Drama amerikane, humbja e madhe e Donald Trumpit dhe fitorja e DeSantis
Zgjedhjet e javës së kaluar supozohej të ishin zgjedhje mes Partisë Demokratike dhe asaj Republikane, por për shkak të suksesit të dobët të republikanëve, ato u shndërruan në garë të brendshme të kësaj partie. Ish Presidenti amerikan Trump, duket që e ka marrë një goditje të rëndë. Përfitues është guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis.
Berat Buzhala
Vetëm 24 orë para se amerikanët të votonin në zgjedhjet për Kongres, Partia Demokratike po bëhej gati për një disfatë, kurse republikanët e udhëhequr nga Trump për një fitore të madhe, ose siç e quajnë ata, po bëheshin gati për një “valë të kuqe”.
Zakonisht, kur një parti e ka Shtëpinë e Bardhë, partia tjetër e fiton Kongresin, i cili përbehet nga dy dhoma, ajo e Përfaqësuesëve dhe Senati. Shumë rrallë ka ndodhur gjatë gjithë historisë që në mandatin e parë partia e Presidentit të mos humbas në zgjedhjet e mesmandatit (‘mid-terms’). Në 100 vitet e fundit vetëm dy-tri herë. Një herë John Kennedy dhe një herë Bushi plak.
Mirëpo nuk ishte ky problemi që po i frikësonte demokratët dhe liberalët. Nuk po frikësoheshin që po fitonin republikanët, siç e paraqitnin sondazhët, por që po rikthehej Trump. Ky i fundit, prej kur është mundur në zgjedhje nga Joe Biden, ka arritur që ta krijojë një klasë të re politikanësh republikanë, që nuk i pranojnë rezultatet e atyre zgjedhjeve. Këta quhen ndryshe si mohuesit e zgjedhjeve. Kjo klasë politike, e rreshtuar prapa lëvizjes MAGA (Make America Great Again), i ka spostuar republikanët tradicionalë. Madje edhe ata republikanë tradicionalë, janë detyruar që të përshtaten, duke i përngjarë Trumpit.
Pra, zgjedhjet e javës së kaluar ishin një test për të parë fuqinë e demokratëve në njërën anë dhe në anën tjetër fuqinë e Donald Trumpit. Në ‘mid-terms’ javën e kaluar, duhej të zgjidheshin 425 kongresmenë të Dhomës së Përfaqësuesëve, pra të gjithë, dhe 34 senatorë, prej gjithsej 100. Para zgjedhjeve demokratët i kontrollonin të dyja këto dhoma. Ani pse në senat të dyja partitë kishin numër të njëjtë të senatorëve, sipas kushtetutës amerikane, kur askush nuk e ka shumicën, atëherë shumicën e krijon zëvendëspresidenti i Amerikës, në këtë rast Kamala Harris.
Demokratët po druhehsin që inflacioni i lartë dhe ekonomia në përgjithësi jo shumë stabile, po i shkonin për shtati republikanëve. Në përgjithësi amerikanët për ekonomi u besojnë republikanëve. Shto këtu edhe faktin që Biden po shihet nga shumica e amerikanëve si një president i plogësht. Si të favorshëm Presidentin Biden e sheh vetëm çdo i treti amerikan.
Në zgjedhjet e brendshme në Partinë Republikane ish Presidenti Trump kishte pasur influencë të madhe. Njerëzit e përkrahur nga ai kishin fituar beteja të rëndësishme te republikanët dhe tash po bëheshin gati që të bëheshin senatorë dhe përfaqësues.
Nëse ata do të fitonin, nëse Partia Republikane do të fitonte të dy dhomat, atëherë Donald Trump do të ishte favorit i pakontestueshëm për zgjedhjet e vitit 2024. Një ankth ky për elitat mediale dhe intelektuale amerikane. Nuk dëshironin assesi të pajtoheshin me faktin që amerikanët kishin bërë hapa prapa në demokraci, duke zgjedhur në krye të shtetit njerëz që i mohojnë proceset zgjedhore, ose pajtohen me to vetëm kur ata vetë fitojnë.
Javën e fundit para zgjedhjeve Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve që të mos gabonin, duke i shpërblyer me pushtet ata që ishin kundër demokracisë. Biden tha se në këto zgjedhje po rrezikohej demokracia. Njohësit e zgjedhjeve ishin skeptikë për këto thirrje. Sipas tyre alarmi se po rrezikohej demokracia nuk ishte sa duhet intrigues për t’i mobilizuar njerëzit për të dalë në zgjedhje dhe për të votuar pro partisë Demokratike. Amerikanët i mobilizon më shumë ekonomia, aborti, kontrolli i armëve dhe shkalla e krimeve.
Të rrallë, shumë të rrallë, kanë qënë ata njerëz që menduan dhe besuan që kur të çelen kutitë e votimeve do ta gjenin atë rezultat. Partia Demokratike jo vetëm që nuk humbi me rezultat të thellë, por tashmë e ka siguruar pushtetin në senat me një rezultat më të mirë se sa në zgjedhjet e fundit. Tash pritet që demokratët t’i kenë 51 senatorë, prej 50 sa i kishin. Në anën tjetër edhe më tutje po numërohen votat për disa distrikte në Dhomën e Përfaqësuesëve. Republikanët po udhëheqin, por me një rezultat tepër të ngushtë. Edhe nëse Partia Republikane e fiton këtë dhomë, dallimi nuk do të jetë më i madh se sa pesë ulëse. Pritej një dallim prej 30-50 ulësesh.
