Dhuna si zbavitje - llumi ynë kolektiv - NACIONALE

Dhuna si zbavitje - llumi ynë kolektiv

3 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Hiç mos u çuditni! Dhuna shihet si mjet për zgjidhje të problemeve dhe, edhe më keq, si zbavitje nga një pjesë e madhe e shoqërisë. Ajo është gjithandej përreth nesh, në teori dhe në praktikë. Fatkeqësisht, shpesh respektohet dhe duartrokitet.

Nasuf Abdyli

Te ne, dhuna u mësohet fëmijëve që në vegjëli, duke i sfiduar ata që ta rrahin njëri-tjetrin. Boksi i thyen rekordet e shikueshmërisë . Qentë ndërsehen derisa përgjaken e mbyten mes vete. Spotet muzikore, serialet humoristike dhe filmat me dhunë janë më të shikuarit.

Një personazh i famshëm i humorit në Kosovë e gatit pistoletën disa herë brenda një episodi. Nganjëherë edhe shkrep në ajër me të, pastaj tallet me ata që i frikëson. Domethënë, u dashkan patjetër disa të shtëna për t’i bërë kosovarët me gaz. Në një serial tjetër, për të cilin thonë se është humoristik, dy hetues sjellin me aq fuqi sa kanë në fytyrat e të dyshuarve dhe tallen me dhimbjen e tyre.

Në spotet muzikore të këngëtarëve shumë të popullarizuar, që kanë dhjetëra miliona klikime në platformat e internetit, përdoret me krenari gjuha plot dhunë, e ilustruar edhe më mirë me armë, qen të rrezikshëm, njerëz me sy të lidhur ose me qese në kokë.

Një këngëtar i famshëm kishte rrëfyer vetë për një sjellje të veten që është cilësuar si dhunim i mundshëm. Nuk di nëse është duke u hetuar apo nëse është marrë në pyetje ndonjëherë nga hetuesia, por di që në burg nuk ka shkuar. Një tjetër dyshohet për dhunim, por edhe ai është i lirë. Një tjetër është kapur nga policia me armë në veturë.

Një këngëtar tjetër, gjithashtu shumë i famshëm, bëri thirrje që autoritetet ta armatosin popullin për të qenë të gatshëm për të luftuar me Serbinë. Tri fuqitë kryesore perëndimore duke bërë thirrje për paqe e qetësi, ai për armatosje. Për pak orë mori mijëra pëlqime në një rrjet social.

Një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë i çmon këta njerëz. E nderon shembullin e tyre në emër të artit modern, pa e marrë parasysh mesazhin që jepet nga këto figura. Këta njerëz janë shembuj për shumë të rinj, madje edhe për shumë fëmijë. E kur del në publik ndonjë rast i dhunës, sillemi sikur kjo gjë na ka pikur nga qielli, sikur të kishim qenë duke jetuar në një univers tjetër.

Sa i përket dhunës së ushtruar nga të rinjtë, kanë dështuar masivisht dy shtyllat kryesore: edukimi në familje dhe në shkollë, në njërën anë, dhe parandalimi e luftimi i dhunës nga shteti në anën tjetër.

Atë që e kemi mbjellë, po e korrim e do ta korrim. Kam frikë se rasti në Pejë është veç një mostër e gjendjes së përgjithshme.

Lajme të ngjashme