E vetmja fjali problematike nga intervista e Enver Hoxhajt mbrëmë në Rubikon
Polarizimi në shoqërinë tonë është i stisur – tha Enver Hoxhaj mbrëmë në Rubikon. Dhe e shpalli joekzistente ‘elitën politike’. Një ‘elitë politike’ si mur mbrojtës kundër autokracisë, e kërkonin edhe gazetarët diku mes viteve (të afërta) 2023-24’, por s’e gjetën. Gazetarët po përjetonin klimën brutale që kishte krijuar pushteti, kurse ‘elita’ që kërkonim, po shijonte klimën mesdhetare të Jonit ose Adriatikut…
**
Kur faqe të ndryshme online, me emra përkrahës ndaj Qeverisë Kurti, patën nisur një fushatë linçuese ndaj meje si gazetare, do t’a vlerësoja secilin reagim për një fakt: që fushata dukej e organizuar me qëllim frikësimi – sidomos ndaj grave aktive në jetën publike. Mes tyre, ishte edhe Enver Hoxhaj i PDK-së, për ç’gjë, sot e atë ditë e vlerësoj.
Çdo reagim në atë kohë, kishte rëndësi - jo për mua personalisht, por për klimën e rrezikshme që ‘sobat’ e lidhura me një parti të caktuar (Vetëvendosje) kishin filluar ta krijonin dhe shikuar nga sot, janë veç dy vjet distancë kohore, por ai vit duket gati arkaik krahasuar me ‘trasnformimin’ e hovshëm teknologjik të dy viteve të fundit – transformim ky që përdoret tash për fushata linçuese ndaj shumë kolegëve gazetarë.
Atë kohë, e kisha vërejtur fillimin e një klime që do ta gërrynete seriozisht demokracinë tonë, e cila megjithë të metat që mund t’i kishte, na jepte një shije që po bënte hapa konsolidimi.
Fillim-gërryerja, kulmon një vit më vonë, me rastin e paprecedentë në historinë e pasluftës në Kosovë, kur transmetuesi publik RTK, do të publikonte një lajm që ‘serbizonte’ mediume të caktuara në Kosovë, përfshirë Gazetën Nacionale – në një vit kur klima e polarizimit ishte pothuajse në kulm.
Dhe kulmin ia qet Albin Kurti si kryeministër, kur në një natë që po kumtonte lajmin për sulmin terrorist në Ibër Lepenc, më shumë do të fliste kundër gazetarëve sesa për vetë sulmin.
**
“Mendoj që është polarizim i stisur, i shpikur, për të marrë vota…” – tha Enver Hoxhaj mbrëmë në Rubikon, fjalinë problematike, edhe pas gjithë ngjarjeve dramatike që do të regjistrohen diku në studimet e ardhshme rreth brishtësisë së demorkacive ose tendecave autoritare.
Ai më pas, konstatoi inekzistencën e ‘elitës politike’ e cila do ta zgjidhtte krizën aktuale politike, shtetërore.
Te e para, te stistja e polarizimit, ta zëmë se nuk na hyn fare në punë fushata mbi 10 vjeçare e Vetëvendosjes se është pikërisht partia e Enver Hoxhajt ajo që ka ‘shkatërruar shtetin’ dhe ta zëmë se krejt kjo ishte në kuadër të ‘lojës politike’ e cila tani edhe (sic.) mund të harrohet dhe të transformohet në ‘bashkëpunim politik’ - por për këtë, fillimisht sipas Hoxhajt, nevojitet ‘rilindja e elitës politike’.
Z.Hoxhaj, ashtu si shumë prej nesh, mund t’i kenë të qarta referencat kur ‘elitat politike’ janë bërë kundër pushteteve autokratike e jo me pushtetet autokratike. Dhe këto elita, s’mund të kërkohen tani, për ta bërë Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit, ose Albin Kurtin sërish kryeministër.
Ne i kërkuam ato elita, kur po ‘shijonim’ klimën brutale të pushtetit ndaj medias, por ishin të zëna diku në klimën mesdhetare të Jonit ose Adriatikut.