Mirëpo, përveç që republikanët nuk fituan ashtu siç shpresuan, humbësi më i madh ishte Donald Trump. Njerëzit e tij humbën befasisht në shumicën e vendeve që do të mund ta bënin dallimin. Bie fjala në Pensilvani Trump ishte përcaktuar për një doktor që quhej Mehmet Oz. Oz ishte mjaft i popullarizuar në publikun amerikan, sepse kishte qënë prezent nëpër media tash e disa dekada. Sido që të jetë ai e humbi betejën kundër John Fetterman, i cili disa muaj përpara zgjedhjeve kishte pësuar sulm në tru, duke ia zvogluar në masë të madhe aftësinë në të folur. Debati në mes të Oz dhe Fetterman dukej që e kishte dëmtuar këtë të fundit. Mirëpo në ditën e zgjedhjeve banorët e Pensilvanisë menduan ndryshe.
Jo vetëm në Pensilvani, por edhe në shumë vende të tjera amerikanët iu shmangën kandidatëve të përkrahur nga Trump, si në Nevada dhe Arizona, ulëse kyçe.
Të vetmin sukses të madh republikanët e arritën në zgjedhjet për guvernator në shtetin me diell të Floridas. Atje fitoi bindshëm Ron DeSantis, duke e shkatërruar kandidatin demokrat, por më shumë se sa kandidatin demokrat, ai ia dha një goditje Donald Trumpit. DeSantis ka kohë që është duke u parë si alternativa kryesore republikane për kandidat për president të SHBA-ve. Ai besohet që e ka menaxhuar shumë mirë krizën me COVID në shtetin e tij, duke mos i izoluar banorët siç kishte ndodhur në shumicën e shteteve të tjera, e gjithashtu duke pasur rezultate të mira në ekonomi. Ekspertët mendojnë se sa i përket COVID-it atij i kishte ndihmuar në masë të madhe klima e butë dhe me diell. Kjo ka pak rëndësi tash, sepse banorët e këtij shteti janë të dashuruar në të. Sa herë është pyetur nëse do ta kandidojë për President, ai asnjëherë nuk është përgjigjur në mënyrë direkte. Ka thënë që është i fokusuar në punët në shtetin e tij. Këto përgjigje e kanë nervozuar Donald Trumpin. Ky është nervozuar posaçërisht tash, kur DeSantis fitoi kaq bindshëm. Mediat republikane, veçanërisht ato që udhëhiqen nga familja Murdoch, e që janë më të mëdhatë dhe me më së shumti ndikim tek republikanët, janë rreshtuar në mënyrë të hapur prapa DeSantis. Murdoch është në pronësi të Fox, Wall Street Journal, New York Post etj. Në të gjithë këto media kishte editoriale të fuqishme kundër Trumpit dhe pro DeSantisit.
Derisa në muajin gusht vetëm 8 për qind e republikanëve mendonin që DeSantis do të duhej të ishte kandidat i republikanëve për president, kurse për Trumpin mbi 50 për qind, tash pas zgjedhjeve gjërat kanë ndryshuar. Edhe më tutje në mesin e republikanëve Trump mbetet favorit, por jo më aq bindshëm. Tash 25 për qind e republikanëve mendojnë që DeSantis duhet të jetë kandidat për president, kurse për Trumpin mendojnë më pak se 40 përqind.
Pra, zgjedhjet e javës së kaluar, duket që ishin përcaktuese për të ardhmen e Amerikës për dekadat e ardhshme. Gradualisht Amerika po kthehet në binarët tradicionalë. Në afat të shkurtër dikush mendon që në këto zgjedhje fituan demokratët, por disa po mendojnë që kjo humbje e Trump dhe e republikanëve në këto zgjedhje, i hap rrugën republikanëve që të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Shumë ekspertë mendojnë që edhe po të ishte Trump kandidat për president, amerikanët prapë nuk do ta votonin atë për numrin një të Shtëpisë së Bardhë, sado që klima politike do të vazhdonte të helmohej.
Në anën tjetër, eliminimi i tij politik i hapë rrugë DeSantisit për ta pushtuar lehtësisht Shtëpinë e Bardhë, nëse kundërshtar do ta ketë Joe Bidenin. Amerikanët janë lodhur dhe janë mërzitur me presidentin Biden, por janë edhe më të lodhur dhe më të mërzitur me ish Presidentin Trump. Ata janë në kërkim të një presidenti të ri dhe energjik.
Shumë liberalë nuk janë shumë të lumtur as me DeSantisin, sepse u duket shumë i afërt me frymën e ish Presidentit Trump. Sido që të jetë ata që janë më neutral dhe më të pavarur, atë çfarë ka thënë dhe ka bërë DeSantis kohëve të fundit, e shohin më shumë si lëvizje taktike të guvernatorit të Floridës. Ai dëshiron që t’i ketë prapa vetes edhe njerëzit e Trumpit, por edhe të moderuarit.
Këtë duket që e ka nuhatur shumë mirë ish presidenti Trump, i cili ditëve të fundit i është sulur bashkëpartiakut të tij me shumë postime në rrjetin e tij social Truth Social. Trump ka thënë që ka shumë fakte kundër DeSantisit, që do ta dëmtojnë shumë në garë. Të tjerët mendojnë që ky është vetëm një bllof dhe asgjë më tepër.