Trumpi e paralajmëron DeSantisin që të mos garojë për president të ShBA-së - NACIONALE

Trumpi e paralajmëron DeSantisin që të mos garojë për president të ShBA-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka paralajmëruar guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, që të mos garojë për president të Shteteve të Bashkuara në vitin 2024, duke thënë se ky veprim do ta dëmtonte Partinë Republikane.

“Mendoj se do të bënte gabim. Mendoj se baza nuk do ta pëlqente këtë”, tha ish-presidenti për televizionin “Fox News”.

Ai gjithashtu kërcënoi se do të publikojë të dhëna të pakëndshme për 44-vjeçarin, pa dhënë hollësi, raporton televizioni BBC.

Është përfolur se Trumpi dhe DeSantisi do t’i paraqesin kandidaturat e tyre për president dhe mund të bëhen rivalë brenda Partisë Republikane.

“Nuk di nëse ai do të garojë. Mendoj se nëse garon, do të mund ta lëndonte veten shumë keq. Vërtet besoj se do të mund ta lëndonte veten keq. Nuk mendoj se do të ishte mirë për partinë”, tha ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Nëse DeSantisi do të garojë për president, Trumpi tha se do të zbulojë “gjëra për të që nuk do të jenë shumë të hijshme”. “Di për të më shumë se kushdo – përpos, ndoshta, bashkëshortes së tij”, tha ai.

Trumpi nuk dha hollësi, por më parë ka kërcënuar se do të publikojë të dhëna të dëmshme për rivalët.

Sidoqoftë, më vonë e përshkroi si “djalë të mirë” kundërshtarin e mundshëm brenda partisë dhe mohoi se mes tyre ekziston ndonjë mosmarrëveshje.

Ron DeSantis është figurë relativisht e re në politikë, por shënoi ngritje në nivel kombëtar pas fitores në garën për guvernator të shtetit Florida më 2019. Ai e ka paraqitur veten si mbrojtës të konservatorizmit dhe shumë e konsiderojnë kandidatin më të mundshëm për ta sfiduar ish-presidentin Trump.

DeSantis pritet ta mposhtë demokratin Charlie Crist dhe ta fitojë përsëri garën për guvernator të Floridës të martën. Ky rezultat mund t’i shërbejë atij si bazë për ta shpallur kandidaturën për president.

Lajme të ngjashme