Alo, Policia e Kosovës, Baldwini e Saladini janë aty
Col Mehmeti
Një departamenti të Policisë së Kosovës mund t’i dalë punë me një rast bajagi të çuditshëm.
Dikush e ka raportuar në Polici një mbret jetëndërruar që rrnoi e mbretëroi në Jerusalemin e largmë para tetë shekujsh e gjysmë.
Nëpunësve policorë u duhet të harkojnë vetullat e të përvjelin mëngët se para vetes kanë një alamet çështje, hajt të themi, mesjetare dhe gjeopolitike.
Një ankimtar, mashkull kosovar, analfabet si gjithë të tjerët, ka bërë me gisht mbretin e Jerusalemit Baldwini IV që mbajti skeptrin e sundimit mes viteve 1174–1185.
Përtej një figure notore në Levantin mesjetar, Baldwini është shtriqur në kulturën popullore sebep filmit të Ridley Scott-it ‘Kingdom of Heaven’.
Me maskën në fytyrën e ronitur nga lebrozia, nga ku dëgjohet vetëm zëri i dhuntishëm i Edward Nortonit, Baldwini banon në mediat sociale përmes qindra e mijëra shkëputjeve nga filmi në fjalë.
Mbreti nafakëpremë portretohet si kundërshtar i ndershëm i kurdit, Saladin, me të cilin respektohen ndërsjelltazi sipas sharteve të kavalierizmit mesjetar.
Nëpunësve tanë policorë iu është kërkuar që t’ia heqin maskën mbretit lebroz e ta humbasin një ditë të çmuar pune.
Një mbret lebroz ose imazhi i tij po e prishka paqen delikate në Kosovë!?
Lebrozia, domethënë dergja e cila në mesjetë hante njerëz për së gjalli, te lëvruesit tanë të gjuhës, si Kristoforidhi, u shqipkthye si “të-krromosurëve”.
Nga veriu në jug e në përballje me një kriminalitet që po gëlon si kanalizimi pas shiut, uniformat blu duhet të merren, pra, me një krromosur. Ha ha ha!
Alo, Policia...
Kjo vaki nuk do ta meritonte një shënimth nëse ky absurd nuk do ta kishte anën e vet komike.
Ja që një bilmez që as e njoh e as nuk dua ta njoh m’i paska mbledhur bétë me një denoncim për punën e Baldwinit.
Meqë si gjithë moshatarët e tij nuk i del zot as gjuhës amtare, me një shqipe të nxjerrë me inteligjencë artificiale paska thënë në atë të tijën se një ilustrim i Baldwinit rrënon balancën brendashoqërore në vend.
Nëse kosovarët janë dërrasëmangut për nga shkenca e arsimi, ata të çudisin me aftësinë e tyre olimpike për të gënjyer me invencion e kreativitet.
Të martën mbrëma, në NACIONALE e afishova një komentar për punën e Gazës dhe disa nga arsyet pse ajo, edhe duke mos fqinjëruar me ne, shkakton pasione, psikoza e fiksime.
Duke e rindërtuar një kontekst solid historik sesi zuri rrënjë palestinofilia shqiptare, komentari fare përkorësisht ngrinte një pyetje fort serioze: ç’kërkon Gaza mes nesh dhe çfarë mund të bëjmë për të?
Prandaj edhe titulli e gjuhësonte këtë “Ç’duan Palestinëdashësit shqipfolës?”
Shqip për t’u kuptuar e jo arabçe për t’u keqkuptuar
Brenda tekstit u tha shqip për t’u kuptuar e jo arabçe për të mos u kuptuar se komunizmi postenverist në Shqipní e njohu ‘Palestinën’ dhe të ashtuquajturën Deklaratë të Algjerit; se Kosova në fukarallakun e saj i ndau 500 mijë euro si ndihmë për deregjenë e Gazës; dhe se një aventurier nga këtu (Fuad Ramiqi) deshi ta ‘çlironte’ këtë vendth bashkë me disa aventurierë nga Turqia.
Siç edhe pritet në rrethanat e një mjedisi digjital që po hahet për së gjalli nga analfabetizmi funksional (kjo lebër moderne!), leximi i cilësdo përmbajtje mediale është diçka që praktikisht nuk ekziston.
Mes nesh ka hedhur rrënjë si kërpi i padëshiruar, leximi selektiv ku besohet se kapet një tekst pa e lexuar por duke përdorur shqisat (sytë e nuhatjen), ose duke e ‘lexuar’ përmes leximeve të të tjerëve që njashtu nuk e kanë lexuar.
Kështu paraqitet gjendja infernale e një shoqërie të keqedukuar e të izoluar kulturalisht. Dhe kjo nuk mund të dallohet askundvend më qartë sesa te rrethet e aktivistëve islamikë në truallin virtual.
Edhe pa e marrë mundin për të dhënë shpjegime të duruara, ekzistenca e reaksionit islamik prodhon arsye të vazhdueshme që i mbajnë gjallë sterotipet për të cilat ankohen se u janë vënë padrejtësisht.
Qesharakisht siç ndodh gjithmonë në rrëmuja ku dikush hip majmunçe në lis pa kurrfarë arsye, njëri prej tyre kishte pasur një mendjeshkrepje gjeniale. Deponim në Polici për Baldwinin...
