Absurde: 51 mijë euro të buxhetit harxhohen për deputetë që "shokohen" nga puthja - NACIONALE

Absurde: 51 mijë euro të buxhetit harxhohen për deputetë që "shokohen" nga puthja

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Është absurde, por mbi 50 mijë euro të buxhetit të shtetit të Kosovës, shpenzohen çdo vit për të paguar deputetë të cilët frikësohen nga një fotografi në të cilën katër vajza puthen mes vete.

Bëhet fjalë për deputetët Gramos Agusholli, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica të cilët edhe njëherë dolën se janë homofob duke shpërndarë në profilet e tyre të rrjeteve sociale në Facebook, një fotografi të kolektivit artistik “Haveit” e titulluar “Shën Valentini”.

Vepra “Shën Valentini” e cila është krijuar nga katershja e artisteve nga Prishtina është një nga veprat më të komentuara në publik për shkak të provokimit që ka nxitur tek audienca.

Por për deputetët në fjalë, të cilët nuk lënë asnjë rast për të treguar sa shumë janë homofov dhe kundër të drejtave të barabarata të njerëzve, kjo fotografi është një “dhunë psiqike”.

I pari që u “shokua” me këtë puthje ishte deputeti nga Peja, Gramos Agusholli i cili si duket e ka parë fotografinë e “Haveit” të ekspozuar në Galeri. Kjo fotografi është një nga shumë veprat që Ministria e Kulturës i ka blerë nga artistët lokal.

“Për këtë foto janë ndarë 10 mijë euro prej buxhetit të Kosovës. Me taksat tona financohet ky projekt “arti”. Absurde është tendenca që dhunshëm me ‘normalizu’ seksualitetin e dikujt. Dhunë psikologjike mbi ne dhe fëmijët tonë”, thotë deputeti Agusholli.

Sipas këtij deputeti që merr afro 17 mijë euro në vit për të mbrojtur Kushtetutën e Kosovës e cila garanton liritë dhe të drejtat e barabarta të secilit qytetar pa dallim orientimi seksual, është “absurde ta normalizosh seksualitetin e dikujt”. Sipas tij, vetëm “seksualiteti i tij” duhet të jetë normal. Seksualiteti i të tjerëve, nuk është normal. Për këtë deputet, shteti paguan afro 1 mijë e 500 euro në muaj.

Sa për ta sqaruar, nga 10 mijë eurot që janë ndarë për këtë vepër, katër autoret e saj kanë marrë njëherë sa ai merr gati çdo muaj si deputet. E si deputet, Agusholli, Korenica e Rrahmani më shumë e përfaqësojnë Kuranin sesa Kushtetutën e Kosovës.

Pra shteti paguan deputetin që tallet me betejën e komunitetit LGBTQ+ për të drejtat e barabarta duke thënë se “shumë zor po i japin”, dhe duke u krenuar se në Kosovë nuk ka të drejta të barabarta për ta.

“Shumë zor po i japin disa, e prapë as nuk po i dojnë as nuk po i pranojnë. Krejt aparatin propagandistik, fondet dhjetëra milionëshe, edhe rezultati ne fund zero”, shkruan deputeti.

Me krenari të pashpjegueshme, Agusholli mburret se nuk ka rezultate, por ai harron se asnjëherë më parë komunteti LGBTQ+ nuk ka qenë më i pranuar sesa tash në Kosovë.

Më tutje deputeti Agusholli shkruan se kinse “për disa përshkrimi i punës është ‘Ndjekim Fonde’” duke tentuar që të banalizojë punën artistike të katër vajzave të cilët kanë nxitur më shumë debat sesa ai e dy shokët e tij si deputet. Më shumë janë marrë “Haveit” me të drejtat e njeriut sesa deputetët që e kanë për detyrë.

Sa për fonde e sa për idenë që kinse Agusholli, Korenica dhe Rrahmani nuk janë të dhënë pas parave, vetëm shikojani pasurinë që e kanë deklaruar.

PASURIA E GRAMOS AGUSHOLLIT

PASURIA E EMAN RRAHMANIT

PASURIA E VISAR KORENICES

E sa për ata që duan të dijnë më shumë në lidhje me veprën e “Haveit” ja një histori e shkurtër:

Historia dhe ndikimi i fotografisë në diskutimin publik

Ishte 14 shkurti i vitit 2014 kur vajzat e kolektivit artistik “Haveit” do të dilnin në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë për të realizuar fotografinë së bashku me fotografin Agim Balaj. Fotografia në dukje ishte e thjeshtë: katër vajza që putheshin mes vete. Përshkrimi ishte i shkurtër por domethënës: "Në këtë të ashtuquajtur "Ditë dashurie". Kjo shoqëri ende refuzon dhe ndalon dashurinë e të njëjtit seks për shkak të 'moralit'. Le të mbizotërojë dashuria!!!"

