Çka na zbulon përçmimi i disa shqiptarëve të Shqipërisë për kosovarët? - NACIONALE

Çka na zbulon përçmimi i disa shqiptarëve të Shqipërisë për kosovarët?

4 vjet më parë

nga Jetlir Buja

Jetlir Buja

Mbrëmë pashë plot reagime ironike, tallëse e përçmuese në lidhje me një deklaratë të një personi publik në Shqipëri që provoi të inferiorizonte kulturalisht kosovarët. Por, ironitë dhe talljet nuk mund ta zbusin apo fshehin atë që ekziston përnjëmend: një kompleks të fortë inferioriteti në një anë, dhe fërkime identitare përmbi të.

Personi në fjalë mund të mos jetë aq serioz, e fjalët që kishte thënë edhe më pak. Vaji i ullirit e pleskavica nuk janë kurrfarë matësish. Por, reagimet që nxiti dhe konteksti ku u shtri diskutimi i japin seriozitet çështjes.

E përmenda kompleksin e inferioritetin. Natyrisht, ka një lëngim tepër të fortë që arrij ta vërej gati gjithkund në Kosovë, e edhe në Shqipëri, për të shfaqur superioritet të fortë kulturor ndaj kujtdo. Por, shfaqja në këtë rast është falsifikim i asaj që është. Që përnjëmend është. I ndjesisë së inferioritetit kulturor.

Megjithatë, ky lloj kompleksi qëndron përfundi një përplasjeje të fortë por të heshtur identitare. Bëhet fjalë për përplasjen mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Serbia e ka shtypur përmes politikash fashiste identitetin tonë. Liritë dhe të drejtat politike përgjithësisht janë mohuar prej saj. Por, edhe në përçmimin fashist të nacionalistëve serbë është njohur ekzistenca e identitetit tonë.

Në anën tjetër, Shqipëria nuk mohon liritë dhe të drejtat tona. Përkundrazi, ka një qasje afirmative e dashamirëse. Por, edhe në këtë dashamirësi publike ajo nuk rresht së mosnjohuri ekzistencën e identitetit kosovar.

Etimologjia e fjalës identitet është nga latinishtja, dhe do të thotë njëjtë. Pra, ajo dashamirësi publike e shqiptarëve të Shqipërisë për Kosovën e kosovarët pohon njëjtësinë mes nesh duke mohuar apo relativizuar dallimet deri në atë masë sa ato të mos merren si elemente identitare, njëjtësie.

Përmes futjes së shqiptarët e Kosovës brenda një njëjtësie me shqiptarët e Shqipërisë, efektivisht iu mohet mundësia që ta kenë njëjtësinë e tyre të veçantë, pra identitetin e tyre. Por, identitetet janë të gjalla dhe nuk përcaktohen prej asaj që thuhet e heshtet në debate publike. Ligjërimi dominues publik mund të thotë me të vërtetë “jemi një”, por të dy palët kemi intimitetet tona, e të cilat edhe pse të shtrënguara të mbesin mes nesh, po na bëhen publike.

Shqiptarët e Kosovës e kanë njëjtësinë e tyre, dhe reagimet që ndodhën përmes një përçmimi pleskavicash e dëshmojnë këtë gjë. Edhe nëse i thonë vetes “shqiptarë”, kosovarët do ta kenë ndërmend një referencë tjetër, një imazh e identitet tjetër, për dallim nga koha kur shqiptojnë fjalën “shqiptarë” për shqiptarët e Shqipërisë.

Dhe, duke qenë se ky identitet kosovar është ende i ri dhe në formim e sipër, është e pritshme që pikërisht mohuesin më të madh, qoftë ai edhe një dashamirës në publik, ta mendojë si dikë të cilin duhet parë me dyshim e duhet t’i rezistohet. Identitetet formohen përmes ndarjeve, pra qarkimit të territorit me të tjerët, dhe pikërisht një gjë të tillë e ka bërë Kosova përgjatë njëzet viteve të fundit ndaj Shqipërisë.

Që t’i kthehem edhe një herë intimiteteve identitare. Ajo që më ka lënë përshtypje më të madhe, e që nuk bëri fare bujë, ishte kur ish presidenti i Shqipërisë (jo Federatës së Futbollit, por presidenti i Republikës) Bujar Nishani e kishte quajtur “sharlatan” kryetrajnerin e Kombëtares së Shqipërisë në futboll pasi kishte humbur nga Kombëtarja e Kosovës. Pse duhej të reagonte kaq brutalisht presidenti i një shteti për një ndeshje miqësore me Kosovën? Mos i lini fajin Nishanit, por pikërisht kësaj përplasjeje që po ndodh e do të ndodh derisa ta pranojmë edhe publikisht se ekziston.

Nuk jemi një!

Lajme të ngjashme