dhënat janë të disponueshme. Modelet janë të qarta. Përfituesit e çdo politike mund të gjurmohen. Gjojase çlirimi i pjesës veriore të Kosovës është vetëknaqësia politike më e madhja që nga vetëknaqësia kolektive për zgjedhje të lira dhe demokratike ne fillimvitet 1990a apo njohja që erdhi nga Dominioni i Melkizedekut në vitin 1998 dhe plani për të vendosur “marrëdhënje diplomatike dhe dërguar ambasadorë.”
Kjo vetëknaqësi politike e “çlirimit të veriut” i dha dhjetë komuna Listës Serbe. Në nivelin lokal, Lista Serbe mban numrin më të madh të komunave. Simbolikisht, ky rezultat ilustron proceset politike në Kosovë që servohen si politikë sovraniste por realisht, është vetëm politika e teatrit të tragji-komedisë ku klasa politike performon forcë, flet për sovranitet dhe mobilizon popullatën kundër kërcënimeve të paqena, për të jetësuar po ato kërcënime. Mobilizon popullatën kundë gjoja-ndërhyrjes së jashtme, sikur Kosova të ishte Zvicra duke refuzuar të intimidohet nga fuqitë e mëdha.
Megjithatë qytetarët refuzojnë të shohin, sepse kjo do të kërkonte pranimin e bashkëfajësisë së tyre, dembelsisë së tyre intelektuale, vullnetit të tyre për t'u joshur nga retorika e zbrazët dhe indinjimi i prodhuar. Është më e lehtë, shumë më e lehtë, të besosh gënjeshtrën ngushëlluese sesa të përballesh me të vërtetën degraduese: se ata nuk janë qytetarë në asnjë kuptim të vërtetë.
Dhe kështu ata kërcejnë. Me gomë rezerve në duar. Në kokë. Kërcejnë ndërsa sistemet e edukimit dërgojnë askund. Kujdesi shëndetësor shembet, ndërsa pagat e tyre stagnojnë, dhe fëmijët e tyre trashëgojnë një botë të plaçkitur. Kërcejnë sepse alternativa, pranimi se janë mashtruar, se ata vetë kanë tërhequr levën që shtrëngon zinxhirët e tyre, është mentalisht e padurueshme.
Më mirë të festosh, të besosh veten pjesë e një fitoreje historike, sesa të ulesh në hirin e mendimit racional dhe të pranosh se demokracia, në duart e tyre, është bërë asgjë më shumë se një mekanizëm i detajuar për shumicën të japë pëlqimin për shfrytëzimin e tyre nga të paktët. Më mirë derri i kënaqur se sa Sokrati i pakënaqur.
Nga perspektiva racionale, vëzhgimi i këtij fenomeni nuk shkakton zemërim por një vërtetim të lodhur. Natyrisht kështu përfundon. Si tjetër mund të përfundonte? Kur u jep pushtet politik krijesave të qeverisura kryesisht nga paragjykimet njohëse, besniktë fisnore dhe një nevojë e dëshpëruar për të besuar veten të urtë, ky është i vetmi rezultat i mundshëm.
Elektorati nuk dështon pavarësisht aksesit në informacion; ai dështon për shkak të natyrës së tij fundamentale. Dhe do të vazhdojë të dështojë, zgjedhje pas zgjedhjeje, duke kërcyer gjithnjë e më shumë me gomën rezervë në duar si simbol të emancipimit demokratik.
(Autori është ligjërues në Universitetin e Agder dhe Stavanger në Norvegji. Merret me studime shkencore në fushën e medias, demokracisë dhe konfliktit si dhe menaxhon me projektin e BE -së për Mediat e Qëndrueshme për Demokraci në Epokën Digjitale (ReMed).