Por reagimi ndaj kësaj fotografie ishte jashtëzakonisht i madh. Qindra komente ishin lëshuar në drejtim të vajzave të kolektivit, duke i kërcënuar edhe me vdekje. Ishte një ndër veprat e para kaq publike që fliste hapur dhe që ishte realizuar në një hapësirë publike e që flet për një temë që atë kohë nuk flitej aq publikisht.

Fotografia është përmendur edhe në revistën me famë botërore për art “Dazed & Confused”. Fotografia e cila tashmë është pronë e shtetit dhe jo e kolektivit, ende vazhdon të ngjallë debate sa herë që dikush e shpërndan atë, sidomos për 14 shkurt.

Cilat janë veprat e tjera që janë blerë nga shteti?

Me 1 mijë euro më pak sesa vepra e katër artisteve të kolektivit “Haveit” është blerë vepra e tituluar “Deportacioni- Dëbimi i madh”. Kjo vepër e cila është punuar nga piktori që jeton në Gjermani, Sali Musliu, në vitin 2005, e që flet për periudhën e rëndë gjatë vitit 1999 - për dëbimin e kosovarëve gjatë luftës, llogaritet një nga veprat më monumentale që përshkruan tragjedinë e deportimit të shqiptarëve të Kosovës gjatë kësaj kohe.

Një tjetër artiste që jeton jashtë Kosovës, Violeta Xhaferi, është në top-treshen e artistëve, veprat e të cilëve janë blerë nga shteti më së shtrenjti. Vepra e saj “Kur sosen fjalët” është blerë për 8 mijë euro. Me të njejtin çmim është blerë edhe një vepër tjetër e fotografit Afrim Spahiu, e titulluar “Dritarja 99”. Për këto dy vepra nuk është se ka ndonjë shpjegim të qartë në internet. Një tjetër vepër që është blerë për 7 mijë e 800 euro është ajo e piktorit të ri Briliant Milazimi “Mask Off”. Janë edhe afro 75 artistë të tjerë që kanë arritur t’i shesin veprat e tyre për fondin e shtetit të veprave artistike. Këtu e gjeni listën e plotë.

Çka tha juria që përzgjodhi veprat?

Fondi publik i artit në Kosovë po pasurohet me 80 vepra të reja nga artistët vendas. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka blerë 80 vepra në vlerë prej 300,000 euro, të cilat po e pasurojnë fondin publik të artit me qëllim për të “ruajtuar trashëgiminë artistike dhe narrativën kulturore të vendit”.

Sipas një njoftimi të Minsitrisë, përveç blerjes së sivjetme, nga thirrja e parë me shumë prej 300,000 euro, Qeveria ka ndarë mjete edhe për vitin 2023 dhe 2024 për blerje të veprave, respektivisht 350,000 euro dhe 400,000 euro të tjera.

“Krahas thirrjeve publike, vitin e ardhshëm do të bëhen edhe blerje direkte nga koleksionet familjare dhe individuale të veprave të artistëve që nuk jetojnë më, por që janë pjesë e historisë kombëtare të arteve pamore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ndërsa në njoftimin e lëshuar nga juria që ka përzgjedhur veprat thuhet se “secili anëtar i Jurisë fillimisht dha vlerësimet vetjake, e më pas, në nje sesion të gjatë disktuimi, u bë perzgjedhja finale e veprave”.

“Kriteri kryesor i vlerësimit për Jurinë ka qenë cilësia artistike e veprave. Por duke pasur parasysh edhe qëllimin për të cilin këto vepra po blihen, Juria tregoi vëmendje të posaçme edhe për një sërë aspektesh të tjera”, thuhet në shpjegimin e jurisë.

Sipas jurisë, duke qenë se thirrja i është drejtuar artistëve aktivë në Kosovë, për ta ka qenë me rëndësi që përzgjedhja të reflketojë shumëllojshmërinë e disiplinave artistike, pëfaqësimin e gjerë brezor dhe gjinor, bashkë me një vëmendje më të madhe ndaj veprave që kanë rëndësi dokumentaro/historike. Juria shkruan se ka marrë parasysh edhe evidentimin e praktikave artistike të margjinalizuara për shkak të arsyeve të ndryshme dhe përcaktimin e kornizës financiare për secilën vepër në raport me rrethanat socio-ekonomike të Kosovës.

Lajme të ngjashme