Ta kuptosh Ridley Scott-in
Ilustrimi i komentarit tim kishte në epiqendër mbretin Baldwin nga filmi i Ridley Scottit – përmjet tij e shembullzova idenë sesi ‘Palestina’ është e vetëprodhueshme njësoj si ‘Mbretëria e Qiellit’ dikur.
Të kërshten e muhamedanë e kuptuan kotësinë e rravgimit për ‘Tokën e Shenjtë’, ku pas shenjtërive fshiheshin veçse interesa të njërës palë ose tjetër.
Por filmi i Ridley Scott-it e bën edhe një shtesë që vret larg.
Kur thyhet iluzioni dhe të përfshirit në fesat e kuptojnë të vërtetën pasi janë derdhur pellgje gjaku, ka prapë brinjëthyer e hundëleshë që nga larg vijnë për ta ‘çliruar’ Jerusalemin.
Dhe kjo vlen, oh sa shumë, edhe për Palestinën e ditëve tona.
Ajo nuk është sall një realitet si prikë e kauzave ekstremiste politike e fetare, por është edhe përfytyrimi i shtrembëruar evropian për të.
Nëse në Levant e më gjërë, bota arabe e joarabe nuk i fut duart në zjarr për problemin në fjalë, ka gjithmonë një shemë njerëzish nga larg që bëhen me palestinezë se vetë palestinezët.
Një palestinez mesatar nga Gaza a Bregu Perëndimor mund të ndjehet goxha i trallisur nëse takon digjitalisht një shqiptar, boshnjak, italian a spanjoll që i shet mend për një Palestinë krejt tjetër nga realiteti i tij.
Gjëma e tyre sa është pasojë e elitave kriminale e analfabete, është poaq edhe pasojë e leshkove nga jashtë që i nxisin për ‘rezistencë’ e vetëshkatërrim.
Këshilltarët iranianë e rusë të Hamasit ishin bajagi të afërt me moralistët tanë digjitalë që duan ta luftojnë ‘zionizmin’ prej rehatllëkut të shtëpive të tyre e me lëkurën e të tjerëve.
Cilado kauzë e veshur me moralizëm të gënjeshtërt – kryqëzatë a xhihad – i bën për vete të dëshpëruarit, fatprerët e ata zibidi që jetojnë me xhehneme në kokë.
Ky është psehu që edhe një kauzë si Gaza bën për vete një rini të keqshkolluar e të vetëpërjashtuar si kjo e jona.
Të izoluar e të vetëpërjashtuar
Entuziazmi shpresëplotë se liberalizimi i vizave do të ndërtonte pak Evropë mes shqiptarësh doli hesap i gabuar.
Lëvizja e shlirshme drejt BE-së prodhoi edhe më fort izolim mendor.
Sepse diskrepanca e thellë mes të edukuarish e të paedukuarish, mes kulturave liberale evropiane dhe kulturave rurale ballkanike, vetëm sa sipërfaqësoi dallime thelbësore.
I frikësuari këtu është ai që turrevrap kthehet në katafiqin e fshatit të tij e në sigurinë e dogmave e bindjeve mushkërishte.
Këso konsiderata e këso rrahmendjesh më japin sadokudo një tablo më të qartë për gjendjen e pashpresë që po e pllakos si mortje shoqërinë.
Duke e sfiduar një traditë të tërë politike, partia e sotme në pushtet ka lidhur kontrata me segmentet më të radikalizuara e më të religjionizuara shoqërore.
Kur njëra ose tjetër palë u ndje e tradhtuar nga kjo ‘kontratë’ disonante, shfrimi i saj ishte si ai i të dëshpëruarit të plotë.
Nuk është befasuese pse pikërisht këto kontigjente islamike jashtënxirren kaq shpesh nga regjimi dhe asimilohen sërish prej tij në kohë ekzigjencash politike.
Kurdo që ka krizë sistemi albinkurtist, manifestimet radikale fetare janë pasoja e tij, njësoj si keqfunksionimi i një pavioni psikiatrik prodhon raste arratisjesh.
Të diplomuar pa edukim
Dhe kështu vijmë te ky djaloshi që u bë vëng për këto radhë.
Logjika e përçudtë e analfabetëve funksionalë është e tillë që te shteti e kërkon një instancë xhandareske e cenzoriale për t’i hequr qafesh ata që i duken si ‘armiq’.
Kështu ndodh që Policia e Kosovës të bezdiset me kërkesa sharlataneske ku asaj i kërkohet të japë ‘vlerësim institucional’ për përmbajtjen e një teksti.
Produkt i një fabrike të dobët arsimore – ky mavrija ynë paska gradë te Fakulteti i Edukimit – është një brez i ri qytetarësh me njohuri skandaloze mbi funksionin e secilës gjymtyrë shtetërore a institucionale.
E vërteta e vetme sa i përket nxitjes së mosdurimit shoqëror është se ai vjen pikërisht nga këto grupe të vetëpërjashtuara.
Mjafton vetëm një shëtitje mes shifrash: te Policia e organet e rendit deponohen me dhjetëra e dhjetëra raste ku njerëz kërcënohen.
Të shumtën e herave, janë islamikë që dhëmbëskërmitur mësyjnë verbalisht mbi të tjerët dhe thuajse asnjëherë të tjerët mbi islamikët.
Sidoqoftë, punë të mbarë në shkoqitjen disaorëshe të Baldwinit e Saladinit.
Rinia kosovare kjo ha ha ha e madhe!