Dita e punëtorit në vendin ku të gjithë duan të jenë shefa
Jetlir B U J A
Sot është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Me veçoritë e përçudshme, kjo ditë do të festohet edhe në Kosovë dhe kjo festë do të prodhojë – si për çdo vit tjetër – ligjërimin dominues mbi punëtorin kosovar.
Në fakt, janë mbajtur edhe nja dy protesta sot. Në fakt, kanë ndodhur dhjetëra protesta përgjatë gjithë vitit. Kanë protestuar punëtorët e arsimit, punëtorët e shëndetësisë, punëtorët e Ferronikelit, bujqit, punëtorët e administratës, punëtorët e pastrimit, punëtorët e Policisë, punëtorët zjarrfikës etj. Mirëpo, Kjo as që pritet të ndalë turrin e njerëzve që do të derdhen në Gërmi e parqe tjera dhe që do të bëjnë aktivitetet festuese si çdo motmot.
Krahas festës që i mbivendoset spontançe protestës kemi gjithnjë tri shkronja dhe një pikëpyetje: Pse? Ata që festojnë nuk janë thjesht njerëz por pjesëtarë të klasës punëtore të një vendi ku papunësia është e lartë e rrogat e vogla. Ata që festojnë janë të shtypur nga skema dhe kushtet e prodhimit. Ata që festojnë kanë kërkuar e kërkojnë ngulmueshëm të ikin nga vendlindja e tyre, siç e dëshmojnë edhe 200 mijë aplikimet për viza në Gjermani për katër muaj.
Arrij ta kuptoj që ka një përmirësim të ndjeshëm të standardit të jetës për qytetarët e Kosovës në krahasim me vitet 2000’ apo 1990’. Po ashtu, duket ashiqare që pabarazia është shumë më e lartë në vendet fqinje si Shqipëria e Maqedonia se sa në Kosovë. E megjithatë, jeta po zgjerohet e po zgjerohet, lukset po bëhen nevoja ekzistenciale, çmimet e nevojave të njëmendta ekzistenciale po rriten dhe më e rëndësishmja, perspektiva dhe siguria financiare nuk duket gjëkundi.
Atëherë, pse s’po protestohet?
Ashtu si në shumë vende tjera, punëtori kosovar nuk identifikohet thjesht dhe vetëm me punën që bën. Identiteti i tij si punëtor nuk është as identitet primar e as identitet sekondar. Marrëdhënia e tij me punën nuk është, e siç duket as nuk ishte ndonjëherë, aq e thellë sa është marrëdhënia me banalitete si kombi, feja, partia politike apo ekipi sportiv.
Puna nuk krenon! Të jesh shofer autobusi në një vend sa troha si Kosova konsiderohet si punë turpi, sidomos kur merr parasysh se sa shumë pjesëtarë tjerë që i përkasin fuqisë së pakualifikuar punëtore arrijnë të bëhen ministra, deputetë, kryeministra etj. Skema e prodhimit është rritur vazhdimisht, por kjo rritje s’është përkthyer detyrimisht në prodhim. Çka na thotë kjo? Jo që rritja ishte fiksionale, por që një numër i madh punësh ishin pjesërisht apo plotësisht fiksionale. Pra, u çelën ndër vite punë të tilla të cilave nuk jua sheh hairin shoqëria përveç vetë punëtorëve në fjalë.
Por, ironikisht nuk janë këto punë fiksionale të cilat ndjellin turp. Turp është të bësh punë të vërtetë; të jesh blegtor, zjarrfikës, taksist, arsimtar, bërllokxhi etj. përkundër që frytet e punës shoqëria i vjelë e i sheh drejtpërdrejtë.
Natyrisht, ekzistojnë edhe një mal telashesh tjera që i japin përgjigje pse-së. Ta zëmë, një numër i madh punësh janë tranzicionale, të përkohshme, dhe nuk e lejojnë punëtorin që të lidhet më intimisht e të krijojë identitet prej tyre. Po ashtu, punëtori kosovar ekziston deridiku edhe si punëtor i një tregu më të madh pune, tregut evropian. Përveç gjithë këtyre, ekziston një kulturë tmerruese e abuzimit që vet punëtori i bën punës që supozohet se e kryen, e edhe abuzimit ndaj bashkëpunëtorëve të tij.
Por, fakti që në dy protestat e sotme ishin vetëm nja tridhjetë vetë - dhe të gjithë përfaqësues punëtorësh e asnjëri punëtor – na e dëshmon idenë se problemi kryesor është te ekonomia e tregut ‘të lirë’ nën diktatin e rëndë të veçorive tona kulturore. Kosova i ka veç njëzet vjet nën këtë sistem, dhe ende nuk ka formësuar një strukturë legjitime të punëdhënies duke lejuar kësisoji hapësira të pamata për fatin. Pse të jesh zjarrëfikës e të protestosh si zjarrëfikës kur nesër a pasnesër, me pak fat mund të jesh edhe funksionar i lartë shteti?
Përplasjet e vazhdueshme që po ndodhin mes kryeministrit Albin Kurti dhe punëtorëve besoj që rrjedhin prej këtij moskuptimi epik. Albini – që nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë përnjëmend në tregun e punës - si duket si opozitar ka besuar që ekzistojnë diku në Kosovë një numër i madh punëtorësh të shtypur me nga 130 euro pagë mujore dhe që punojnë nga 12 orë në ditë. Prandaj, ai ka humbur çfarëdo kontakti me kërkesat e sotme të punëtorëve dhe nuk po arrin ta kuptojë realitetin në të cilin bën pjesë. Ai ka qenë i përgatitur që ta rriste pagën minimale, ani pse nuk ka asnjë numër për të treguar se sa njerëz do të prekeshin nga ky vendim. Tre njerëz, apo katër? Po ashtu, ai ka përvetësuar po të njëjtin ligjërim si para-ardhësit e tij për të rinjtë që po ikin nga vendi (ata që po ikin, kishin ajfona, thoshte Isa Mustafa. Rroga nuk të qëllon në smok, thoshte Besnik Bislimi). Meqë kursi politiko-ekonomik i vendit është përgjithësisht i pandryshueshëm, pra s'ka e as që mund të ketë Ndryshim të Madh, atëherë pse përfaqësuesit e punëtorëve meritojnë rrogë më të lartë se sa vetë punëtorët? Në mënyrë që klasa punëtore të mobilizohet duhet që punët e mbërritshme me fat si ato të funksionarëve shtetërorë të paguhen më pak se sa punët reale që i kryejnë.